Të paktën 73 persona janë konfirmuar deri tani të vdekur si pasojë e tërmetit të fuqishëm, me magnitudë 6,2 rihter, i cili goditi Indonezinë të premten, ndërsa ekspertët i frikësohen një tjetër tërmeti edhe më të fuqishëm, i cili mund të shoqërohet me tsunam.
Më shumë se 820 persona janë konfirmuar të plagosur dhe mbi 27800 u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre, pasi lëkundjes së fortë, tha një zëdhënës i agjencisë kombëtare të katastrofave në Indonezi.
Zëdhënësi bëri të ditur se policia është vendosur në zonë, pasi ekziston mundësia e plaçkitjeve të banesave, transmeton A2news.
Tërmeti shkaktoi edhe një varg katastrofash të tjera si, rrëshqitje toke dhe disa ura të dëmtuara. Lëkundjen shkatërruan gjithashtu edhe 60 shtëpi, dy hotele dhe zyrën e guvernatorit të provincës.
Ndërkohë, Dwikorita Karnawati, kreu i agjencisë indoneziane të meteorologjisë, klimës dhe gjeofizikës (BMKG), u shpreh se ekziston frika për një tjetër tërmet në rajon që mund të shkaktojë tsunam.