Agjencia Zhurnal.mk

Si do të dalë “nusja” e Avdulla Hotit?

Në pritje të 27 qershorit

 Si do të dalë “nusja” e Avdulla Hotit?

-Është një përshtypje e parë se qasja e Grenellit është si strategjitë e OJQ-ve, të cilat në një shoqëri trajtojnë ndonjë çështje që të krijojnë parakushte për ndryshimet e dhembshme në një periudhë të mëvonshme, ndryshe nga ç’presin kosovarët?

Daut Dauti

1.Të (mos) jesh Avdulla Hoti!

Nuk do të kisha dashur të jem në lëkurën e kryeministrit të ri të Kosovës. Të paktën jo tash para 27 qershorit. Sigurisht që  Avdulla Hoti ndihet si një dhëndër para dasme, të cilit ia kanë zënë nusen me mësit. Si thonë nga treva e Dërvenit të Shkupit, në pritje të “natës së parë” me “nusen”, herë i hyn, e herë i del shpirti…Çfarë do t’i dalë nusja, e bukur, perri, apo ndonjë shëmtake? E virgjër si loti, apo me barrë? Deri tash nusen s’e ka parë, por ka dëgjuar shumë fjalë për të! Ia kanë sharë edhe ata që vetë s’e kanë parë, por ia kanë lëvduar po ashtu ata që s’e kanë parë, por të cilët më së shumti i besojnë mësitit. Sepse, kur është mësiti i besueshëm, ndonjë i familjes apo farefisit që ta do të mirën, je i sigurt se ai nuk të bën nuse të keqe. Poashtu nuk mund të dalë nusja buzështrembër apo e përdalë nëse mësit është miku (dosti) i shtëpisë…Të gjithë këto parakushte e bëjnë Avdullah Hotin të jetë rehat, anise “nusen” s’e ka parë. Është çështje besimi te “mësiti”.

Kjo që nuk do të kisha dashur të jem në lëkurën e tij, megjithatë ka një nyje, në të cilën janë lidhur si ai, si presidenti, si lideri i LVV-së. Në këtë mes, vetëm Albini bën tifo t’i dalë Dullës “nusja me barrë”, që pastaj vetë Albini,të kthehet më i fortë se kurrë me atë “a ju thashë?!”. Mirëpo, deri tash koha ka punuar për Hotin, sepse gjithë dyshimet e LVV-së janë hedhur poshtë nga Uashingtoni: as ka marrëveshje të gatshme, as që është në tavolinë opsioni i ndarjes së Kosovës(ndërmjetësi special Riçard Grenel dhe disa të tjerë), e edhe mesazhi i fundit i Majk Pompeos kryeministrit kosovar se SHBA-të janë për një marrëveshje me njohje nga Serbia, i shkon në favor. Së fundmi, edhe presidenti Thaçi, të cilit në rolet e ndara “dasmore” do t’i takojë roli i kumbarës, doli faqebardhë nga të gjitha dyshimet se me Vuçiqin kanë punuar për ndarje, sepse Grenell zbuloi se ndarjen e Kosovës si ide e paska pasur Boltoni, por në krye në vete, e jo si politikë e presidentit Tramp.

Deri këtu, për mrekulli u dekonspiruan të gjitha…Me të gjitha këto elemente, sigurisht Albini duhet t’i bjerë kokës “çka bëra unë!?” që refuzoi të shkonte me presidentin Thaçi në Uashington para disa muajsh. Po të kishte shkuar, të paktën do ta kishte situatën më të qartë, sepse pas këtyre zhvillimeve ku ai është jashtë loje, nëse finalizohet siç presin stëroptimistët Avdulla Hoti dhe Hashin Thaçi, Albin Kurti do të dalë i defaktorizuar!

Do të shihet edhe efekti tjetër, ai që ndërkohë Gjykata Speciale, me dyshimet ndaj Hashim Thaçit, si do të gjendet Avdulla Hoti në Uashington vetëm, në njërën anë i liruar nga hija e presidentit, po nga ana tjetër, me barrën që e tëra i bie atij mbi supe.

2.Strategjia problematike  e Grenellit?!

Por, pika më e dobët e procesit, duket se është kontraversiteti i Riçard Grenellit dhe e panjohura e madhe e strategjisë së tij. Ajo që i ka treguar dhëmbë Merkelit kur ka qenë ambasador në Gjermani, është një episod kontraverz, që s’do të duhej të kishte lidhje fort me bisedimet kosovare-serbe. Edhe aspektet tjera biografike, të cilat disa qarqe nga LVV-ja dhe përkrahës të saj e vunë në spikamë, po ashtu s’do të duhej të ishin çështje me ndikim te procesi. (Por, kontroverset e tij me dyshimet e Albin Kurtit, arritën një efekt që mund të jetë problem për shoqërinë kosovare: rritjen e antiamerikanizmit, që ndoshta edhe nuk do të luajë rol në këtë çast kur Grenelli mëton ta përfundojë procesin dhe i ka lënë anësh ato që janë thënë për të!). Ajo që është problem dhe hap dilema dhe prandaj s’do të duhej të ndihej aq komod Avdulla Hoti, është ajo pjesa e dytë e deklaratave të Grenellit që flasin për strategjinë që do të udhëheqë ai në këto negociata.  E para është porosia e tij se nëse në Uashington palët nuk dakordohen, mund të kthehet gjendja si më parë(a do të thotë se SHBA-ja do të heqë dorë nga ndërmjetësimi?) dhe e dyta, potencimi gjithnjë e më i madh i tij se marrëveshja duhet të normalizojë bashkëpunimin ekonomik! Madje edhe këto të arriturat për normalizimin e transportit hekurudhor dhe ajror(në Kosovë pak kush di se si u bënë), janë pjesë e kësaj strategjie! Sikur ka nevojë të madhe që të udhëtohet me tren ose aeroplan gjer në Beograd sa të afirmohet si ndonjë sukses kushedi sa i madh! Skeptikët do të thonë se as që ka ndonjë lëvizje konkrete në jetësimin e tyre, duke vënë në dukje se ato tash për tash janë veç në letër. Në të vërtetë, “normalizimi i marrëdhënieve ekonomike”, u jep “të drejtë” dyshuesve të deritashëm se presionet e Grenellit për heqjen e taksës së Ramushi dhe reciprocitetin e Albinit, paskan pasur për qëllim t’i sjellin një marrëveshje për çështje ekonomike,  ndryshe nga pritjet për një marrëveshje finale politike me njohje të ndërsjellë. Çfarë përfiton Kosova nga ky normalizim, vetëm import mallrash serbe, përderisa të vetat nuk i ka për tregun serb. Kështu, skeptikët do të vijnë në përfundim se pa normalizimin e marrëdhënieve politike, që duhet të ketë njohje nga Serbia dhe garanci të Rusisë për pranim të Kosovës në OKB, gjithçka do të jetë shterpë.

Pas gjitha deklaratave, a nuk del se ndërmjetësi nuk e ka fare në agjendë atë që e tha Pompeo, pra, njohjen e Kosovës nga Serbia?

Aspekti i dytë, më problematik, është se duket se Grenelli ka zgjedhur një strategji OJQ-shë që aplikohet për shoqëritë konfliktuoze ose për rregullim marrëdhëniesh midis vendesh që kanë konteste mes vete. E strategjia e tillë ka të bëjë me një proces të gjatë e shterp të edukimit të shoqërive a komuniteteve në konflikt për të komunikuar dalëngadalë, me episode shpesh artificiale pajtimi, të cilat nuk ka nevojë shumë të sqarohen. Është ajo mendësi “edukatorësh” perëndimorë, të cilët kanë një klishe dhe ndajnë para të majme OJQ-ve për ta trasuar në mënyrë parciale(fushë për fushe, segment për segmenti, grupe-grupe interesi…), për të ardhur në fund te një relaksim spontan, që pastaj edhe çështjet më të pakapërcyeshme t’i kapërcejnë.(Ndoshta shembulli i shoqërisë konfliktuoze në Maqedoni mund të shërbejë deri diku si model…)

Mirëpo, nëse strategjia e Grenellit është që duke mbyllur kapitull për kapitulli çështjet e komunikimit  Prishtinë-Beograd, te vije deri te finalizimi , atëherë kjo është një strategji e gabuar. Pse gjithë ajo nguti ose presion që sa më parë të uleshin në Uashington palët? Vetëm për ta rregulluar çështjen e bashkëpunimit ekonomik?! Kjo madje të kujton atë marrëveshjen e famshme midis Rugovës dhe Millosheviqit ne vitin 1996 për normalizimin e procesit arsimor në Kosovë. Kjo atëherë ndoshta ka qenë një imperativ, por pas pavarësimit të kthehesh në atë strategji, duket anakronizëm. Kosovës nuk i duhet një model i Shën Eugjidios italiane që e ndërmjetësoi marrëveshjen për arsimin, por një marrëveshje e mirëfilltë politike.

Nga ky këndvështrim, pala më e joshur nga vazhdimi i bisedimeve, do të ishte ajo serbe, sepse përveç se siguron më shumë favore se Kosova nga bashkëpunimi ekonomik(ka më shumë mallra se Kosova), si dhe 10 miliardë dollarë sa spekulohet(kundrejt 7 miliardëve për Kosovën, për kokë banori gjithsesi më shumë se Serbisë) nga një plan “mini-Marshal”, siç e quajtën disa analistë, që do të jenë një impuls i madh dhe çmim i mirë për Vuçiqin për të rehatuar opinionin serb.

Ajo që kryeministrin Hoti e bën që të niset turravrap në Uashington mund të jetë shpresa e tij ose njohuritë nga komunikimi intern diplomatik, se  Grenelli nuk i ka zbuluar të gjitha hollësitë e marrëveshjes…Gjithë kosovarçve u mbetet që të shpresojnë se disa spekulime mediatike të këtyre ditëve të jenë të sakta, që ndryshe nga ato të mëhershmet, nuk përmbajnë harta dhe këmbime territoresh. Në atë rast do të “këndohej” ajo kënga “na ka dalë nusja e mirë”, që as LVV-ja nuk do të kishte zemër që ta shajë “nusen” e Avdullahit pasi t’i jetë hequr duvaku, por do t’i duartrokasë si gjithë “krushqit”.

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

T E

Lajmet e fundit

Loading...
error: Content is protected !!