Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu vijojnë takimet konsultative me prindërit, duke ndarë masat dhe projektet e reja në funksion të forcimit të sigurisë dhe cilësisë në arsimin parauniversitar.
Takimi i radhës u zhvillua në shkollën 9-vjeçare “Halit Coka”, Kamzë, ku u diskutuan tema që prekin sigurinë, teknologjinë dhe përfshirjen e komunitetit në procesin arsimor.
Kjo fushatë synon të adresojë ndikimin e rrjeteve sociale si TikTok dhe Snapchat te fëmijët dhe të rinjtë, duke promovuar ndërgjegjësimin për rreziqet dhe pasojat e tyre.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu u ndal te turi i konsultimeve publike, me prindërit ku këta të fundit janë angazhuar për hapat konkretë që duhen ndërmarrë për të garantuar sigurinë e nxënësve dhe fëmijëve të tyre, për të fuqizuar mekanizmat mbrojtës.
“Përgjatë këtyre ditëve kemi zhvilluar 250 takime dhe do të vijojmë duke diskutuar me njëri-tjetrin. Janë angazhuar më shumë se 7 mijë prindër deri tani, dhe sugjerimet e tyre kanë qenë shumë të vlefshme. Një prej masave që do të ndërmarrim është forcimi i instrumenteve ligjorë për kufizimin ose mbylljen e platformave pa kontroll, siç është TikTok”, tha Manastirliu.
Ministrja foli dhe për shërbimet që janë funksionalë sot në shkolla për sigurinë e nxënësve në shkolla që nga mbështetjen psiko-sociale dhe oficerët e sigurisë.
“Jemi me një mbulim me 240 oficerë sigurie në shkolla dhe do ta rrisim numrin e tyre në 270 vitin e ardhshëm, duke planifikuar edhe rritjen e numrit të punonjësve socialë dhe psikologëve. Kjo do të ndihmojë në parandalimin e incidenteve të çdo forme dhune apo bullizmi, si dhe do të jemi më afër nxënësve përmes shërbimeve sociale”, theksoi Manastirliu.
Ministrja Manastirliu u ndal edhe te modernizimi i kurrikulave dhe përfshirja e edukimit digjital.
“Jemi duke punuar për të krijuar kulturën digjitale duke filluar nga cikli fillor. Me kurrikulat e TIK-ut, që nga klasa e parë, po ndërtojmë një bazë solide për edukimin digjital. Përmes sistemit SMIP, po punojmë që prindërit të marrin informacione periodike jo vetëm për notat dhe mungesat, por edhe për sjelljen, talentin dhe prirjet e fëmijëve të tyre”, tha Manastirliu.
Ky dialog i vazhdueshëm me prindërit synon të fuqizojë trinomin mësues-prind-nxënës dhe të rrisë efikasitetin e mekanizmave mbrojtës në shkolla.