Agjencia Zhurnal.mk
Opinion

SHKUPI – NGA PERIFERIA KAH QENDRA SHQIPTARE?…

Shkruan Jusuf BUXHOVI

Një ngjarje kulturore e këtyre ditëve – hapja e librarisë Nobel Bookse në qendër të Shkupit si dhe vëmendja e madhe e opinionit rreth saj, me të drejtë, rikthyen paradigmën historike rreth Shkupit si qendër shoqërore, kulturore dhe politike të botës shqiptare nga antikiteti, mesjeta e deri te privimi prej saj nga viti 1912 e këndej, fillimisht nga pushtimi serb, pastaj ai jugosllav, dhe së fundi, nga viti 1992, nga maqedonocentrizmi mbi të cilin u ngrit shteti i Maqedonisë, që shqiptarët i ktheu në pakicë kombëtare edhe me fajin e vetë klasës së tanishme të papërgjegjshme politike, që për interesa të ndryshme, hoqi dorë nga ideali i shtetit të barabartë të përcaktuar në Referendumin e vitit 1992!

Kjo paradigmë gjithsesi ka të bëjë me atë që kujtesa historike dhe shpirtërore, në të gjitha dokumentet meritore botërore, Scupin antik e ruan si kryeqytet historik të shqiptarëve që nga mbretëria e dardane, pastaj gjatë mesjetës së hershme siç ishte në kohën e perandorit dardan Justinianit, që vinte pikërisht nga këto pjesë dhe ndërtoi qytetet e rëndësishme (Justiniana Prima dhe Justiniana Seconda) për të vazhduar me këtë rol edhe gjatë Perandorisë Osmane ( si qendër e Vilajetit të Kosovës), prej nga, shqiptarizmi politik, Lidhjës Shqiptare të Prizrenit e vitit 1878 i dha impulset kryesore, për t’i ruajtur si të tilla, por në formën e kërkesave për vilajetin e të përbashkët autonom (nga katër sosh: i Kosovës, Shkodrës, Manastirit dhe i Janinës), që do të realizohen në gushtin e vitit1912 me marrëveshjen midis Hasan Prishtinës me gjeneralit osman Ibrahim Pashën me origjinë shqiptare.

Me ç’rast kemi edhe shfaqjen e asaj që duhet të quhet Shqipëri Osmane, që ndonëse historiografia jonë nuk e ka trajtuar si duhet ose anashkaluar nga kriteret e njohura ideologjike dhe mangësitë profesionale, megjithatë është e pakapërcyeshme dhe si e tillë paraqet themelet e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, në Vlorë, më 28 nëntor 1912.Meqë historia shpesh din të jetë e pamëshirshme ndaj atyre që u nënshtrohen përpjekjeve për t’u vetëpërjashtuar prej saj (nga dhuna e jashtme, ose nga amnezitë e ndryshme identitare siç është ky i tanishmi me tendencat që identiteti etnik dhe kombëtar të zëvendësohet me atë fetar), asnjëherë nuk ua mbyll rrugën zhvillimeve që çojnë te rikthimi në të, edhe me vonesa dhe dëmtime të mëdha – hapja e një librarie të tillë në Shkup dhe vëmendja e madhe nga të gjitha anët për të, tregon për nismën e një ndryshimi shoqëror dhe politik nëpërmes vetëdijesimit kulturor, siç ndodhi edhe me rilindësit, po edhe me proceset e mëvonshme kur elitat intelektuale, në rrethanat e kthesave të mëdha, morën përsipër edhe përgjegjësitë politike.

Ky ndryshim, që për parakusht ka vetëdijesimin kulturor dhe identitar, gjithsesi lidhet me rikthimin e Shkupit nga periferia ku ishte lënë edhe me fajin e shqiptarëve për te qendra shoqërore dhe politike, kërkon doemos largimin nga mentaliteti i çajtoreve dhe i servilizmit i intelektualëve hibrid ndaj “elitave” politike që kanë sjellë defaktorizimin politik të shqiptarëve deri te degradimi në pakicë kombëtare me anatemën “e popullit të shkëputur” e të tjera.Kjo kthesë arrihet vetëm po qe se në Shkup dëshmohet kulturalisht identiteti historik dhe etnik, prej nga mund të mbrohet pozita e popullit të barabartë shtetformues, që duhet të sanksionohet në kushtetutën e shtetit me gjuhën shqipe në të dhe assesi me mashtrimin e “barazisë ligjore” siç po manipulohet prej kohesh nga politikanët spekulantë dhe servilë shqiptarë!Duhet pritur, që libraria Nobel në Shkup të mos mbetet vetëm një veprim simbolik i një rizgjimi shpirtëror, por të paraqesë nismë e ndryshimeve të mëdha shoqërore dhe politike, që shqiptarët do t’i kthejë nga periferia në qendër, ku e kanë vendin historikisht dhe etnikisht… Libri, si i tillë, përherë shfaqet armë e fuqishme drejtë vetëdijesimit që i duhet çdo kauzë për t’u vu në binarët e pakthyeshëm historik… (Zhurnal.mk)

Postime të ngjashme

Zaevi eshte treguar “vizionar” i nenshtrimit

D V

Një pyetje publike:Pse nuk po u ndahen shqiptarëve padrejtësitë dhe vuajtjet?!

D V

‘Ballkani i Hapur’, nismë e dështuar që nga përpara ?!

R Zh

Vjen kërkesa publike për kryeministrin Kurti

D V

Zaevi eshte treguar “vizionar” i nenshtrimit

D V

Opinion / Etiketat e turpit

R Zh

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...