Shpërfaqen pakënaqësitë, çfarë po ndodhë me Listën “Guxo”?

Pavarësisht deklaratës së ministres së Jashtme, Donika Gërvalla se Lista “Guxo”, do të garojë në zgjedhjet e 17 tetorit bashkë me Lëvizjen Vetëvendosje, dega e kësaj liste në Ferizaj ka aplikuar për certifikim në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

 

Ashtu siç kishin thënë dy ditë më parë, përfaqësues të Listës “Guxo” në Ferizaj kanë bërë kërkesë zyrtare në KQZ për tu certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale 2021, edhe pse nga qendra kishin deklaruar në këto zgjedhje do të garojnë bashkë me Lëvizjen Vetëvendosje.

Kështu është bërë e ditur gjatë mbledhjes së KQZ-së, nga Zyra për Regjistrim dhe Certifikim.

“Deri më tani kemi pranuar tri aplikime për certifikim të subjekteve politike. Prej tyre partia politike e regjistruar Lëvizja qytetare Vatra ka aplikuar për certifikim në pjesëmarrje për zgjedhjet në kryetar komune dhe asamble komunale”, u shpreh Vesa Xharra nga Zyra për Regjistrim dhe Certifikim në mbledhjen e sotme të KQZ-së.

Ajo tha se, “Aplikimi tjetër është kandidati i pavarur për komunën e Kaçanikut dhe aplikimi i fundit është Iniciativa “Guxo” që ka aplikuar për certifikim për pjesëmarrje për zgjedhjet në kuvend komunal në komunën e Ferizajt”, tha ajo.

Kjo ndasi në Listën “Guxo”, sipas analistit Fitim Salihu “dëshmon se në esencë kurrë nuk ka ekzistuar një parti serioze me emrin “Lista Guxo”.

Ai ka thënë për Telegrafin se “Ajo ka qenë thjesht një marionetë e Vetëvendosjes në shërbim të shkatërrimit të LDK-së”.

“Në momentin që Vjosa Osmani dhe disa të tjerë i kanë përmbushur ambiciet personale për t’u bërë president, ministra ose deputetë, ata e kanë braktisur bazën e tyre dhe tani mendojnë vetëm për interesat e tyre personale, të cilat do të ishin dhe janë të parealizueshme pa supordinim ndaj Vetëvendosjes dhe Kurtit”, tha Salihu për Telegrafin.

Ai shtoi se “Prandaj, për liderët e Listës “Guxo”, me e rëndësishme është të ruhet raporti mazohist i subordinimit ndaj Kurtit (sepse kësisoj i ruajnë karriget e veta), sesa interesi i partisë së tyre dhe i kuadrove të partisë së tyre nëpër komunat e Kosovës”, shkruan Telegrafi.

Ndryshe, për disa ditë me radhë nga dega e Listës “Guxo” në Ferizaj kanë deklaruar se në zgjedhjet lokale të 17 tetorit do të garojnë me listë të vetën për asamble komunale.

Balton Dërguti, përfaqësues i Listës Guxo në Ferizaj ka thënë se kjo iniciativë do të kandidojë me listë të veten për asamble.

Ai ka thënë se nuk do të garojnë me LVV-në në një listë të përbashkët për këtë komunë.

Related posts

​Fluks në pikën kufitare te Dheu i Bardhë, pritjet deri 45 minuta

D V

Vitia takon sot kryetarët e komunave, do të diskutohet për masat antiCOVID

D V

Kosovë/ Kuvendi nesër do të mbajë seancën e rradhës

N E

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com