Si qëndron gjendja me trashëgimin e pronave te gratë në RMV?

nga I.A

Shkup, 8 prill – Çështja e trashëgimit të pronave është një ndër çështjet më të ndërlikuara që shpesh herë bëhet edhe mollë sherri mes familjeve të ndryshme. Pra, burimi më i shpesh konfliktuoz nëpër familje të shumta të vendit pa dallim etnie e religjioni është ndarja e pronave. Mbase, është krijuar një traditë e vazhdueshme që përcillet gjeneratë pas gjenerate që hisedarë të pronës së prindërve duhet të jenë vetëm burrat, pasi gratë martohen dhe nuk u takon asgjë. Kjo ndarje është e padrejtë por ndodhë si pasojë e heqjes dorë të vet grave nga ajo që u takon atyre. Statistikat në Maqedoninë e Veriut tregojnë se gratë në shumicën e rasteve heqin dorë nga trashëgimia e pronave familjare, vetëm për të mos prishur raportet me vëllezërit e tyre. Gjithashtu, të dhënat e regjistrit të Kadastrës tregojnë se as çereku i pronave të paluajtshme nuk janë në emër të grave, shkruan Zhurnal.

Shumica e grave në vend heqin dorë nga trashëgimia e pronës

Statistikat në Maqedoninë e Veriut tregojnë se gratë në shumicën e rasteve heqin dorë nga trashëgimia e pronave familjare, vetëm për të mos prishur raportet me vëllezërit e tyre. Të dhënat e regjistrit të Kadastrës tregojnë se as çereku i pronave të paluajtshme nuk janë në emër të grave. Njëra nga gratë që ka hequr dorë nga prona e prindërve është edhe Emine B, për shkak të, siç thotë ajo “të mos më mbyllet dera e shtëpisë së babait” në të cilën tani jeton i vëllai.

“Sapo kam hapur bisedën e trashëgimisë u ndie një frymë e ftohtë, një situatë e tensionuar. E dini i është te familjet shqiptare dhe pas kësaj, nga frika se më mbyllet dera e shtëpisë së babait, tani e vëllait, nuk e kam hapur kurrë bisedën e trashëgimisë”, thotë ajo për Radio Evropa e Lirë.

Edhe Lidija Andovska nga Shkupi nuk ka arritur të trashëgojë një pjesë të konsiderueshme të pronës familjare, pasi kështu kishin vendosur prindërit e saj.

“Djali konsiderohej si shtyllë e familjes dhe ai duhej të trashëgonte pronën për të prezantuar forcën, por edhe besueshmërinë e familjes. Personalisht kjo më ka kushtuar shumë, pasi në mungesë të kapitalit fillestar, për dallim nga vëllai im, unë e kam pasur shumë më të vështirë që të ndërtoj biznesin tim si floktare”, thotë ajo për REL.

Ndërkaq, organizatat që merren me të drejtat e grave thonë se ende ka shumë punë për t’u bërë që të ngrihet vetëdija e qytetarëve që prona të trajtohet si e drejtë për të dy gjinitë.

“Marrë parasysh faktin që shoqëria shqiptare gjithmonë ka qenë më patriarkale, burrat kanë pozicion dominues në strukturat familjare dhe kjo gjithsesi nuk ka se si të mos ndikojë edhe në praktikat e trashëgimisë”, thotë Rabie Murati, ligjëruese në Universitetin e Tetovës, njëherësh aktiviste për të drejtat e grave.

“Njëherësh, kur bëhet fjalë se pse gratë heqin dorë nga trashëgimia, mund të them se është ai presioni shoqëror që u bëhet grave, përkatësisht atyre që marrin trashëgiminë e të cilat mund të mos pranohen nga rrethi, e të përballen me gjykime dhe njëherësh krijohet edhe një tensionim në raportet familjare”, shton ajo.

Nga aktivistet për të drejtat e grave mosposedimi i pronës nga gratë shihet si problematike, pasi gratë më pas kanë më shumë vështirësi që të krijojë biznese të tyre në mënyrë të pavarur. Organizatat joqeveritare theksojnë se gratë do të fuqizohen në momentin që të jenë të pavarur në aspektin ekonomik. 

Gratë diskriminohen edhe në paga – 

Ndërkaq, sipas të dhënave të Platformës për Barazi Gjinore janë mbi 220.000 gra të regjistruara si amvise dhe që nga Enti i statistikave numërohen si popullsi jo-aktive. Diskriminim vërehet në pagat me të cilat vlerësohet një burrë dhe një grua në vendin tonë, sipas të dhënave të ESHS, me rrogë 30.000-40.000 denarë paguhen 32.7% gra dhe 67.3% burra. Pagë mujore mbi 40.00 denarë marrin vetëm22.4 % gra në vendin tonë, ndërsa pjesa tjetër janë burra, 77.6%.

Parimi se burrat dhe gratë duhet të marrin pagë të barabartë për punë të barabartë është ngulitur në Traktatet Evropiane që nga viti 1957, konkretisht me Nenin 157 të Traktatit për Funksionimin e Bashkimit Evropian (TFEU). Neni 153 TFEU i mundëson BE-së të veprojë në fushën më të gjerë të mundësive të barabarta dhe trajtimit të barabartë në çështjet e punësimit, dhe brenda kësaj kornize neni 157 TFEU autorizon veprime pozitive për të fuqizuar gratë. Për më tepër, neni 19 TFEU parashikon miratimin e legjislacionit për të luftuar të gjitha format e diskriminimit, përfshirë në bazë të seksit.

Gratë përpos politikës, dobët janë të përfaqësuara edhe në institucionet tjera – 

Argument tjetër se gratë në RMV nuk janë të përfaqësuar sa duhet, është edhe fakti se në asnjë Universitet brenda vendit, nuk ka rektor grua ndërkohë është i vogël numri i Institucioneve të Larta Akademike që edhe në pozitat e dekanes, pordekanes dhe drejtoreshave kanë të emëruar gra. Mendësia tradicionale e stërvjetruar dhe stereotipet gjinore lidhur me rolin që gratë duhet të jenë të fokusuara në përkujdesjen e familjes dhe nënvlerësimi i tyre si jo të zonja për pozicione drejtuese, është një nga pengesat që shoqëritë tona vendosin përpara grave si bllokadë, që jo çdo grua përpiqet ta tejkalojë.

Mjedisi politik në vendet tona më një demokraci jo shumë të zhvilluar, agresiviteti e konfliktualiteti i politikës i bën gratë të stepen apo të mos angazhohen në politikë. Ashpërsia e luftës politike, gjuha e vrazhdë ofenduese dhe me urrejtje që përdoret, etiketimet dhe konsiderimi i politikës si domen i burrave, ndikojnë shumë në vendimin për tu angazhuar ose jo në politikë për një grua. Gratë në këtë shekull kanë filluar betejën e ashpër “luftën” për mbijetesë nga meshkujt. Pra, ka meshkuj të cilët në mënyrë jo njerëzore u ndërpresin të drejtën dhe lirinë për të jetuar shumë grave. Kjo gjë në mënyrë të shpejt duhet të normalizohet sepse me këtë avaz edhe shumë jetë do të humbin. Duhet të rritet siguria dhe liria për gratë, duhet të rriten dënimet dhe të ashpërsohen format e ndëshkimit të meshkujve jo njerëzorë që vrasin gra, dhuna në familje duhet të raportohet e ndaj saj të merren masa të menjëhershme për të evituar rastet me përfundime fatale. Me fjalë të tjera institucionet e sigurisë duhet të garantojnë vetëm siguri asgjë më pak e asgjë më shumë, në të kundërtën qenia njerëzore po e humbë kuptimin, në vend se të luftohet për të drejta të barabarta, përfaqësim të drejt dhe dinjitoz gjinor në politikë e institucione. Sot, gratë po bëjnë përpjekje për të mbijetuar. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More