Shkup, 25 prill – Pamja e jashtme e objektit të ri të IN Teatri turk Shkup – fasada dhe çatia kanë përfunduar, ndërsa projekti për ndërtim vazhdon në fazën e tretë ku do të vendosen instalime të brendshme që është në proces furnizimi publik për përzgjedhjen e kontraktuesit.
Objektin në ndërtim sot e vizitoi ministrja e Kulturës Bisera Kostandinovska-Stojçevska e cila pas inspektimit shprehu kënaqësinë sepse, siç tha, procesi i aktiviteteve të ndërtimit zhvillohet në mënyrë profesionale dhe cilësore dhe është “progres i dukshëm në ndërtimin e objektit, veçanërisht fasada dhe çatia”.
Për gjithçka që deri tani është realizuar janë ndarë 4,4 milionë euro ose 274 milionë denarë, ndërsa me investimet e reja në Ministrinë e Kulturës procesi do të finalizohet dhe shton ministrja, “së shpejti presim që publiku të ketë teatër të ri”.
Garancia se ansambli i teatrit do të ketë së shpejti shtëpinë e tij, tha Kostandinovska – Stojçevska është e sigurt me vendimin e Qeverisë për financimin e vazhdueshëm trevjeçar të projektit të Teatrit turk.
“Ministrja e Kulturës në tre vite buxhetore – 2024,2025,2026, vazhdon me financimin e projektit, për të cilin janë planifikuar mjete në vlerë prej 6,1 milionë euro, gjegjësisht 380 milionë denarë. Nga buxheti i Ministrisë së Kulturës për këtë vit janë siguruar 1,7 milion euro ose 104 milion denarë. Me këto mjete do të përfundojnë punimet ndërtimore, vendosja e instalimeve, rregullimi i ambienteve të brendshme dhe do të sigurohet mbikëqyrje ekspertësh që teatri të marrë formën e tij në mënyrë që punonjësit përmes krijimit artistik të kontribuojnë në një afirmim edhe më të madh të kulturës në Maqedoni”, deklaroi Kostandinovska-Stojçeska.
Drejtoresha e Teatrit turk-Shkup, Ajlin Emin Skoro kumtoi se faza e dytë e ndërtimit ka mbaruar dhe do të fillojë me fazën e tretë – instalimet e brendshme, energjinë elektrike, ujësjellësin dhe kanalizimin. Objekti është konceptuar si qendër kulturore që do të promovojë dhe afirmojë gjuhën dhe kulturën e popullit turk këtu dhe në të do të funksionojë edhe institucioni kombëtar i sapoformuar Qendra kulturore turke me galeri, tha ajo.
“Tashmë furnizimi publik është duke u zhvilluar dhe presim që ai të përfundojë brenda afatit ligjor, të përcaktojë kontraktuesin dhe të fillojë menjëherë me instalimet e brendshme, energji elektrike, hidraulikë dhe kanalizimin”, tha Skoro.
IN Teatri turk- Shkup ekziston qe 74 vjet dhe deri para dhjetë vjetësh ka punuar në të njëjtin objekt me Teatrin shqiptar-Shkup në Teatrin e atëhershëm të nacionaliteteve. Në atë lokacion në një ndërtesë të sapondërtuar tani punon Teatri shqiptar-Shkup, ndërsa për teatrin turk në vitin 2015 filloi ndërtimi i një objekti të ri teatri pranë stacionit hekurudhor. Ndërsa ndërtimi i Teatrit turk vazhdon për dhjetë vitet e fundit, ansambli ndan skenën dhe punon në të njëjtën çati me Teatrin e komedisë.