Agjencia Zhurnal.mk
Shqipëri

Si qytetarët do të votojnë më 25 prill/ Rastet kur fleta e votimit është e pavlefshme

Një ditë pasi Kolegji Zgjedhor caktoi përfundimisht fletën e votimit për zgjedhjet e 25 prillit, kryekomisioneri i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, në një konferencë për mediat tregoi se si do të votojnë qytetarët më 25 prill kur kandidatët do të identifikohen me numra.

Komisioneri Shtetëror tha se në momentin që një votues shkon me fletën e votimit në dorë te dhoma sekrete, ai mund të shënjojë te kutia poshtë logos së subjektit zgjedhor, pra partisë apo koalicionit dhe po në atë rresht mund të zgjedh kandidatin e parapëlqyer. Fleta e votimit do të jetë e vlefshme edhe nëse qytetari zgjedh vetëm subjektin politik dhe nëse zgjedh vetëm një kandidat të parapëlqyer, por në rastin e dytë vota i numërohet fillimisht subjektit. Sipas kreut të KQZ-së fleta e votimit do të jetë e pavlefshme në rastet kur qytetari zgjedh një parti ose një koalicion dhe kandidatin e një partie tjetër, apo koalicioni tjetër. Po ashtu, në rastin kur zgjedhësi shënjon dy kandidatë të një partie, atëherë vota i numërohet vetëm subjektit politik dhe jo kandidatit.

ILIRJAN CELIBASHI

“Një votues mund të zgjedhë partinë politike ose koalicionin dhe vetëm një kandidat të kësaj partie ose të këtij koalicioni, nuk mund të zgjedhë dy. Pra, të zgjedhë partinë ose koalicionin dhe kandidatin e kësaj partie, ose të këtij koalicioni. Nuk mund të zgjedhë një parti apo një koalicion dhe kandidatin e një partie dhe koalicionin e një partie tjetër. Në çdo rast, zgjedhja do jetë brenda partisë. Ti zgjedh partinë, koalicionin dhe nëse dëshiron një kandidat të kësaj partie ose këtij koalicioni. Votuesi ka të drejtë të zgjedhë vetëm partinë apo koalicionin, nëse nuk preferon një kandidat. Pra, nëse ai zgjedh vetëm partinë dhe koalicionin, fleta e votimit është e vlefshme. Është e vlefshme fleta e votimit edhe nëse ti zgjedh vetëm një kandidat, edhe pse nuk e ke zgjedhur partinë apo koalicionin. Pra, edhe nëse ti zgjedh vetëm kandidatin dhe nuk do t’i japësh votën partisë, kjo është e vlefshme. Numërohet si votë për kandidatin, por edhe si votë për partinë apo koalicionin, të cilin i përket ky kandidat. Nuk mund të zgjedhësh dy kandidatë, apo dy parti dhe dy koalicione”.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, sqaroi se në çdo qendër votimi do të vendosen postera të mëdhenj me numrin e kandidatit. Po ashtu, brenda dhomës së fshehtë do të ketë fletëpalosje, ku votuesi të orientohet më lehtë. “Është e qartë që nuk do të jenë emrat, po numrat në këto fletë votimi tregojnë kandidatët sipas renditjes së partisë. Kjo do të thotë që votuesit duhet të kenë të qartë numrin e kandidatit apo partisë dhe koalicionit që duan të zgjedhin. Për ta ndihmuar votuesin, në çdo qendër votimi ne do të vendosim postera të mëdhenj se çfarë numri ka kandidati. Do të vendosim fletëpalosje në çdo dhomë të fshehtësisë. Në rast se ndonjë votues do të konfuzohet të konsultohet me fletëpalosjen”, tha Celibashi

APELI PËR PARTITË POLITIKE

Vëmendjen e shtuar publike të konferencës së djeshme kryekomisioneri e shfrytëzoi edhe për të përçuar një mesazh tek aktorët politikë dhe institucional që angazhohen për mbarëvajtjen e zgjedhjeve. Celibashi i kujtoi atyre se janë të gjithë në monitorim dhe i bëri thirrje të gjithëve që të korrigjojnë gabimet dhe të respektojnë standardet e zgjedhjeve.

“Mendoj që është rasti të theksoj që qoftë për partitë politike, koalicionet, kandidatët apo institucionet legjitime, varet nga mënyra sesi secili prej këtyre faktorëve do të ketë qasjen në administrimin e procesit zgjedhor. Çdo iluzion i çdo faktori politik mbi atë se në fund të fundit ne do ta kemi një rezultat zgjedhor, pavarësisht si do t’i bëjmë zgjedhjet dhe ky rezultat do të jetë i pranueshëm është një iluzion i gabuar. Ndaj sa nuk është vonë, gjithkush prej nesh përfshirë edhe KQZ-ja, por më së shumti kjo thirrje vlen për partitë, koalicionet dhe kandidatët, çfarë vlen për të korrigjuar, duhet bërë tani që këto zgjedhje të jenë në përputhje me standarde për zgjedhje të lira, të ndershme dhe demokratike. Jemi të gjithë të vëzhguar dhe monitoruar dhe kështu në fund të ditës, për secilin prej nesh do të ketë një gjykim dhe për atë që do të jetë përgjegjës për mos përmbushje të përgjegjësive sipas përcaktimeve të kodit zgjedhor do ta mbajë këtë përgjegjësi dhe do të ballafaqohet me sanksione përkatëse”, tha Celibashi.

Sakaq, kreu i KQZ-së sqaroi se ditën e djeshme kishte pasur një bisedë me kompaninë që do të printojë fletët e votimit dhe se nuk do të ketë pengesa për printimin e tyre.

NDËRKOMBËTARËT

Ambasadorja e SHBA-së në Shqipëri, Yuri Kim, dhe më pas edhe kryediplomati i BE-së, Luigi Soreca, reaguan dje pas konferencës për mediat të mbajtur nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi. Ambasadorja Kim, ndërsa përshëndeti dakordësinë për fletën e votimit në zgjedhje, theksoi se do të mbështesë fuqimisht përpjekjet e KQZ-së për zgjedhje të drejta dhe transparente në Shqipëri.

“Sapo ndoqa konferencën për media të Ilirjan Celibashit. Më vjen mirë të dëgjoj që u ra dakord mbi formatin e fletëve të votimit, në mënyrë që ato të printohen në kohë për zgjedhjet e 25 prillit. Ne mbështesim fuqimisht përpjekjet e KQZ-së në Shqipëri për të siguruar rregullat dhe kushtet që zgjedhjet në Shqipëri të jenë të drejta, në kohë dhe transparente”, tha Yuri Kim. “Ne pajtohemi me Ilirjan Celibashin. Partitë politike dhe kandidatët duhet të përqendrohen tani në programet e tyre përkatëse politike dhe në reformat që ata synojnë të paraqesin për të përmirësuar jetën e të gjithë qytetarëve shqiptarë. Ne kemi besim në të gjitha institucionet përkatëse dhe politike. Aktorët të veprojnë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe me vendimet”, tha Celibashi.

Postime të ngjashme

“Asnjë rast me COVID në Tiranë”, Manasterliu publikon shifrat: Ja sa vaksinime janë kryer deri më tani në vend

Dafina Vidishiqi

Vetëm tri raste të reja me COVID-19 në Shqipëri

Dafina Vidishiqi

Ndihmës Sekretari i Shtetit Reeker do të vizitojë Italinë, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

Dafina Vidishiqi

Paralajmërim për të shkarkuarit nga vetingu: “Do të hetoheni dhe do t’ju sekuestrohet pasuria”

Bekim Laçi

Lëvizja drejt Greqisë, MEPJ informon shqiptarët: Çfarë duhet të dini para se të udhëtoni

Bekim Laçi

Manastirliu: Ulim fashën e vaksinimit në +50 vjeç

Bekim Laçi

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...