Agjencia Zhurnal.mk.

Shqiptarët e Shkupit, kriminelë ose vendimtarë nga dita e hënë?

Shkruan: Valon Salihu – Kolumnë për Agjencinë e lajmeve Zhurnal

Ka disa ditë që po mundohem t’i kuptoj disa gjëra që po ndodhin në elektoratin shqiptar të Shkupit në zgjedhjet lokale të vitit 2021. Është një analizë që sipas meje do një studim të më të thellë sepse ndoshta edhe objektivizmi im nuk po më lejon që të shoh gjërat ashtu siç duhet. Sidoqoftë dua të shpreh këndvështrimin tim në lidhje me këtë gjë. Ajo që më së tepërmi dua të kuptoj është motivi i mijëra shqiptarëve që nuk votuan Petre Shilegovin dhe votën e tyre vendosën t’ia japin Danela Arsovskës ose më saktësisht kandidates së mbështetur nga një VMRO e pareformuar dhe ende me shumë urrejtje dhe nacionalizëm ndaj shqiptarëve.

Me qëllim që të arrij deri te përgjigjja e kësaj dileme, u mundova të bisedoj me qytetarë të shumtë shkupjanë, disa prej të cilëve të njohur si mbështetës të denjë të politikave të qytetit gjatë këtyre katër viteve, disa kritikues të zëshëm të po të njëjtave politika si dhe disa neutralë. Nga përshtypja e përgjithshme që mora nga këto bisedime arrita të vij në përfundimin se vota e shqiptarëve kundër politikave progresive ndaj komunave me shumicë shqiptare në Shkup, si dhe mllefi i votuesve anti-Petre Shilegov, kishte shumë pak ose nuk kishte fare të bëjë me Shilegovin ose me punën e tij.

Nga erdhi i tërë ky mllef?

Një nga përgjigjet dominuese që mora gjatë këtyre bisedimeve ishte zhgënjimi i qytetarëve ndaj politikës udhëheqëse qeveritare dhe dëshpërimi i tyre ndaj kryeministrit të tanishëm në relacion me premtimet e dhëna gjatë kohës së rrëzimit të regjimit. Përgjigje tjetër e shpeshtë që më ra në sy ishte edhe disponimi anti-BDI, dhe fakti se këta qytetarë ishin të bindur se po ta humbasë Petre Shilegov Shkupin, do jetë humbje edhe për BDI-në dhe atë në suaza përtej politikave lokale, dhe përgjigjja e tretë dominuese që mora ishte edhe dëshpërimi i qytetarëve ndaj kryetarëve përkatës të komunave në të cilat ata jetojnë. Është interesant fakti se asnjë nga këto probleme nuk ka të bëjë në mënyrë të drejtpërdrejtë me Petre Shilegovin dhe përkushtimin e tij ndaj Shkupit dhe shkupjanëve gjatë këtyre katër viteve. Asnjëra nga këto nuk ka të bëjë me atë se a ka bërë ky kryetar infrastrukturë rrugore më të mirë, a ka plan strategjik për transportin publik në të ardhmen, a ka punuar mirë në çështjen e ndotjes së ajrit, a janë përmirësuar problemet ndëretnike dhe a kanë shkollat kushte më të mira se para katër viteve.

A duhet përshtypja e keqe dhe mllefi nga politikat më të larta të shndërrohet në një mllef kundër kandidatit për kryetar të Shkupit? A duhet mllefi i qytetarit ndaj ndonjë partie të përdoret si arsye për të dënuar kandidatin për kryetar të Shkupit pa analizuar punën e tij? A është arsye e mjaftueshme që nëse dështon kryetari i ndonjë komune, pa mëdyshje ai dështim t’i hidhet edhe kandidatit për kryetar të qytetit?

Personalisht mendoj që jo. Gara për zgjedhje lokale duhet të jetë garë e cila duhet të trajtojë ekskluzivisht vetëm tema lokale dhe halle të përditshme të qytetarëve në lidhje me problemet komunale. Duke u bazuar në këtë fakt nuk po mund ta kuptoj pamundësinë që këta qytetarë të shfrytëzojnë shansin që lagjet dhe komunat e tyre të ecin përpara. Sa për rikujtim, pas neglizhencës shumëvjeçare dhe anashkalimit total të komunave shqiptare nga autoritetet dhe institucionet përkatëse, më në fund kemi një kryetar, veprat e të cilit po lënë gjurmë në lagjet si Çairi, Buteli, Shuto Orizare, Saraji etj. Gjatë katër viteve të fundit në këto komuna janë bërë tre bulevarde tërësisht të reja, janë bërë korsi biçikletash që më herët mund t’i shihnim vetëm në ëndërr, është shtuar gjelbërimi por edhe pastërtia, është bërë rikonstruksioni i pothuajse të gjitha rrugëve të këtyre lagjeve, në ndërtim e sipër është bulevardi i ri “Hasan Prishtina”, u pastruan deponi të cilat nuk ishin prekur me dekada dhe u rregulluan tërësisht shkollat e mesme, si nga pjesa e jashtme ashtu edhe nga ajo e brendshme. Shtrohet pyetja a mjafton e tërë kjo punë dhe a mund të bëhej edhe më tepër? Gjithsesi se nuk mjafton. Këto komuna kanë nevojë për ndryshime thelbësore dhe rregullim të problemeve të cilat janë krijuar me vite. Ajo që duhet përshëndetur është progresi dhe paralajmërimi për një të ardhme edhe më të mirë, i bazuar në projektet dhe investimet e filluara por edhe në projektet e paralajmëruara, si zgjerimi rrugës “Cvetan Dimov”, hapja e një korridori nga “Xhon Kenedi”, nëpërmjet Topanës, deri te rruga e plastikave, tunelet nën Kalanë e Shkupit dhe transport modern publik që kalon nëpër Çair e Butel.

Vetëm një ditë pas raundit të parë

Vetëm një ditë pas triumfalizmit të VMRO-së nga rezultatet e raundit të parë, nëpër ekranet televizive u shfaqën fytyrat më anti-shqiptare që ky vend mund të ketë, fytyra të cilat pa kokë turpi votat shqiptare i quajtën vota “kriminele”. Vetëm disa ditë pas triumfalizmit të raundit të parë, kandidatja e mbështetur nga VMRO-ja në profilin e saj filloi të nxjerrë foto me njerëz që në qeverinë e kaluar zëshëm punonin kundër dygjuhësisë madje edhe kundër principeve të Marrëveshjes së Ohrit. Shumë pak kohë iu desh kandidates në fjalë t’i përbuzë të gjithë ata shqiptarë që e mbështetën raundin e parë dhe të promovojë fytyra që kanë problem me shqiptarët si bashkëqytetarë në këtë shtet. Për mega-parkun të cilin e premtoi në Çair, vetëm disa ditë pas raundit të parë zonja Arsovska ndërroi mendje dhe tha se do e bënte në Karposh. Nëse maska e kësaj kandidateje mund të bjerë vetëm disa ditë pas një fitore ende jo të plotë, paramendoni se si do të sillet po i njëjti person pasi të marrë timonin e qytetit në duart e veta për katër vitet e ardhshme.

Politika dhe mendimi destruktiv asnjëherë nuk rezulton me sukses për asnjërën palë. Besoj se në raundin e dytë të zgjedhjeve, edhe këta mijëra qytetarë që nuk votuan Petre Shilegovin, do t’i bashkohen vullnetit të shumicës së votuesve të këtyre komunave, shumicë kjo që zgjodhi të votojë progresin në vend të regresit. Shkupi nuk është as i politikanëve e as i partive politike. Shkupi është i banorëve të Shkupit dhe banorët e Shkupit kësaj radhe do të shpëtojnë Shkupin nga fryma e përçarjeve, nga fryma e urrejtjes dhe politikës ndarëse dhe investimeve selektive. Besoj se në raundin e dytë qytetarët do të vulosin mbështetjen për punën e bërë gjatë këtyre katër viteve. Besoj se do të zgjedhim të debatojmë sa më shumë për cilësinë e korsive për biçikleta, për mundësinë e zgjerimit të trotuareve për këmbësorë, për zhvillimin e sportit dhe kulturës e jo për rrahje nëpër autobusë e diskriminime nëpër shkolla. Besoj se shqiptarët e Shkupit do të dinë të zgjedhin më të mirën.

Related posts

Gjykata Kushtetuese ndërpret procedurën për kushtetutshmërinë e rritjes së pensioneve

Xh M

Avramovska Madiq për Klan Debat: Pa përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, nuk ka integrim europian e as përparim në vend

Xh M

Fushata zhvendoset në mediat onljan, të rinjtë më aktiv në rrjetet sociale!

I.A

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy