Shqipëria me përmbysje spektakolare ndaj Ukrainës merr tri pikët e para në Ligën e Kombeve

nga D V

Shqipëria ka arritur që me përmbysje të rezultatit ta mposhtë Ukrainën me shifrat 2-1 në duelin që u zhvillua në Çeki në kuadër të edicionit të ri të Ligës së Kombeve.

Rasti i parë për gol në këtë sfidë i takoi pikërisht Shqipërisë të cilët në minutën e nëntë iu afruan golit me anë të Qazim Laçit.

Një tjetër mundësi të mirë shënimi e pati edhe sulmuesi Rey Manaj i cili në minutën e 28-të gjuajti jashtë portës.

Në skenë për Shqipërinë doli sërish Qazim Laçi i cili një harkim fantastik të Nedim Bajramit në minutën e 31-të nuk arriti që ta finalizojë me gol.

Teksa po i afroheshim fundit të pjesës së parë, Shqipëria po shtonte përpjekjet për gol duke rrezikuar në dy raste me anë të Kristjan Asllanit dhe Qazim Laçit i cili sot po duket i disponuar për lojë.

Asllani në minutën e 37-të pati një gjuajtje të rrezikshme brenda zonës por portieri Trubin ia mohoi golin, ndërsa Laçi me stil u mundua që ta tund rrjetën por fatkeqësisht topi shkoi jashtë portës.

Spektakli ishte i tëri i garantuar për pjesën e dytë pasi që të gjithë golat në këtë takim u shënuan në fraksionin e dytë të ndeshjes.

Fillimisht ishin ukrainasit ata që kaluan në avantazh të parët me anë të Yukhym Konoplias i cili në minutën e 49-të shënoi për 1-0.

I menjëhershëm ishte reagimi i Shqipërisë të cilët arritën të barazojnë shifrat përmes Ardian Ismajlit që shënoi për 1-1 në minutën e 54-të.

 

Kuqezinjtë nuk u ndalën më kaq dhe gjetën edhe golin e dytë që në fund doli të ishte i fitores, përmes Jasir Asanit i cili në minutën e 66-të u gjend mirë në zonë duke shfrytëzuar një top të mirë nga Rey Manaj për rezultatin 2-1.

Deri në fund të besuarit e Sylvinhos e menaxhuan mirë epërsinë e krijuar dhe kështu morën tri pikët e para në Ligën e Kombeve, para duelit të radhës që do të luhet të martën ndaj Gjeorgjisë në ‘Air Albania’.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More