Agjencia Zhurnal.mk
Shqipëri

‘Shuplaka’ gjermane – S’ka negociata, qeveria injoroi kushtet

Nënkryetari i grupit parlamentar të CDU/CSU Johann Wadephul, është shprehur i zhgënjyer dje kur tha se ka harxhuar mjaft energji në shtatorin e 2019-ës për të bindur deputetët e Bundestagut, me qëllim që të pranonin hapjen e negociatave me Shqipërinë, mjaft që kjo të plotësonte vetëm dy kushte: Ngritjen e Gjykatës Kushtetuese dhe Reformën Zgjedhore gjithëpërfshirëse. Por megjithëse ka kaluar më shumë se një vit që atëherë, qeveria shqiptare jo vetëm që nuk ka ndërmarrë asnjë hap për plotësimin e tyre, madje në rastin e Kodit Zgjedhor injoroi hapur kërkesat e partnerëve tanë në BE duke ndërmarrë ndryshime të njëanshme. Wadephul tha se për Maqedoninë e Veriut dera është e hapur në fund të dhjetorit, por s’mund të thuhet e njëjta gjë për Shqipërinë e cila duket se do e humbasë këtë shans.

Nënkryetari i grupit parlamentar CDU/ CSU Johann David Wadephul është shprehur pesimist dje në lidhje me një hapje të mundshme të negociatave me Shqipërinë në fund të dhjetorit. Në një takim me gazetarët e huaj në Berlin, ai vuri theksin kryesisht te ndryshimi i Kushtetutës dhe ndalimit të koalicioneve në mënyrë të njëanshme raporton Dojçe Vele.

Shqipëria për të plotësuar hapjen faktike të negociatave duhej të plotësonte vetëm dy kushte, ngritjen e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese dhe reformën në mënyrë gjithëpërfshirëse të Kodit Zgjedhor, kërkesa që jo vetëm nuk u plotësuan por u injoruan hapur nga qeveria dhe mazhoranca.

Nënkryetari i CDU/CSU shprehu dhe një farë zhgënjimi, kur tha se për të bindur deputetët e Bundestagut në shtatorin 2019, ka harxhuar mjaft energji, e cila me sa duket nuk ka marrë të njëjtën përgjigje nga pala shqiptare. Të njëjtin qëndrim duket se Gjermania dhe vendet anëtare të BE-së nuk ndajnë për Maqedoninë e Veriut, për të cilin zoti Whadephl tha se nëse zgjidh problemin me Bullgarinë, atëherë dera për të është e hapur në fund të dhjetorit.

Kushtet nuk janë plotësuar

Zoti Wadephul tha së për vendimin e 26 shtatorit të vitit 2019 kur u vendos nga parlamenti gjerman për çeljen e negociatave me Shqipërinë, ka harxhuar mjaft energji për të bindur deputetët, duke shprehur kësisoj dhe zhgënjimin që nuk po arrihet në një përfundim.

“Më 26 shtator 2019 vendosëm si parlament për çeljen e negociatave me Shqipërinë. Kjo më kushtoi mua shumë energji, tha Wadephul, por ne vendosëm disa parakushte dhe nëse ato nuk plotësohen, atëherë do ta kem të vështirë t’i bind kolegët e grupit tim parlamentar që ta shoqërojnë pozitivisht procesin”.

“Është detyra e deputetëve të grupit tim parlamentar në Komisionin e Jashtëm dhe atë të BE-së që të sigurojnë që këto parakushte të merren seriozisht dhe të zbatohen plotësisht”.

Bundestagu gjerman miratoi më 26 shtator 2019 hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Çelja e konferencës së parë ndërqeveritare, që do të thotë edhe hapja faktike e negociatave, u lidh me dy kushte: funksionimi i Gjykatës Kushtetuese dhe i Gjykatës së Lartë dhe reforma e Kodit Zgjedhor, e cila duhet të ishte gjithëpërfshirëse. Veç të tjerash, aty parashikohej edhe rregullimi i sistemit të financimit partiak.

Vërejtje për Reformën Zgjedhore

Konstatimi për mosfunksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë është i dukshëm, tha Wadephul: E para ka emëruar deri tani vetëm 4 nga gjithsej 6 gjyqtarët e duhur për vendimmarrje, e dyta vetëm 3 nga 19. Për sa i përket kushtit të dytë Wadephul tha se reforma zgjedhore vërtet që u arrit në një proces përfshirës, më 5 korrik, dhe kaloi në Kuvend më 23 korrik.

“Por, një pjesë e rëndësishme e saj u shfuqizua në një proces përjashtues, konkretisht, duke futur sistemin e listave të hapura, në vend të koalicioneve zgjedhore. Kjo procedurë përjashtuese bie në kundërshtim me kërkesën e Bundestagut për një proces përfshirës, i cili u rekomandua edhe nga OSBE-ja,” – tha deputeti kristiandemokrat.

Ai tha gjithashtu se sa i përket financimit të partive, janë bërë përparime, por ndryshimet nuk kanë arritur ende standardet e kërkuara nga Evropa. Konkluzionet e Wadephul-it vijnë një ditë pasi në Tiranë ishte publikuar raporti i fondacionit Konrad Adenauer (KAS), fondacion ky i afërt me partinë, së cilës i përket Wadephul dhe kancelarja Angela Merkel.

Tri kushte të BE-së të paplotësuara

Si KAS ashtu edhe Wadephul vërejnë se veç kushteve të caktuara nga Bundestagu, Shqipëria nuk i ka plotësuar tërësisht as tri nga katër kushtet e caktuara nga Këshilli i BE-së, në mars të këtij viti. Kështu, Byroja Kombëtare e Hetuesisë deri tani ka caktuar vetëm drejtoreshën. 60 hetues të tjerë ndodhen në procesin e përzgjedhjes çka nuk pritet të mbarojë në fillim të dhjetorit, konstatohet në raportin e KAS-it.

Po ashtu, lufta kundër korrupsionit dhe larjes së parave, sipas KAS-it, ka përparime në aspektin e ndryshimit të dispozitave ligjore, por nga ana tjetër, korrupsioni dhe larja e parave kanë pësuar rritje. KAS-i u referohet kështu deklaratave të kohëve të fundit të prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë, Olsian Çela, për luftën mes bandave në Elbasan, por edhe raporteve të Transparency International, dhe disa institucioneve të tjera ndërkombëtare. Vërejtje kanë si KAS ashtu edhe Wadephul për ligjin e medias, i cili nuk i ka marrë parasysh propozimet e Komisionit të Venecias.

Marrëveshje për kuadrin negociues me pikëpyetje

I pyetur se çfarë vendimi mund të pritet në samitin e rregullt të Këshillit të BE-së më 10/11.12. 2020, i cili këtë vit zhvillohet nën kryesinë gjermane, Wadephul u tha korrespondentëve të huaj në Berlin, se “shpreson që të ketë përparime” si për Maqedoninë e Veriut ashtu edhe për Shqipërinë.

Wadephul nuk e konkretizoi se çfarë përparimesh mund të priten. Burime diplomatike nga Berlini i sqaruan DW-së, se e shumta pritet një marrëveshje për kuadrin negociues, por pa datë. Por vëzhguesit nga Berlini parashikojnë se ka pak gjasa që kjo të ndodhë, nëse nuk arrihet më parë një kompromis mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Edhe Wadephul vuri në dukje se konsensusi në vendet e BE-së për çeljen e negociatave me Maqedoninë e Veriut është shumë më i madh se sa për Shqipërinë. Për sa i përket Shqipërisë, ai tha se ka edhe vende të tjera dyshuese, si Holanda dhe vendet skandinave./MAPO

Postime të ngjashme

Rama poston videon e veçantë nga karnavalet e Korçës

Bekim Laçi

Shembja e Teatrit, nis seanca e tretë në “Kushtetuese”

Bekim Laçi

Ndërtimet e paligjshme në bregdet/ Disa të arrestuar dhe të shpallur në kërkim në Himarë

Bekim Laçi

Eksportet drejt Maqedonisë së Veriut, rritje me mbi 700 milionë lekë

Bekim Laçi

Vaksinimi, 42,781 vaksinime deri tani për arsimtarët, mbi 25 mijë me dy doza

Bekim Laçi

Një i vdekur dhe 8 raste të reja me COVID-19 në Shqipëri

Dafina Vidishiqi

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...