Shkup, 12 nëntor – Edhe pse ndarja e pushteteve është shumë e qartë, veprimi në praktikë shpesh është i mjegulluar. Pjesë e pushtetit të katër janë mediat dhe shoqëria civile, me çka konsiderohen edhe si korrigjues të punëve të qeverisë. Prandaj, në asnjë rrethanë nuk duhet përjashtuar shoqëria civile nga proceset e vendimmarrjes. Edhe në Raportin e Komisionit Evropian për vitin 2024 mbi temën e rrugës së RMV-së drejt Bashkimit Evropian, thuhet që shoqëria civile duhet të jetë pjesë e vendimmarrjes në vend, shkruan Zhurnal.
Pushteti duhet të përfshijë shoqërinë civile më tepër në vendimmarrje, apeloi Komisioni Evropian –
Komisioni Evropian thotë se qeveria duhet të shtojë përpjekjet e saj për të integruar angazhimin e shoqërisë civile në fushat prioritare dhe në aktivitetet e konsultimit. Sipas KE-së, OJQ-të kanë mundësinë të informohen dhe të marrin pjesë në Këshillin për Bashkëpunim ndërmjet Qeverisë dhe Shoqërisë Civile, Këshillit Kombëtar për Integrim në BE dhe Këshillit për Partneritet të Qeverisjes së Hapur.
Më tutje thuhet se nevojiten përpjekje urgjente për rifillimin e aktiviteteve të Këshillit për Bashkëpunim ndërmjet qeverisë dhe shoqërisë civile.
“Ekziston nevojë urgjente për të zhvilluar një qasje të qëndrueshme për përfshirjen e OJQ-ve në politikëbërje në nivel kombëtar dhe lokal, dhe për të rindërtuar besimin dhe bashkëpunimin midis palëve të interesuara dhe për të riaktivizuar këtë kanal të rëndësishëm”, thuhet në Raport.
Krahas transparencës për financimin e shtetit për OJQ-të, KE-ja thotë se zbatimi i duhur i kuadrit ligjor dhe financiar ekzistues kërkon strukturë të qartë institucionale për bashkëpunimin me shoqërinë civile dhe zbatimin si dhe monitorimin e strategjisë së qeverisë për bashkëpunimin me shoqërinë civile 2022-2024.
“Kornizat ligjore dhe financiare ekzistuese ende duhet të ndryshohen dhe zbatohen, veçanërisht për të siguruar mekanizma të qëndrueshëm për ofrimin e financimit publik transparent për OJQ-të”, thotë Raporti.
Ndër të tjera raporti thekson se shoqëria civile vazhdon të përfitojë nga ndihma kyçe e BE-së, e cila u ofron atyre mundësi për t’u rritur dhe zhvilluar në një mjedis të favorshëm. KE-ja theksoi se OJQ-të vijuan të jenë të zëshme dhe të punojnë në luftën kundër dezinformatave, gjuhës së urrejtjes, medias, të drejtave të njeriut dhe të tjera. Vërejte të njëjta KE-ja për shoqërinë civile pati edhe në raportin e kaluar.
OJQ-të lokomotiva e aktivizmit dhe vula e një shoqërie të gjallë e aktive –
Organizatat joqeveritare kudo në botë, e sidomos në Evropë janë dëshmitë faktuale që në ato vende ka zë kritik, ka shoqëri të gjallë e aktive. Ngjashëm, edhe në vendin tonë ekzistojnë numër i madh i OJQ-ve të cilët realizojnë veprimtarinë edhe në kushte jo shumë të volitshme.
E kjo është gjëja më e mirë që ndodhë në vendin tonë, sepse përmes kësaj ne besojmë dhe shprehim indinjatën tonë për shumë çështje që na pengojnë. E fakti tjetër tejet pozitiv për këtë është se të rinjtë e këtij vendi kanë vende të shumta ku mund të zhvillojnë dhe shprehin potencialet e tyre.
Pra, duke u bazuar që kemi një rini entuziasite dhe mjaft energjike e aktive është shumë e nevojshme që kjo të futet brenda kornizave dhe të realizohet në formë të organizuar. Sado që shihen OJQ-të si “armiq” të pushtetit, është e kundërta sepse veprimtaria e OJQ-ve korrigjon gabimet e qeverive, gjë që u mundëson atyre performancë shumë më pozitive.
Megjithatë, duke u nisur nga ky realitet që OJQ-të janë pjesë e shoqërisë dhe angazhimi i tyre bëhet për të mirën e shoqërisë, pushteti asnjëherë nuk duhet t’i përjashtojë nga proceset e vendimmarrjes. Këtë e thotë nevoja e shoqërisë, por të njëjtën e vlerësoi edhe vet raporti i lartëpërmendur. /Zhurnal.mk