Shtëpia 150-vjeçare osmane në Shkup në përpjekje për të mbijetuar, kërkohet restaurimi i saj

Shtëpia, e cila besohet të jetë ndërtuar në vitet 1870 ose 1880 në rajonin Gazi Baba në Shkup, ndodhet pranë Teqesë Rufai në këtë zonë.

Shtëpia, e cila u dëmtua nga tërmeti me magnitudë 6,1 ballë që ndodhi në Shkup në vitin 1963 dhe shkaktoi vdekjen e më shumë se një mijë njerëzve, ka arritur të qëndrojë deri në ditët e sotme pavarësisht kësaj fatkeqësie.

Dyshemeja, tavani, dyert, dritaret dhe shkallët e shtëpisë janë prej druri dhe muret janë zbukuruar me motive lulesh.

Kjo shtëpi historike osmane, e cila gjithashtu ka një ballkon në mes të katit të dytë, është në një gjendje të papërdorshme për shkak të neglizhencës.

Pronarët i bëjnë thirrje Turqisë për restaurimin e shtëpisë në fjalë.

Yahya Kemal Beyatlı mori mësime në këtë shtëpi

Thuhet se në këtë shtëpi jetonte Shejh Sadeddin Sırri Efendi, i cili shërbeu në Teqenë Rufai në atë kohë, jetonte në këtë shtëpi, ndërsa po ashtu transmetohet se poeti Yahya Kemal Beyatlı nga Shkupi mori mësime nga Shejh Sadeddin Sırri Efendi në këtë shtëpi kur filloi të interesohej për poezinë.

Shtëpia në fjalë ka dy kate dhe kishte dhoma në pjesën e djathtë dhe të majtë në kohën kur u ndërtua, ndërsa më pas ana e djathtë e shtëpisë u shit për arsye të ndryshme dhe në vend të saj u ngrit një ndërtim i ri.

Në një deklaratë për Anadolu Agency (AA), një nga pronarët e shtëpisë, Adil Süleyman, kujtoi se disa ndërtime po kryhen sot para shtëpisë historike.

“Kjo pjesë (anësh shtëpisë) është bosh. Kjo shtëpi ishte e lidhur plotësisht me teqenë. Sipas disa tregimeve, poeti i famshëm i Shkupit Yahya Kemal Beyatlı mësoi prej këtu kur ishte 4-5 vjeç”, thotë Süleyman.

Duke deklaruar se gjyshi i tij e bleu këtë shtëpi nga njerëz të tjerë në vitin 1935, Süleyman tha se ai nuk ka asnjë informacion cila është arkitektura në të cilën është ndërtuar shtëpia.

Ai tha se shtëpia i mbijetoi tërmetit të vitit 1963, duke shtuar se një pjesë e saj iu shit disa individëve nga vëllai i gjyshit të tij që emigroi në Turqi në vitin 1956.

Süleyman nënvizoi se ata duan t’i dërgojnë një mesazh Turqisë për sa i përket restaurimit të shtëpisë.

“Nuk kemi mjete për ta restauruar atë. Autoriteti i monumenteve të Maqedonisë së Veriut nuk ka mundësi ta bëjë restaurimin, nuk kanë mundësi. Ka mbetur kështu deri më tani”, tha ai.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, gjermanët e bënë shtëpinë seli të tyre

Pronari tjetër i shtëpisë, Ismail Süleyman, ndau informacionin se shtëpia në fjalë ishte blerë nga gjyshi i tij (babai i nënës së tij) për dy qypa ari.

“Ka shumë kujtime në këtë shtëpi”, tha Süleyman, duke theksuar se ai është përpjekur të riparonte disa nga dëmtimet në shtëpi me mjetet e tij.

Ai tha se kjo shtëpi u përdor gjithashtu si stacion policie nga gjermanët pasi hynë në këto troje gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“Kur gjermanët erdhën në vitin 1941, ata morën tokën e gjyshit tim. Gjermanët e bënë këtë selinë e tyre. Kjo është ajo që kam dëgjuar nga nëna ime. Gjyshi im nuk më ka treguar shumë”, tha Süleyman.

Duke ndarë një kujtim të nënës së tij për tërmetin që ndodhi në Shkup në vitin 1963, Süleyman shprehet: “Sipas asaj që thoshte nëna ime, unë isha duke fjetur në këtë dhomë me nënën time. Ndodh tërmeti dhe gjyshi shkon lart. Më merr në njërën dorë dhe nënën në dorën tjetër dhe na zbret poshtë. Nuk mbaj mend sepse isha dy vjeç. Shtëpia nuk u shkatërrua nga tërmeti, por kishte çarje”.

Duke i bërë thirrje Turqisë dhe veçanërisht TIKA-s që shtëpia të restaurohet, Süleyman tha: “Nëse e riparojnë, mund ta përdorin atë si muze. Unë jap leje. Mjafton që shtëpia të mos fundoset”.

Related posts

Drama “Të mallkuarit”, premiera e parë e Teatrit të Tetovës për vitin 2021

Z H

Libri “Këngët e çamëve” dhe një homazh për albanologun Wilfried Fiedler

D V

Jeronim De Rada dhe problemi pellazgjik

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More