Agjencia Zhurnal.mk
Maqedoni TOP LAJM

“Shpigel”: Bullgaria me veton e saj për Maqedoninë e Veriut shkaktoi edhe një krizë në BE

Berlin, 19 nëntor, zhurnal.mk – Ne kemi bërë shumë gjatë tre viteve të kaluara drejt progresit tonë në rrugën e integrimit evropian. Ne nënshkruam një marrëveshje me Greqinë, ndryshuam Kushtetutën dhe emrin e vendit. Ne gjithashtu nënshkruam Marrëveshjen e Fqinjësisë së Mirë me Bullgarinë në vitin 2017. Me këto marrëveshje kemi treguar se ne mund të sillemi me të vërtetë në mënyra evropiane. Dhe tani Bullgaria po sillet në kundërshtim me sjelljet evropiane dhe po kërkon që ne të deklarojmë se ne, maqedonasit, kemi rrënjë bullgare dhe se gjuha jonë është një dialekt i Bullgarisë Perëndimore. Ne nuk mund ta pranojmë këtë, theksoi kryeministri Zoran Zaev për gazetën gjermane “Shpigel”.

Gazeta në shkrimin me titull “Komb pa lejen e fqinjit” citon se Maqedonia e Veriut ka qenë kandidate për anëtarësim në BE që nga viti 2005 por fqinjët e saj kanë bllokuar fillimin e bisedimeve të anëtarësimit. Së pari, vendi duhej të kishte ndryshuar emrin e tij nën presionin e Greqisë, tani Bullgaria po i vendos kushte të reja, përkujton gazeta.

“Disa nacionalistë i konsiderojnë grekë që flasin sllavisht. Të tjerët i konsiderojnë ata serbë të jugut ose bullgarë perëndimorë. Nuk ka qenë e lehtë për maqedonasit në historinë e fundit të njihen si një komb i veçantë, me një gjuhë të veçantë. Deri më sot, Maqedonia konsiderohet nga fqinjët e saj, Greqia, Serbia dhe Bullgaria, një konstruksion dhe një komb artificial”, shkruan “Shpigel”.

Shpigel, thekson se qeveria Bullgare aktualisht dëshiron të provojë se “çështja maqedonase” – një nga çështjet kryesore politike në historinë e Ballkanit – nuk duhet të jetë objekt diskutimi vetëm nga historianët. Ai kërkon që Maqedonia e Veriut të njoftojë zyrtarisht se kombi maqedonas është me origjinë bullgare dhe se gjuha maqedonase është në të vërtetë një dialekt bullgar-perëndimor.

Derisa autoritetet në Maqedoninë e Veriut ta pranojnë këtë, shkruan “Shpigel”, Bullgaria nuk do të japë pëlqimin për fillimin e negociatave të anëtarësimit në BE.

Gazeta përkujton se vendimi për të vazhduar procesin duhej do të merrej të martën në Këshillin e Çështjeve të Përgjithshme, por se Bullgaria kishte njoftuar më parë se do të bllokonte vendimin për të miratuar kornizën e negociatave. Pas takimit, Ministrja e Jashtme Bullgare Ekaterina Zaharieva tha se Maqedonia e Veriut nuk i plotëson kushtet.

Me nën titullin “A po abuzon Bullgaria me veton e saj?”, e përditshmja thotë se pasi Hungaria dhe Polonia vunë veton e buxhetit të BE-së, vetoja e Bullgarisë për Maqedoninë e Veriut shkaktoi një krizë tjetër në Bashkimin Evropian.

“Bullgaria krijon një precedent në politikën e zgjerimit të BE-së. Vendi përdor groteskisht pikëpamjen e tij për historinë si një armë politike kundër vendit fqinj”, raporton “Shpigel”.

Gazeta shkruan se Maqedonia e Veriut është një vend me rreth dy milionë banorë, i cili ka përmbushur të gjitha kushtet teknike për fillimin e negociatave të pranimit në BE, dhe në këtë rast bëhet fjalë për shtete individuale anëtare që abuzojnë me fuqinë e vetos në interes të fushatave vendore nacionaliste. Duke vepruar kështu, shton gazeta, ata minojnë seriozisht besueshmërinë e BE-së në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Në intervistën për “Shpigel”, kryeministri Zoran Zaev shprehu zhgënjimin me qëndrimin e Bullgarisë, duke e quajtur atë “absurd dhe qesharak”.

“Ne e konsiderojmë veten maqedonas. Gjuha jonë u kodifikua në vitin 1945 dhe është njohur nga KB-ja që nga viti 1977. Është një zhgënjim i madh për ne që vëllezërit tanë bullgarë, me të cilët kemi shumë gjëra të përbashkëta, po na bllokojnë rrugën. Sigurisht, ne kemi të drejtën e identitetit tonë kombëtar”, thotë Zaev.

Ai për “Shpigel” thekson se pjesa tjetër e Evropës mund të mos e kuptojë mosmarrëveshjen, por tha që përmbante një mesazh “të keq dhe të hidhur” për të ardhmen e Evropës, pasi prek vlerat themelore evropiane si multietniciteti dhe shumëgjuhësia.

E përditshmja kujton se Maqedonia e Veriut ka qenë zyrtarisht një vend kandidat për 15 vjet. Për një kohë të gjatë, shton ‘Shpigel”, rruga e integrimit evropian të vendit u bllokua nga Greqia, e cila akuzoi Maqedoninë për pretendime territoriale në rajonin verior grek me të njëjtin emër.

“Mosmarrëveshja për emrin, sidoqoftë, lidhej në thelb me politikën e brendshme greke dhe jo me pretendimet e pretenduara të Maqedonisë”, konkludon “Shpigel”.

Vitin e kaluar, Franca bllokoi fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, duke kërkuar ndryshime në metodologjinë e zgjerimit të BE-së. Metodologjia e re është miratuar, por tani për Maqedoninë e Veriut, pengesa e fundit është Bullgaria, shton “Shpigel”.

Gazeta përkujton Marrëveshjen e vitit 2017 të nënshkruar nga Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria dhe thekson se është bërë përparim i rëndësishëm në marrëdhëniet midis dy vendeve, por shton se Sofja kohët e fundit ka dalë me kërkesa të reja.

Sipas gazetës, Kryeministri Zaev dyshon se e gjithë kjo është e motivuar nga arsye të brendshme politike. Protesta anti-korrupsion janë zhvilluar disa muaj në Bullgari kundër qeverisë së kryeministrit Bojko Borisov dhe Bullgaria do të përballet me zgjedhjet parlamentare në pranverën e ardhshme.

Ekziston një mundësi tjetër për mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare në Maqedoninë e Veriut në dhjetor, por prapëseprapë, siç shkruan “Shpigel”, është e pasigurt nëse Bullgaria do t’u nënshtrohet kërkesave të saj.

“Për ne nuk ka asnjë alternativë ndaj BE-së dhe integrimit evropian. BE-ja duhet të jetë e vetëdijshme se përparimi i integrimit tonë është një motiv i fortë për vendin tonë dhe shoqërinë tonë. Nëse ky motiv zhduket, ai jo vetëm që do të ngadalësojë procesin e reformës, por ne gjithashtu do të përballemi me rritjen e një nacionalizmi të ri, radikal, i cili, siç tregon shpesh historia e Ballkanit, mund të kthehet në dhunë”, tha Zaev për ”Shpigel”.

Postime të ngjashme

Ekskluzive / Ja e vërteta e deputetit “kauboj” të ASH-së nga Saraji!

Bexhet Musliu

Ahmeti pas mbledhjes: Të gjitha gjërat janë sqaruar, BDI-ja është më e unifikuar!

Bexhet Musliu

Ish kryeministri Georgievski këshillon se si të zgjidhet çështja me Bullgarinë

T E

Shkëmbi mbi fshatin Radozhdë të Strugës i rrezikshëm për banorët

T E

Sa të rezikuar jemi? Kroacia dhe Slovenia regjistrojnë rastet e para me variantin afrikano jugor

T E

Mihailoski: Me ngritjen e standardit ekonomik, të rinjtë do arrijmë t’i mbajmë këtu të bëjnë të ardhme dhe karierë

T E

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...