Bota

Shqetësime mbi arrestimin e aktivistit të opozitës në Ruandë

Historia e mbrojtjes së refugjatëve Hutu dhe Tutsi nga Paul Rusesabagina gjatë gjenocidit në Ruandë ishte tema e filmit “Hotel Rwanda”, të emëruar për çmimin Oskar në vitin 2004. Por zoti Rusesabagina (Rusesabaxhina) u arrestua muajin e kaluar në Ruandë, akuzuar për financimin e grupeve rebele. Vëzhguesit i thanë Zërit të Amerikës se kanë frikë se dënimi i tij në një gjykatë në Kigali është i paracaktuar.

Paul Rusesabagina është heroi i filmit “Hotel Rwanda”, të emëruar për çmimin Oskar, i cili shpjegon historinë e përpjekjeve të tij për të shpëtuar refugjatët Hutu dhe Tutsi gjatë gjenocidit të Ruandës më 1994.

Por sot ai është në pritje të një gjyqi në Kigali, i akuzuar për mbështetjen e grupeve rebele dhe krimet e lidhura me terrorizmin.

Grupet e të drejtave civile dhe ata që e njohin atë thonë se rrethanat e arrestimit të tij janë të debatueshme.

Zoti Rusesabagina thotë se ai ishte ftuar nga një mik për të folur në Burundi. Por kur ai hipi në një avion privat në Dubai, ai u dërgua në Kigali dhe u arrestua.

“E njoh zotin Paul për gati 15 vite dhe nuk ka asnjë mundësi që ai të ketë shkuar vullnetarisht në Ruandë sepse ai e dinte se do të arrestohej”, thotë Brian Endless nga Universiteti Loyola.

Zoti Endless beson se mënyra e arrestimit ishte e paligjshme.

“Pavarësisht nëse doni ta quani interpretim të jashtëzakonshëm, rrëmbim,apo rrëmbim të paligjshëm kur një person hyn në një aeroplan dhe është mashtruar me qëllimin për ta dërguar në një vend tjetër dhe për ta arrestuar, ndërkombëtarisht ky është një proces i paligjshëm.”

Por Presidenti i Ruandës, Paul Kagame mbrojti ndalimin e zotit Rusesabagina.

“Nuk kishte asnjë rrëmbim, nuk kishte asnjë shkelje në procesin e sjelljes së tij këtu. Ai arriti këtu në bazë të asaj që besoi dhe donte ta bënte”.

Kritikët thonë se ai u arrestua për shkak të kundërshtimeve ndaj Presidentit Kagame.

Qeveria pohon se ai u arrestua për shkak të punës së tij me Lëvizjen për Ndryshim Demokratik në Ruandë, një parti e opozitës që ai e bashkë-themeloi, dhe e cila ka qenë e lidhur me akte dhune dhe terrorizmi.

Zoti Rusesabagina nuk mohon se janë kryer krime, por këmbëngul se ai nuk ishte i përfshirë dhe se ai është i interesuar vetëm në diplomaci.

Kritikët thonë se deri më tani, Paul Rusesabagina nuk është lejuar të zgjedhë avokatin e tij dhe atij i është refuzuar kërkesa për lirim me kusht.

Ekspertët ligjorë thonë se monitorimi i gjyqit të tij është i rëndësishëm.

“Një nga arsyet kryesore që ne monitorojmë gjyqet është ndriçimi i shkeljeve dhe t’ua kujtojmë qeverive detyrimet e tyre ndaj respektimit të të drejtat themelore, duke përfshirë të drejtën për të zgjedhur një avokat, si dhe të drejta të tjera”, thotë Mooya Nyaundi nga Qendra ABA për të Drejtat e Njeriut.

“Ka prirje mjaft shqetësuese, disa prej tyre të përkeqësuara nga pandemia e Covid-19, në lidhje me instrumentalizimin e gjykatave kundër personave të pambrojtur ose kritikëve të qeverisë. Por shpresa është që monitorimi i gjyqit, qoftë në moment apo përmes regjistrimit, mund t’i nxisë qeveritë të respektojnë detyrimet e tyre ndërkombëtare”, thotë Stephen Townley nga Organizata “Trialwatch”.

Ndërsa janë ngritur shqetësime në lidhje me ndalimin e zotit Rusesabagina, ai ende mund të ketë një gjyq të drejtë, thotë profesori i politikave ndërkombëtare, Phil Clark.

“Shpesh ekziston një perceptim i gabuar në lidhje me gjyqësorin e Ruandës, se ai është thjesht vegël e (presidentit) Kagame. Unë mendoj se ajo që kemi parë në 10 vitet e fundit është diçka shumë e ndryshme. Ne kemi parë ngritjen e një gjyqësori të pavarur në Ruandë, që shpesh ka marrë vendime në kundërshtim me dëshirat e qeverisë kombëtare.”

Brian Endless dhe mbështetës të tjerë të zotit Rusesabagina nuk pajtohen me këtë vlerësim dhe janë të shqetësuar për fatin e tij në një sallë gjyqi në Ruandë.

Postime të ngjashme

Kina në gatishmëri të plotë për një valë të dytë të COVID-19

R ZH

Mbi 34 milionë të shëruar nga COVID-19 në mbarë botën

Z H

Pas mosmarrëveshjes, anulohet debati i dytë presidencial mes Trumpit dhe Bidenit

admin
duke ngarkuar....

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read more...