Shkup, 11 gusht – Në pak orë, në të njëtjën ditë, dy qytete shqiptare në dy shtete të ndryshme Tetova dhe Gjilani u tronditën nga ngjarje të përgjakshme që lanë pas viktima, dhimbje dhe pasiguri. Në Tetovë, një përleshje me armë zjarri i mori jetën një personi dhe la një vajzë në gjendje të rëndë shëndetësore. Në Gjilan, një vrasje e trefishtë u shënua si një nga aktet më të rënda kriminale të viteve të fundit, me një të arrestuar në vendngjarje dhe tre të dyshuar në arrati. Nuk mjafton të dënojmë dhunën vetëm kur ndodh tragjedia. Duhet parandalim, edukim dhe krijimi i një kulture të re ku respekti për jetën të jetë mbi çdo gjë. Është koha të themi “mjaft më me zjarr” dhe të nisim ndërtimin e një të ardhmeje të shëndetshme për brezat që vijnë, shkruan Zhurnal.
Në të njëjtën ditë dy qytete shqiptare u mbuluan nga hija e zezë –
Tetova dhe Gjilani dje u zgjuan me zëra krismash dhe ulërima dhimbjeje. Në Tetovë, një përleshje me armë i mori jetën një personi dhe la një vajzë të re të luftojë për jetën. Në Gjilan, një vrasje e trefishtë i shokoi të gjithë, me një të arrestuar dhe tre të dyshuar në arrati.
Këto nuk janë thjesht lajme të zeza që do t’i harrojmë pas disa ditësh. Janë plagë të thella që po gërryejnë zemrën e kombit tonë. Po bëhemi dëshmitarë të një realiteti ku gjaku i shqiptarëve po derdhet nga dora e shqiptarëve, ndërsa fëmijët tanë mësojnë se “hakmarrja” është më e shpejtë se drejtësia.
Sa herë që një konflikt përfundon me armë, dëgjojmë justifikime të vjetra “e kishte hak”, “ishte për nderin”, “ishte larje hesapesh”. Këto janë arsyetime të kalbura që vetëm ushqejnë një kulturë të sëmurë ku plumbi është argumenti i fundit. Në shekullin XXI, popujt emancipohen me dije, teknologji dhe solidaritet jo me kallashnikovë dhe këngë lufte për hakmarrje.
Shqiptarët duhet të ndërtojnë të ardhmen, jo varret e njëri-tjetrit –
Nëse duam të na respektojnë fqinjët, të na dëgjojnë partnerët ndërkombëtarë dhe të kemi një vend në Evropën e zhvilluar, nuk mund të jemi kronikë e zezë çdo javë. Shqiptarët kudo në Ballkan duhet të tregojnë se dinë të zgjidhin konfliktet me dialog, me gjykata dhe ligj, jo me armë e gjak.
Parandalimi fillon në shtëpi, ku fëmijët duhet të rriten me shembuj dashurie dhe respekti, jo me tregime për “trimëri” të përgjakshme. Mediat duhet të flasin më pak për emrat e të dyshuarve dhe më shumë për pasojat e dhunës. Policia dhe drejtësia duhet të jenë të shpejta, të drejta dhe të pamëshirshme ndaj krimit.
Koha për të thënë “mjaft më me zjarr” është sot, jo nesër. Çdo plumb i shkrepur ndaj një shqiptari është plumb në zemrën e kombit. Nëse vazhdojmë kështu, do të lëmë pas një trashëgimi varresh dhe jo një të ardhme të shëndetshme.
Ne mund dhe duhet të jemi shembull pozitiv në rajon një popull i emancipuar, që di të jetojë me nder e dinjitet pa i marrë jetën askujt. Përndryshe, historia do të na kujtojë jo për trimërinë, por për marrëzinë tonë. Prandaj, nuk duhet të lejojmë që rastet e tilla të izoluara të ndikojnë në krijimin e një pasqyre të përgjithsuar për një komb të tërë.
Shqiptarët janë besnik, janë popull i fjalës, mikpritës e dashamirë, mirënjohës e punëtorë, të vazhdojmë të identifikohemi përmes këtyre vyrtyeve e sa më larg veseve më negative të shoqrëisë që askujt nuk i shërbejnë. Edukim dhe vetëm edukim, përmes arsimimit arrijmë aty ku e kemi vendin, të integruar dhe faktor zhvillimi të vendeve tona ku jetojmë por edhe të rajonit. /Zhurnal.mk
