Sot përfundon afati i caktuar i shportës së Vitit të Ri e cila filloi të zbatohet nga 15 dhjetori i vitit 2024. Masa e kësaj shporte u formua nga ana e furnizuesve, prodhuesve dhe shitësit me pakicë me premtimin se do të ulin çmimet e 1178 produkteve të ndryshme.
Qytetarët thonë se vërejtën rritje të çmimeve të produkteve tjera që nuk ishin përfshirë në këtë masë. Sipas tyre, çmimet vazhdimisht shkojnë në rritje dhe ulja e çmimeve të produktet të caktuara nuk është vërejte aspak.
“As nuk u ulën çmimet, gjithçka është e njëjtë dhe vetëm gënjejnë. Të beftë mirë gjevreku. Faleminderit”, tha një qytetare.
A mundët dikush të mbijetoje me ato çmime që janë! Nuk kishte asnjë ndryshim, çmimet ishin vendosur nga hera e kaluar dhe e ngjitur me ngjyrë të verdhe, asgjë nuk kishte më lirë, asgjë”, u shpreh një tjetër qytetare.
“Besoj se çmimet përsëri do të rritën, unë jam pensionist dhe me këtë pension asgjë nuk arrihet”, tha një qytetar.
“Para Vitit të Ri thanë se do i ulin çmimet por ata i rritën çmimet dhe nuk besoj që më do i ulin. Ata shohin që vetëm tregtarët të fitojnë dhe jo populli”, u shpreh një qytetar.
“Vaji në tetot ishte 63 denarë ndërsa në dhjetor ishte 98 denarë dhe ku janë lirimet, e turpshme”, theksoi një qytetar.
LSDM-ja opozitare tha se çmimet gjithnjë shkojnë në rritje ndërsa shportën e Vitit të Ri e quajnë si projekt të dështuar të Qeverisë.
“Të ashtuquajturat “shporta” rezultuan një dështim i plotë. Në vend që t’ua lehtësojnë jetën qytetarëve, ato shkaktuan kosto edhe më të madhe dhe ulën standardin e jetesës. Në vend të uljes, çmimet e produkteve bazë u rritën. Vaji i ullirit, vezët, sheqeri, produktet e qumështit, bizelet, fasulet dhe thjerrëzat janë bërë më të shtrenjta. Qytetarët e shohin këtë realitet të ashpër nëpër markete dhe dyqane dhe e jetojnë çdo ditë, duke luftuar për të siguruar nevojat elementare për familjet e tyre”, deklaroi Bogdanka Kuzeska, zëdhënëse e LSDM-së.
Sipas Qeverisë, Shporta e Vitit të Ri ishte e suksesshme, shpenzimet e ushqimeve dhe pijeve në dhjetor u ulën me 0.3%. dhe shtojnë se kjo tregon se Shporta e Vitit të Ri, ku bënin pjesë kryesisht ushqime dhe pije joalkoolike, ka dhënë efektin e saj dhe çmimet e ushqimeve dhe pijeve në dhjetor 2024 janë ulur në krahasim me nëntorin e vitit 2024. Sipas paralajmërimeve, Shporta e radhës është ajo e Ramazanit.