“Shpifësi kronik, ke një javë për të kërkuar falje” – zëvendësministri Qorrolli i përgjigjet akuzave të Abelard Tahirit

nga D V

Zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qorrolli ka reaguar ndaj deklaratës së shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, i cili sot në një deklaratë tha se LVV-ja ka bashkëpunuar me terroristin Milan Radoiçiq edhe për votimin e një gjyqtari në Kushtetuese.

“Kryeterroristi Radoiçiq bashkë me qeverinë kanë përcaktuar pagën minimale në Kosovë. Jo vetëm kaq, nga kjo ata përjashtuan veteranët, familjarët e dëshmorëve, ata që lanë gjymtyrët për këtë vend. Zëvendësministri i Drejtësisë, paska qenë edhe me Mimozën edhe me Radoiçiqin…”, ka thënë Tahiri.

E zëvendësministri Qorrolli në një reagim në Facebook, e ka quajtur Tahirin “qesharak shpifës”.

Qorrolli tutje ka thënë se “Abelard Tahiri, paska helmosur, shpifur e fyer mbi emrin dhe personalitetin tim. Këto shpifje e këto lemerisje prej balte nga goja e një shpifësi kronik – vijnë si rrjedhojë e disa publikimeve mediale, të cilat nuk kanë të bëjnë asgjë me mua, as në kohën e kandidimit për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, e as tash”.

Ai ka shtuar se deklarata e Tahirit është një shpifje e ulët, tipike e monstruzitetit të paskrupulltë të kastës së tij politike.

“Për shpifjet e tilla të ulëta, ministri më qesharak e më diletant i drejtësisë në historinë e Kosovës, ka afat 1 (një) javë, që të kërkojë publikisht falje për këtë shpifje me të njëjtin format të konferencës mediale siç ka shpifur sot – përndryshe politikani që do mbahet mend sall për “alltiat me shurdhues” – do të përballet me padi për shpifje në Gjykatën kompetente”, ka shkruar Qorrolli.

Postimi i plotë:

HELMET SHURDHUESE TË QESHARAKUT SHPIFËS!

I. Sot, në një deklaratë të turpshme për media, shefi aparatçik e pa higjienë morale i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, paska helmosur, shpifur e fyer mbi emrin dhe personalitetin tim. Këto shpifje e këto lemerisje prej balte nga goja e një shpifësi kronik – vijnë si rrjedhojë e disa publikimeve mediale, të cilat nuk kanë të bëjnë asgjë me mua, as në kohën e kandidimit për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, e as tash.

II. Shpifja është e ndaluar në të gjitha Librat e Shenjtë, është mëkat i barazllogaritur me vrasjen, është e ndaluar edhe me legjislacionin evropian dhe atë kosovar, por deputeti kaubojs që njihet gjerësisht si merakliu i revoleve me shurdhues glacon, rren e mashtron, shpif e linçon. Zatën, siç thotë Konica, “xhelat je sepse të pëlqen të jesh”.

III. Abelardi paska deklaruar që kinse eksponentë të Listës Serbe kanë pasur një koordinim me Lëvizjen Vetëvendosje! për kandidaturën time për Gjykatën Kushtetuese. Kjo është një shpifje e ulët, tipike e monstruzitetit të paskrupulltë të kastës së tij politike – vetëm sa për të njollosur personalitetin tim dhe funksionin që kryej tash – atë të zëvendësministrit të Drejtësisë.

Më lejoni që t’i listoj dy fakte kyçe, të cilat demantojnë shpifjet bizare e të liga të Abelardit:

(1). Votimi i fundit në të cilin kam marrë pjesë si kandidat për gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese ka qenë në fundin e vitit 2021, më saktësisht, më 29 dhjetor 2021. Kjo është hera e fundit kur unë kam kandiduar për gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese. Lehtësisht e verifikueshme kjo gjë.

(2). Koha për të cilën mediat kanë publikuar materialet e dyshimta audio, të montuara e të fabrikuara prej zallamahisë së tij politike – pretendohen të jenë të vitit 2022. Vetë mediumi që e ka shpërndarë këtë audio-incizim (paparaci dot com), në një nga materialet e postuara dje, ka përmendur kohën e zgjedhjes së një kandidati tjetër për gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese, përkatësisht gjyqtarit Enver Peci, i cili kishte marrë votat për gjyqtar në nëntor të vitit 2022.

IV. Pra, kandidatura ime NUK KA ASNJË LIDHJE me asnjë nga pretendimet e ngritura nga mediat dhe audio-incizimet e fabrikuara dhe bëhet fjalë për një periudhë jashtëkohore të kandidaturës sime për Gjykatë Kushtetuese.

V. Ndërkaq, para plot 5 viteve, në kohën kur Abelardi me shokët e tij ishte në një qeveri me Listën Serbe, unë e kam luftuar hapur dhe publikisht këtë parti, ku kam kërkuar që kjo parti të shpallet jokushtetuese. Nëpër studio televizive me zë e me figurë, e jo duke bashkëqeverisur me ta sikurse shpifaraku me shurdhues.

VI. Sulmet e tilla të paskrupullta të shpifjes e linçimit, kanë për qëllim dëmtimin e imazhit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Ministrisë së Drejtësisë, por edhe të reputacionit e të dinjitetit tim personal.

VII. Për shpifjet e tilla të ulëta, ministri më qesharak e më diletant i drejtësisë në historinë e Kosovës, ka afat 1 (një) javë, që të kërkojë publikisht falje për këtë shpifje me të njëjtin format të konferencës mediale siç ka shpifur sot – përndryshe politikani që do mbahet mend sall për “alltiat me shurdhues” – do të përballet me padi për shpifje në Gjykatën kompetente. 

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More