Si i fitoi milionat një firmë sekrete uzbeke, e lidhur me familjen e presidentit

nga Redaksia

Një kompani e panjohur, e lidhur me familjen e presidentit të Uzbekistanit, siguroi më shumë se 100 milionë dollarë përmes kontratave të fshehta shtetërore – përfshirë këtu edhe një marrëveshje të paligjshme për furnizimin e prodhuesit më të madh të çimentos në këtë vend me gaz natyror shumë më të shtrenjtë sesa vlera në treg, zbuloi një hulumtim i Radios Evropa e Lirë.

Kontratat fitimprurëse të Qeverisë, të siguruara nga firma e fshehtë, Ultimo Group Limited, nxjerrin në pah sesi njerëz të lidhur me pushtetin – përfshirë të afërm të presidentit Shavkat Mirziyoev – dhe bashkëpunëtorë të tyre, përfitojnë nga ajo që kritikët e cilësojnë si “miqësi endemike” në nivelet më të larta të Qeverisë uzbeke.

Mirziyoev – i cili, vitin e kaluar, i urdhëroi autoritetet ta çrrënjosnin korrupsionin në sektorin e energjisë, për shkak të mungesës së gazit që nxiti zemërim popullor – u zotua se do ta rriste transparencën dhe do ta adresonte korrupsionin.

“Askush nuk ka të drejtë të punojë si në të kaluarën. Siç e dini, transparenca po kërkohet tashmë në të gjitha sferat e shoqërisë. Jotransparenca, korrupsioni dhe nepotizmi nuk do ta ndihmojnë punën [tonë]”, tha Mirziyoev në vitin 2019, duke iu referuar sundimit të paraardhësit të tij autoritar, Islam Karimov, i cili vdiq në vitin 2016.

Por, një hulumtim i Shërbimit të Uzbekistanit të Radios Evropa e Lirë zbuloi se bashkëpunëtorë të dhëndrit të Mirziyoevit janë të lidhur me Ultimo Group – një kompani praktikisht e panjohur, që iu dha një kontratë qeveritare për t’i shitur gaz natyror, në vlerë prej së paku 36 milionë dollarësh, gjigantit uzbek të çimentos, Qizilqumsement. Kjo kompani, atëkohë, ishte në pronësi të shtetit, pavarësisht se nuk kishte të dhëna biznesi.

Dokumentet e siguruara nga Shërbimi uzbek i Radios Evropa e Lirë tregojnë, gjithashtu, se Ultimo Group ka marrë më shumë se 66 milionë dollarë transfere bankare nga monopoli shtetëror i transitit të gazit, Uztransgaz, dhe se kompania ka importuar rreth 1 miliard metra kub gaz nga Turkmenistani fqinj.

Hulumtimi zbuloi se Ultimo Group është e lidhur me një rrjet ndërkufitar kompanish, që shtrihen nga Nju Jorku në Dubai e deri në Hong Kong. Ato merren me mallra luksoze dhe udhëhiqen nga bashkëpunëtorë të dhëndrit të Mirziyoevit, Otabek Umarov, njëherësh zëvendës i shefit të tij të sigurisë.

Figurë qendrore në këtë rrjet është Azizjon Kamilov, bashkëpunëtor i afërt i Umarovit, i cili shërben si udhëheqës i Federatës uzbeke të Xhudos dhe nënkryetar i Komitetit Olimpik të këtij vendi.

Umarov, i cili është i martuar me vajzën e Mirziyoevit, Shahnoza, shihet edhe si ndërmjetësues në prapaskenë i çështjeve midis elitave politike dhe ekonomike në Uzbekistan.

Pavarësisht shfaqjes së papritur dhe me fitime, Ultimo Group mbetet një kompani fantome. Ajo nuk ka ueb-faqe funksionale ose profil publik dhe është në bashkëpronësi të një pensionisteje pa përvojë të dukshme biznesore.

Radio Evropa e Lirë kërkoi komente nga Umarovi, Ultimo Group dhe agjenci të shumta qeveritare të Uzbekistanit, por asnjëra nuk u përgjigj deri në publikimin e këtij artikulli. Zyra e Mirziyoevit, gjithashtu, nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it.

Ultimo Group u inkorporua në kryeqytetin e Uzbekistanit, Tashkent, në mars të vitit 2021 dhe u regjistrua zyrtarisht në një apartament banimi.

Themelues të kompanisë ishin Dilyor Kayumov, i cili ishte anëtar i një grupi të emigrantëve uzbekë që mbështesnin presidentin, dhe Tuhfat Anvarkhujaev, babai i të cilit bënte pjesë në shërbimin e sigurimit shtetëror të Uzbekistanit.

Rreth një muaj pasi u themelua, Ultimo Group nënshkroi një kontratë prokurimi me kompaninë Qizilqumsement – 86 për qind të së cilës në atë kohë e kishte në pronësi Qeveria. Të dhëna të tjera për këtë kontratë, gazetarët nuk arritën të gjejnë.

Nga një analizë që i bëri REL-i kontratës, zbuloi se ajo përfshinte furnizime me gaz në vlerë prej së paku 36 milionë dollarësh dhe se Qizilqumsement, që atëherë ishte privatizuar, mund të ketë paguar 50 për qind më shumë se tarifa që mund ta kishte marrë nga shteti.

Se përse Qizilqumsement pagoi më shumë për blerjen e gazit nga një ndërmjetës, është e paqartë, sidomos kur merret parasysh një dekret i Qeverisë i vitit 2019, që e bëri kompaninë Uztransgaz të vetmen furnizuese të drejtpërdrejtë të konsumatorëve kryesorë me gaz natyror.

Qizilqumsement, Uztransgaz dhe Ultimo Group nuk iu përgjigjën kërkesave për komente nga Radio Evropa e Lirë.

Uztransgaz bëri, gjithashtu, së paku tetë transfere bankare me vlerë prej 66.6 milionë dollarësh për Ultimo Group në periudhën janar-shtator 2022, tregojnë të dhënat bankare, por detaje të tjera mbeten të fshehura nga publiku.

Nëse merren parasysh më shumë se 955 milionë metra kub gaz natyror që Ultimo Group importoi nga Turkmenistani fqinj, del se kompania, në total, është e përfshirë në transaksione të gazit natyror që arrijnë vlerën e rreth 200 milionë dollarëve, zbuloi një analizë e REL-it.

Tash për tash, nuk ka asnjë dëshmi që tregon se Ultimo Group ka kryer ndonjë biznes në tregun e gazit në Uzbekistan në 18 muajt e fundit, apo pas kontratave fitimprurëse me shtetin.

Themeluesi Kayumov – i cili nuk iu përgjigj pyetjeve me shkrim të REL-it, dërguar në llogarinë e tij në Instagram – i transferoi 50 për qind të aksioneve të tij në kompaninë e nënës së tij 67-vjeçare, e cila nuk ka të dhëna të mëparshme biznesore.

Aksionari tjetër themelues, Anvarkhujaev, i mbajti 50 për qind të aksioneve të tij në Ultimo Group.

Ai nuk pranoi të intervistohej nga Radio Evropa e Lirë, por tha se do t’u përgjigjej pyetjeve me shkrim rreth Ultimo Group.

Faqja e internetit e Ultimo Group Limited mbetet e paqasshme edhe më shumë se tre vjet pasi themelimit.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

Regjistrohu

Subscribe my Newsletter for new blog posts, tips & new photos. Let's stay updated!

@2009-2024 – All Right Reserved. Designed and Developed by Anet.com.mk

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More