Shkup, 12 nëntor – Shkupi sërish ishte ndër qytetet me shkallë më të lartë të ndotjes, sipas të dhënave nga platforma e Ministrisë së Mjedisit, air.moepp.gov.mk. Por, kjo nuk ndikoi që kryetarja e përgjumur e qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, të ndërmarrë ndonjë masë konkrete për ta zbutur këtë gjendje alarmante. Pra, nga kjo kuptohet qartë dhe thjeshtë se sa brengoset Arsovska për shëndetin e qytetarëve të cilëve në rolin e “engjëllit” u kërkonte votën, tani po e keqpërdor atë besim të dhënë, shkruan Zhurnal.
Shkupi kryqendra e ajrit të ndotur, Arsovska e “përgjumur”
Shkupi sërish ishte ndër qytetet me shkallë më të lartë të ndotjes, sipas të dhënave nga platforma e Ministrisë së Mjedisit, air.moepp.gov.mk. Sipas vlerave të fundit të matura, përqendrimi i grimcave PM10 në ajrin në qendër të Shkupit është 276 µg/m3, që është vlera më e lartë në mesin e të gjitha stacioneve matëse në vend.
Edhe në pjesët tjera të vendit, ndotja mbetet e lartë: 178 µg/m3 është regjistruar në Strumicë, 158 µg/m3 në Kërçovë, 152 µg/m3 në vendbanimin Lisiçe në Shkup, 118 µg/m3 në Gostivar dhe 110 µg/m3 në Ohër. µg/m3. Këto vlera i kalojnë kufijtë e lejuar, veçanërisht në qendër të Shkupit, ku përqendrimet janë jashtëzakonisht të larta.
Kujtojmë, gjatë javës që lamë pas Shkupi ishte i shtati në listën botërore të qyteteve me ajrin më të ndotur.
Në Maqedoninë e Veriut në vit vdesin mbi 3.800 persona për shkak të ajrit të ndotur –
Në Maqedoninë e Veriut në vit ka 3.828 vdekje për shkak të ndotjes së ajrit, që është 17.7 përqind e vdekshmërisë së përgjithshme në vend, sipas raportit të Mirjana Dimovska, udhëheqëse e departamentit për ujë të sigurt, kanalizimeve mjedisore dhe ekotoksikologjisë shëndetësore pranë Institutit për Shëndet Publik (ISHP).
Sipas gjetjeve të raportit, vlerësohet se nivelit aktual të ndotjes së ajrit i atribuohen 195 vdekje për shkak të sëmundjes ishemike të zemrës (IHD), që përbën 18.1 për qind të totalit të vdekshmërisë nga IHD në Maqedoni.
“Ndotja e ajrit konsiderohet si kërcënimi më i madh mjedisor në botë për shëndetin e njeriut, me shtatë milionë vdekje në mbarë botën çdo vit. Ndotja e ajrit shkakton dhe përkeqëson një sërë sëmundjesh, duke filluar nga astma te kanceri, sëmundjet e mushkërive dhe sëmundjet e zemrës. Ndotja e ajrit të ambientit dhe grimcat, një nga komponentët kryesorë të ajrit të ndotur, janë klasifikuar si kancerogjene për njerëzit nga Agjencia Ndërkombëtare për Kërkime për Kancerin”, thotë doktoresha Dimovska.
Në rajonin evropian, pothuajse çdo individ është i prekur nga ndotja e ajrit, me mbi 90 për qind të qytetarëve të ekspozuar ndaj niveleve vjetore të grimcave të imta të dëmshme.
“Njerëzit në Maqedoni, dhe në përgjithësi njerëzit nga Ballkani dhe Evropa Lindore, thithin ajër më toksik të ndotur me grimca të dëmshme sesa fqinjët e tyre në Evropën Perëndimore. Rajoni i Ballkanit është shtëpia e shumë njësive me qymyr dhe linjit, si dhe 7 nga dhjetë termocentralet më ndotëse me qymyr në Evropë. Nëntë në dhjetë njerëz thithin ajër që tejkalon udhëzimet e OBSH-së që përmban nivele të larta të ndotësve, me vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme që vuajnë ekspozimin më të madh. OBSH pretendon se 56 për qind e qyteteve në vendet me të ardhura të larta nuk përmbushin udhëzimet për cilësinë e ajrit”, thekson Dimovska.
Pasojat nga ajrit ndotur?
Ndotja e ajrit është shkaku më i madh i vdekshmërisë së parakohshme dhe rritja e numrit të sëmundjeve tek njerëzit. Është rreziku më i madh ekologjik për shëndetin e qytetarëve në Evropë, ku sipas të dhënave të EEA dhe OBSH, është shkaku i rreth 400,000 jetëve të humbura në mënyrë të parakohshme. Sipas analizës së Bankës Botërore, ndotja e ajrit kushton shtetin rreth 2.5% të PBB vjetore për shërbime shtesë të kujdesit shëndetësor, ose 300 milionë euro në vit.
Për shkak të një numri faktorësh socio-ekonomikë, ndotja e ajrit po rritet nga viti në vit, situata po përkeqësohet dhe bëhet alarmante. Analiza të caktuara dhe modelimi i shkarkimeve të substancave ndotëse për ngrohjen e familjeve në luginën e Shkupit tregojnë se ndotja do të rritet me 30% deri në vitin 2025 përveç nëse nuk marrin masa të menjëhershme sistematike për të reduktuar emetimet. Këto shifra do të jenë edhe më të larta nëse emetimet do të shtohen nga sektorë të tjerë, siç është transporti, pjesa e ndotjes të të cilit po rritet më së shpejti çdo vit.
Me ministra që nuk brengosen dot nga ndotja e ajrit, deponitë që të zënë sytë pothuajse në secilin qytet, hapësira të gjelbra që mund të shihen vetëm po u vendosen “syze të gjelbra”, mungesë e parqeve, e shumëçka tjetër mjedisi vazhdon të mbetet në greminë. /Zhurnal.mk