Shpërthimi dhe dëmtimi i kanalit të ujit në veri, “akt terrorist” sipas autoriteteve kosovare

nga Xh M

Një shpërthim i fuqishëm me pasoja ka ndodhur mbrëmjen e së premtes në fshatin Varagë të Zubin Potokut, në veri të Kosovës, transmeton Anadolu.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se si pasojë e këtij shpërthimi është dëmtuar kanali i ujit të Ibër-Lepencit.

Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, e ka konfirmuar për media shpërthimin në kanalin e ujit duke thënë se ekipet policore janë duke punuar që sa më shpejtë ta zbardhin rastin.

– Pushtetarët e cilësojnë shpërthimin si akt terrorist

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, përmes rrjeteve sociale e cilësoi ndodhinë si akt terrorist në të cilin është sulmuar infrastruktura jetike e vendit.

“Bandat kriminale serbe kanë humbur në çdo betejë me institucionet e Kosovës. Do të humbin sërish, në përpjekjet e tyre qyqare për të sulmuar infrastrukturën jetike të Republikës sonë nëpërmjet akteve terroriste. Mbrojtja e kushtetutshmërisë e ligjshmërisë në çdo cep të vendit dhe lufta e pa kompromis ndaj këtyre elementeve kriminale janë jetike”, u shpreh presidentja, duke shtuar:

“I ftoj qytetarët të vazhdojnë të tregojnë qetësi e maturi derisa institucionet tona po merren me hetimin e rastit dhe sanimin e dëmit me profesionalizmin më të lartë. Përveç institucioneve tona, partnerët tanë ndërkombëtar të sigurisë menjëherë kanë ofruar ndihmën e tyre edhe për sanimin e dëmit të shkaktuar dhe për furnizim me ujë, e po ashtu për hetim të këtij akti kundër shtetit e qytetarëve tanë”.

– “Kjo vjen nga rezervat, nga stoqet e eksplozivit të Serbisë”

Edhe ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, i cili ka dalë në vendin e ngjarjes, e ka cilësuar akt terrorist shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin-Potok.

“Diku para orës 7 të mbrëmjes, sipas raportimit të Policisë, është dëgjuar një shpërthim ku pas lajmërimeve Policia ka ardhur në vendin e ngjarjes dhe është parë se si rezultat i një akti terrorist një pjesë e kanalit të Ibër-Lepencit, që cilësohet si infrastrukturë kritike, është dëmtuar”, ka thënë ai.

Sveçla ka thënë se shpërthimet e fundit në veri janë eksplozivë nga stoqet e Serbisë.

“Po flasim për eksplozivë që s’është e lehtë të gjenden në tregun e zi. Kjo patjetër se vjen nga rezervat, nga stoqet e eksplozivit të Serbisë”, ka shtuar Sveçla.

Mediat në Kosovë kanë raportuar se dyshimet janë që shpërthimi ka pasur për qëllim dëmtimin e infrastrukturës kritike të Kosovës në mënyrë që të pengohet rrjedha e ujit që përdoret për ftohje në procesin e prodhimit të rrymës në termocentralet Kosova A dhe Kosova B.

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” ka bërë të ditur se është ndërprerë furnizimi me ujë të pijes për shkak të dëmtimit të një pjese të kanalit të Ibër-Lepencit. Kjo ndërmarrje u ka bërë thirrje qytetarëve që të sigurojnë rezerva të ujit të pijes.

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se është në komunikim me aktorët relevantë, teksa ka shtuar se shpreson në sanim të shpejtë të situatës. Aktualisht ka thënë se s’ka informacion të saktë lidhur me detajet e ngjarjes dhe kohën e sanimit.

Kryetari i Komunës së Zubin-Potokut, Izmir Zeqiri, ka thënë se nga shpërthimi është rrezikuar një shtëpi e se banorët e saj janë evakuuar.

Ky është sulmi i tretë me radhë në veri të Kosovës dhe i dyti gjatë ditës së sotme. Në Komunën e Zveçanit u gjuajtën bomba në stacionin policor dhe në oborrin e komunës.

Për gjithë këtë situatë Policia e Kosovës njoftoi të premten se ka rritur masat e sigurisë në të gjithë vendin.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More