Agjencia Zhurnal.mk
Maqedoni

Shtyrja e regjistrimit arrinë në Kuvend, Zaev pret mbështetje nga të gjitha partitë

Shkup, 31 mars – Zhurnal.mk – Qeveria në seancën e djeshme e konfirmoi tekstin e propozim-ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Regjistrimin e Popullsisë, Amvisërive dhe Banesave në vitin 2021, me të cilin bëhet ndryshimi i datave për zbatimin e këtij operacioni statistikor. Dje, Kryeministri Zoran Zaev shprehu shpresë se të gjitha partitë politike do t’i mbështesin ndryshimet e Ligjit, megjithëse Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa paralajmëruan bllokadën e tyre, duke theksuar se nuk e mbështesin shtyrjen e regjistrimit.

Siç njoftoi shërbimi për informim i Qeverisë, në Kuvend do të dorëzohet Propozim-ligj me ndryshimet dhe plotësimet e bëra me të cilat shtyhet regjistrimi për në shtator të vitit 2021 dhe se procesi i vetëregjistrimit të qytetarëve nga diaspora vazhdohet deri në fund të mbajtjes së regjistrimit në shtator.

Vendimi për shtyrjen e regjistrimit u mor në takimin pa dy ditëve midis kryeministrit Zoran Zaev dhe liderit të opozitës VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, të cilët u dakorduan që regjistrimi në terren, i cili duhet të fillonte nesër, të shtyhej dhe të zhvillohej nga 5 shtatori deri më 30 këtë vit, në mënyrë që të krijohet një mundësi për imunizimin e popullsisë dhe regjistruesve. Në mënyrë që të jetë në gjendje të zbatohet kjo shtyre, është i nevojshëm ndryshim në Ligjin ekzistues për regjistrimin në vitin 2021.

Ministri i Drejtësisë Bojan Mariçiq dje deklaroi se ndryshimet në Ligjin për Regjistrim janë të vogla dhe zbresin në dy pyetje – se data e regjistrimit në vend të 1 deri më 21 prill do të jetë nga 5 në 30 shtator dhe se diaspora mund të vazhdojë të regjistrohet deri më 30 shtator, kur pjesa në terren e regjistrimit duhet të përfundojë.

Ai paralajmëroi se do të propozojë Qeveria t’i dërgojë ndryshimet e Ligjit në Kuvend “me flamur Evropian” dhe në procedurë të shkurtuar, siç u propozua kryesisht, me ç’ka nuk pret mundësi për bllokada.

Sidoqoftë, koalicioni Aleanca për shqiptarët dhe Alternativa kumtoi se janë kundër shtyrjes së regjistrimit. Liderët e të dy partive opozitare, Ziadin Sela dhe Afrim Gashi, në konferencë për shtyp në Kuvend theksuan se nuk e pranojnë shtyrjen e regjistrimit në terren, që duhej të fillonte më 1 prill, për më 5 shtator. Paralajmëruan se 12 deputetët e tyre do të votojnë kundër ndryshimit të Ligjit për regjistrim.

“Do t’I shfrytëzojmë të gjitha mjetet dhe gjithçka që është në fuqinë tone që ky proces të vazhdojë. Kjo formë e shtyrjes së regjistrimit, siç vepruan Zaev dhe Mickoski, për ne është e papranueshme. Regjistrimi nuk duhet të politizohet, por përfundimisht të dimë se sa jemi dhe të sillen vendime në bazë të asaj”, deklaroi Gashi.

Sela, nga ana e tija, theksoi se ky koalicion ka mekanizma të parandalojë ndryshim apo shtyrje të Ligjit për regjistrim përmes Shumicës së Badenterit.

Kryeministri Zaev dje në konferencë për shtyp deklaroi se beson se të gjitha partitë do të veprojnë me përgjegjësi dhe do të gjejmë zgjidhje për të mbështetur ndryshimet në Ligjin e regjistrimit.

“Siç u propozua Ligji për regjistrimin në Kuvend, ashtu janë propozuar edhe ndryshimet, me flamur evropian. Afatet janë të qarta. Por, natyrisht, pres që ne do të gjejmë zgjidhje për të mbështetur këtë propozim nga të gjitha partitë politike”, tha Zaev, duke theksuar se nuk ka asnjë arsye për bllokadë nga Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa dhe theksoi se kur ligji u miratua, ishin këto parti ato që propozuan që regjistrimi të shtyhej për në prill apo në qershor.

Zaev shprehu shpresë se në takimin e nesërm të përfaqësuesve të partive parlamentare do të gjendet zgjidhje.

“Edhe pse takimi i nesërm është përcaktuar për Ligjin për shtetësinë dhe problemet që kanë qytetarët tanë me shtetësinë, por nëse është e nevojshme do të diskutohet edhe regjistrimi, në mënyrë që të harmonizohen përfundimisht të gjitha pozicionet”, tha Zaev.

Bashkimi Demokratik për Integrim vlerësoi se prolongimi i regjistrimit është një vendim i drejtë, i cili e ndihmon procesin dhe ofron mundësi shtesë për regjistrimin e tërë diasporës sonë.

Sipas BDI-së, kundërshtimi i Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës për shtyrjen e regjistrimit flet për mungesën e konsistencës dhe sinqeritetit të tyre ndaj qytetarëve.

Përmes disa amendamenteve të propozuara nga grupi i deputetëve të Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës kërkuan që procesi i regjistrimit të popullsisë të prolongohet për një afat të caktuar edhe atë në amendament shkruhet nga muaji mars në maj, duke e ndërlidhur të njëjtën me krizën shëndetësore të shkaktuar nga KOVID-19.

Mbështetje për shtyrje të regjistrimit dha edhe e Majta, lideri i së cilës Dimitar Apasiev vlerësoi se është mirë që është dakorduar ai të shtyhet, por theksoi se kjo shtyrje tani për tani është vetëm de fakto, por jo edhe de jure.

Lidhur me regjistrimin, u deklarua edhe zëvendës-ndihmës sekretari shtetëror amerikan, Metju Palmer, i cili vlerësoi se është e rëndësishme që vendi të organizojë regjistrim në përputhje me standardet e Eurostat dhe i bëri thirrje opozitës të mos bojkotojë dhe ta kryejë punën për të cilën e kanë zgjedhur qytetarët.

“Është e rëndësishme që opozita të paraqitet në Parlament, ta bëjë punën e saj, t’i përfaqësojë interesat e votuesve të saj, njerëzit që e zgjodhën t’i përfaqësojë interesat e tyre. Bojkotet, bllokadat, mos bërje të puns së tyre, asgjë nga këto nuk çon në përparim”, porositi Palmer në deklaratën për Zërin e Amerikës

Postime të ngjashme

Komuna e Çairit vendosi tabela të reja basketbolli në fushën e sportit në lagjen “Gazi Babë”

R Zh

Milloshoski: Bujar Osmani të raportojë për udhërrëfyesin me Bullgarinë para Komisionit për Politikë të Jashtme

R Zh

Aleanca për Shqiptarët: Nxënësve u kërkohen para për dëftesa, partia e korruptuar, BDI të ndalojë keqpërdorimet

R Zh

Në mjekim spitalor janë 105 pacientë me kovid, 37 prej tyre në Shkup

R Zh

Zaev: LSDM-ja është favorite në zgjedhjet lokale

R Zh

Vazhdojnë rregullat aktuale për hyrje në Greqi

Dafina Vidishiqi

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...