Agjencia Zhurnal.mk
Kulturë

“Shqipëria ka zgjedhur Evropën”/ Kadare, mesazh për zgjedhjet dhe ndikimin turk: Shqiptarët, të mos vuajnë nga komplekset që është një komb çapaçulësh

Nga qyteti i Vlorës, shkrimtari i madh Ismail Kadare jep mesazhin e tij për zgjedhjet parlamentare dhe rrugën që duhet të ndjekë Shqipëria drejt Europës. Në një intervistë për televizionin “News 24”, Kadare flet për librin e tij “Kohë për rrëfim”, një bisedë me studiuesen Alda Bardhyli; për marrëdhënien e shkrimtarit me diktaturën dhe dëshirën për të rrëfyer disa aspekte të jetës së tij, që nuk i kishte rrëfyer më parë.

Ktheheni në Vlorë pas 20 vjetësh, si e gjeni këtë qytet?

Vlorën e gjej si një qytet që e kam njohur në fëmini, në adoleshencë dhe më pas. Një qytet shumë i dashur për letërsinë, i cili ne shkrimtarëve na ftonte dhe na priste me shumë dashuri. Një cilësi hyjnore e këtij qyteti që e gjej edhe sot…

A ka ndryshuar qyteti?

Është bërë shumë më i bukur. Ka ruajtur gjithçka të bukur dhe të përjetshme dhe çdo shkrimtar është vërtet i lumtur kur gjen një dashuri të tillë për letërsinë, si askund gati.

Si është takimi i një shkrimtari me të rinjtë?

Ka diçka të veçantë, madje edhe fëmijët kanë diçka të mrekullueshme, që i tërheq arti i madh i letërsisë. E kanë me intuitë.

Ju vini me një libër të ri, të sinqertë, që rrëfeni për veten tuaj, si kanë qenë këto dy vite pune me studiuesen Alda Bardhyli?

Libri më ka shkaktuar një ndjesi të mirë, të bukur, sepse nëpërmjet tij kam parë se sa i ndjeshëm është lexuesi ndaj jetës së shkrimtarëve, për krijimtarinë e tij, për artin e madh, për mistere. Më ka nxitur fantazinë.

Ju keni jetuar në një sistem gati makbethian dhe në datën 11 prill u mbushën 36 vjet që prej vdekjes së diktatorit. Si do ta përshkruanit?

Fjala diktaturë dhe liri në art nuk mund të jetojnë bashkë. Një diktaturë ka pasionin kryesor ta shtypë artin, ta dërrmojë. Ajo s’ka fat në këtë ëndërr të saj të mbrapshtë. Ndërsa letërsia, arti i madh, ka ëndrrën e vet që të sfidojë diktaturën, ta copëtojë nga brenda, ta shkatërrojë po të ketë mundësi dhe asnjëra palë nuk ia arrin, por në mes janë një oqean lexuesish, pjesa më e ndritur e njerëzimit, që, pa qenë fort e ndërgjegjshme, e mban gjallë dashurinë për artin e madh.

E shihni veten një lojtar shahu përballë diktaturës?

Arti i madh ka ligjet e veta të brendshme, që ne shkrimtarët jemi të detyruar që t’i respektojmë.

Nuk e di me saktësi se çfarë ndjeva, por një ndjesi kontradiktore, sigurisht, gëzim dhe hidhërim, ekzaltim dhe trishtim, për një jetë të kaluar nën trysni të vazhdueshme, në mungesë lirie, por një mungesë lirie që më ndihmoi të krijoja art. Një lumturi e problematikes. Megjithatë, shkrimtari, kur krijon diçka, në liri apo robëri, është e shenjtë për të, ndaj edhe unë nuk kam ndonjë obsesion për veprën që kam krijuar në liri dhe ka qenë i  urryer nga regjimi i kohës. E quaj të arsyeshme dhe e quaj veten me fat që e kam kaluar për këtë fazë.

Ju kujtoni një grua që qante në Moskë për vdekjen e Stalinit, ndërsa kur vdiq Enver Hoxha, këtu pati radhë të gjata njerëzish që shkonin t’i bënin homazhe. Si e kujtoni këtë qarje kolektive për diktatorin?

Nuk besoj se ka pasur ndonjë qarje kolektive për Enver Hoxhën, mund të shpikin dëshmi të dyshimta për këtë gjë. Ka pasur edhe klithma të lumtura jopublike për këtë lajm, që quhej një lajm i zi për diktaturën. Dhe një lajm i zi për diktaturën nuk mund të ishte një lajm i zi për njerëzit. Diktatura ka ligjet e zhvillimit dhe të dobësimit të saj, të zbehjes, vdekjes dhe këto ligje shpjegojnë të gjitha fazat e ndryshme se si gjallon kjo bishë e egër e njerëzimit.

Deri te lufta për pasardhësin?

Po. Deri te lufta për pasardhësin.

Në libër, ju tregoni edhe disa histori dashurie; ishte këmbëngulja e Aldës, dëshira juaj për të rrëfyer?

Ishin të gjitha dhe asnjëra saktësisht..

Por ka disa histori, të cilat ju nuk doni t’i tregoni deri në fund, si te “Vajza e Agamemnonit”…

Në letërsinë tonë ka një traditë, një prudencë, një heshtje apo gjysmëheshtje mbi jetën intime të jetës së shkrimtarëve. Shkrimtari do, s’do, e respekton këtë gjë. Ka arsye të ndryshme, por zakonisht ai është i lumtur që të vërtetat e mëdha të artit nuk zbërthehen dhe shpjegohen lehtë.

Ju keni qenë gjithnjë koherent në qëndrimin tuaj ndaj Turqisë, osmanizmit, neoosmanizmit. Mendoni se ka ende arsye për t’u “trembur” nga një lloj ekspansioni “modern” i Turqisë në Ballkan?

Përpjekja e Shqipërisë për të qenë pjesë e Europës është një përpjekje që e nderon kombin shqiptar. Ai ka zgjedhur pjesën më të përparuar të historisë njerëzore, të ndërgjegjes njerëzore dhe natyrisht ka për detyrë të mbrojë këtë prirje. Ne shpesh jemi akuzuar si popull që nuk i pëlqen përparimi, drita e kulturës. Koha do ta tregojë se kjo s’ka qenë kurrë e vërtetë. Fakti që letërsia shqipe është shumë me rrënjë latine në strukturën e saj të brendshme, arkitekturë të brendshme, ku ka bërë pjesë Shqipëria si vend dhe si komb dhe që fatkeqësisht nuk pranohet nga kombet e tjera, për të përligjur terrorin që i është bërë këtij vendi, si një komb që nuk meriton të nderohet si komb i zgjedhur i njerëzimit. Po a ka kombe të zgjedhura? Po, për letërsinë ka kombe të zgjedhura.

A është e vështirë të menaxhohet liria?

Po, liria është shumë e vështirë të menaxhohet. Është po kaq bezdisëse sa edhe liria dhe e vë në provë shkrimtarin. Shkrimtarët e mëdhenj nuk abuzojnë asnjëherë me lirinë e tyre, ndryshe nga shkrimtarët e vegjël apo konformistë që bien pre e robërisë dhe i përulen asaj.

A ka qenë e vështirë të krijoje nën diktaturë?

Është e natyrshme. Arti i madh e gjen rrugën e vet dhe shkrimtari i madh e ndjen kur kryen një mision. Kjo është lumturia më e madhe e jetës së tij.

A keni një mesazh për popullin shqiptar në prag zgjedhjesh?

Unë do të doja që shqiptarët ta respektojnë kombin shqiptar e të mos vuajnë nga komplekset që është një komb çapaçulësh. Krijimi i një letërsie të madhe është dëshmi e kësaj. Shqiptarët, po të duan ta respektojnë veten e tyre, ndërgjegjen e tyre, tokën e tyre, kombin e tyre, të respektojnë të gjitha ato shenja që ky komb ka qenë i aftë, përpara botës.

Ashtu si çdo vepër e juaja, edhe kjo e fundit ka ngjallur debat, si i keni pritur?

I pres me gjakftohtësi dhe një shkrimtar serioz nuk i merr me seriozitet shqetësimet që krijojnë debatet. Debatet mund të jenë si për mirë, si për keq, mund të jenë ekzaltime për veprën, pa vend, mund të jenë kritika pa vend. Në të dyja rastet janë të dëmshme. Një shkrimtar serioz është i aftë t’i ndiejë këto, të mos i besojë apo t’u besojë. Unë kam qenë gjatë jetës sime në një provë të madhe, të pafundme. Vështirësitë e botimit në Shqipëri i kam pasur që nga mosha 15-vjeçare deri sa ra komunizmi dhe kam besuar në shenjtërinë e artit, që arti i madh nuk gabon, nuk të lë në baltë, nuk të tradhton dhe si këmbim t’i nuk duhet ta tradhtosh. Nëse nuk arrin dot ta bësh këtë, atëherë vë në pikëpyetje veprën tënde, ndërgjegjen tënde. Këto janë të rregullueshme dhe të parregullueshme. Enigmën e këtij rregullatori nuk e di njeri. Koha është rregullatori më i mirë.

Mendoni se letërsia është një domen i burrave?

Jo, aspak. Përkundrazi, besoj se është një domen i përbashkët burrë e grua.

Postime të ngjashme

Polifonia që tërheq turistë/ Gjirokastër, në verë priten më shumë festivale

S.B.

Regjisori Pirro Milkani flet për njohjen 50-vjeçare me aktorin Radoja: Si e mora në filmin e parë

S.B.

Grupi i 21 aktorëve bojkoton e kërkon anulim të konkursit të “Dodonës”

S.B.

Filmi “Zgjoi” arrin marrëveshje me distributorë të mëdhenj botëror

S.B.

Meta: Lavdi dhe mirënjohje ndaj Dëshmorëve të Atdheut

S.B.

Visar Zhiti, poeti disident dhe vargjet tronditëse për të ringjallur të birin! Kalvari i jetës së shkrimtarit, nga burgu te tragjedia e Atjonit

S.B.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...