Shkup, 19 korrik – Shiu i një dite më parë në rajonet e përfshira nga flakët, ka ndihmuar në uljen e intensitetit zjarreve, por ka akoma zjarre aktive.
Situata më kritike vazhdon të mbetet në malin Serta, ku autoritetet vendore bashkë me ndihmën e kapaciteteve të huaja për të disatën ditë me radhë po luftojnë me flakët nga toka dhe qielli. Numri një i Qendrës për Menaxhim me Krizat, është optimist se ky zjarr mund të vendoset në kontroll të plotë gjatë ditës së sotme.
“Zjarri i parë më serioz është ai në malin Serta, në pjesën mbi fshatin Dragoevo dhe fshatit Sellcë, territori i komunës së Shtipit, që për fat të keq edhe përskaj të shiut të djeshëm, nuk është ndalur….Jam optimist se ky zjarr do të vendoset nën kontroll të plotë gjatë ditës së sotme. Nëse nuk kemi sukses, kërcënohet të zgjerohet përsëri nëpër të gjithë malin Serta”, tha Stojançe Angellov, QMK.
Zjarre aktive ka edhe në territorin e komunës së Çashkës, Makedonski Brodit, Dollnenit dhe Novosellës.
“Zjarri i dytë ndodhet në territorin e komunës së Çashkës. Zjarri i tretë në fshatin Gabrovsnik, poashtu në territorin e komunës së Çashkës. Zjarri i katërt është në rajonin e Çashkës te fshati Jabollçishtë dhe fshati Drenovë….Zjarri i pestë ndodhet në territorin e komunës ‘Gradsko’….Zjarri tjetër është në territorin e komunës “Makedonski Brod” te fshati Sllatinë dhe Greshlicë, poashtu zjarr serioz”, tha Stojançe Angellov, QMK.
Angellov tha se gjatë ditës së djeshme është shmangur një shpërthim në rajonin e Velesit, ku siç njoftoi ai, flakët e zjarrit kishin arritur deri 100 metra në afërsi të cisternave me 80 tonë gaz që ndodhen në një ish fabrikë të Velesit.
Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit linja telefonike për raste urgjente 112 ka pranuar numër rekord të thirrjeve që nga themelimi i saj. Janë paraqitur gjithsej 3 159 raste prej të cilave rreth 60 për qind ishin reale, ndërsa rreth 40 për qind ishin për nevoja të tjera të qytetarëve dhe nuk ishin urgjente.