Agjencia Zhurnal.mk

Shqiptari si çështje morale dhe politike

Latif Mustafa

Shqiptari, shqiptarizmi dhe shqiptarësia janë tre nocione me konotacione të ndryshme, përmbajte semantike dhe shënjime ideologjike të cilat në vete janë dinamike dhe kryesisht nuancohen nga koniunktura politike; e për të cilat, të paktën në qarqet intelektuale dhe politike në Maqedoni, nuk kemi dëgjuar një debat të denjë. Këto nocione dhe derivime të tjera nga rrënja e njëjtë “Shqip” shpesh krijojnë konfuzion, por që në përdorimin e tyre nga subjekte të ndryshme nxjerrim disa përfundime interesante psikanalitike.

Ideja për “kryeministër shqiptar” e proklamuar nga BDI, më tepër se një çështje politike, rrëfen një përmbajtje të shtypur impulsive të një mendësie politike e cila, shqiptarin/shqiptarizmin/shqiptarsinë e konsideron si çështje të lartë morale dhe strehimi nën këtë ideal, i krijon atyre idenë surrogate të të “mirit” dhe të “denjit”. Deri më tani, me aq sa është proklamuar, ideja për “kryeministër shqiptar” është një përpjekje për të shpëtuar dinjitetin politik të BDI-së dhe krijimin e simbolikës triumfuese së të një humbësi potencial politik. Le të humbim, por të dinjitetshëm. Opozita të ketë një çmim të paktën, çmim moral.

Për më tepër, kjo nxjerr edhe një element tjetër impulsiv. “Shqiptarizimi” i diskursit politik të BDI-së, ka qenë dhe është pasojë e fuqizimit të opozitës shqiptare, që tani përbëhet nga Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, e që, qoftë edhe në mënyrë të zbehtë dhe jo guximshëm të artikuleshme, mbajnë kartën e “shqiptarit”. Për dallim, gjersa BDI shqiptarizmin e ka anti-refleks strategjik dhe shantazhues, ASH dhe AA akoma përpiqen që shqiptarin ta mbajnë si parim të një mobiliteti social dhe me një semantikë më tepër kulturore se sa politike. Por, asnjëra nga partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut, shqiptarizmin nuk e konsideron projekt politik, modus operandi e që rrënjët e saj ideologjike shtrihen tek rilindja kombëtare nën projektin politik katër vilajete një shtet.

Megjithatë BDI bëri një hap politik, sa ne të tjerët, të merremi me atë se çfarë ofron kjo parti, prapavijë etike për të bërë këso propozime të fuqishme si dhe historikun kaq të gjatë të një partie në pushtet, ku sot anëtarë të saj vetëm se janë gjykuar për manipulim zgjedhjesh dhe keqpërdorime të tjera në procesin zgjedhor. Sado që betejën për kryeministër shqiptar, BDI përpiqet ta luajë në terrenin Maqedonas, synimi i saj është terreni shqiptar dhe të sfiduarit që i bën oponentëve të saj politik.

Në këtë sens, opozita shqiptare duhet të jetë e qartë në përgjigjen ndaj sfidës së BDI-së, e cila mund të përfundoj me një “tryezë Prishtine”, për të treguar qëndrimin e saj politik se si e konceptojnë ato shqiptarin: Si kartë instrumentalizuese politike; parim i mobiliteti social, një etikë të lartë ekzistence apo një koncept thellësisht politik me përmbajtje gjithëpërfshirëse historike, trajektore kjo e cila duhet të shtyhet drejt realizimit përfundimtar historik? Akoma më tepër, nëse opozita e konsideron shqiptarin si shënjim të padrejtësisë etnike në këtë shtet, atëherë ajo, për ta sfiduar idenë e “kryeministrit shqiptar” dhe çlirimin e elementit etnik të menaxherit të shtetit, atëherë të kërkojnë një ministër të brendshëm dhe një ministër të drejtësisë për të vënë në rend, thelbin e një shteti, drejtësinë.

Shteti është organizëm juridik dhe mirëfunksionimi i tij varet nga raportet në mes tre pushteteve dhe funksionimin e drejtë të sistemit të drejtësisë. Etnicizimi, shqiptarizimi i ofertës politike për një kryeministër shqiptar, në një shtet ku tashmë gjithçka është në prag të kolapsit, është përdhosje e historisë, shenjtërisë dhe përmbajtjes politike të këtij shënjimi. Shqiptarizmi si modus operandi, mendsi dhe projekt politik është i rëndë, ka kosto të lartë, kërkon mençuri dhe maturi dhe mbi të gjitha ka reperkusione të larta rajonale. Andaj, demanti më i mirë politik, pa histerizma dhe moralizma, ndaj kësaj oferte të BDI-së, për një “ministër të dinjitetshëm drejtësie” i cili ka një plan të fuqishëm dhe të realizueshëm për vetingun e gjyqësorit dhe sjelljen e sigurisë në vend. Se sa do të jetë e moralshme dhe e dinjitetshme humbja dhe zhvendosja e BDI-së në opozitë – normalisht po flasim në kushte hipotetike – këtë do ta dëshmojë pikërisht dinjiteti dhe veprimtaria e këtij ministri të drejtësisë.

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

XH.I

Lajmet e fundit

Loading...
error: Content is protected !!