Shkup, 10 korrik – Çështjet arsimore janë të rëndësisë së veçantë dhe të ndjeshme në të njëjtën kohë pasi flitet për ndërtimin e gjeneratave të ardhshme të cilët do të jenë edhe prijës në një të ardhme të afërt. Prandaj, ajo çfarë ndërtojmë sot do të korrim e shohim nesër. Këtë vit edhe më keq se vitin që lamë pas, bie nota mesatare në provimin e maturës shtetërore. Cilësia në arsim vazhdon të mbetet një nga sfidat më të mëdha që po e tangon arsimin sot, shifra shqetësuese dalin kur bëhet matja e opinionit publik mbi këtë temë, e aq më trishtë bëhet gjendja kur dalin rezultate të matjeve ndërkombëtare në këtë drejtim. Sipas testimi ndërkombëtar PISA që është më e besueshmja për matje të shkrim-leximit, Maqedonia e Veriut ka pësuar një regres dhe rënie të madhe duke u renditur në mesin e 10 vendeve të fundit. Ndryshe, shkaqet për mungesën e cilësisë në arsim janë të ndryshme, duke filluar nga stafi jo adekuat, tekstet mësimore, kushtet e këqija infrastrukturore në shkolla e të tjera, shkruan Zhurnal.
Bie nota mesatare në provimin e maturës shtetërore –
3.25 është nota mesatare të cilën maturantët e arritën në dy provimet e maturës shtetërore të realizuar në muajin qershor. Krahasuar me vitin paraprak nota mesatare është më e ulët. Nga Qendra Shtetërore e Provimeve thanë se kjo është rezultat i masave të rrepta që kësaj radhe u ndërmorën për realizimin e maturës shtetërore ndër të cilat edhe ndryshimi i hapësirave të realizimit të maturës shtetërore, nga klasa në korridore ose salla sportive të shkollave.
Gjithashtu, nga Qendra e Provimeve thanë se gjithsej 268 nxënësve u është shqiptuar masa anulim i testit të maturës shtetërore.
“Ajo që është e rëndësishme ta themi, nota nga gjuha amtare dhe gjuha angleze vlerësojmë se këtë vit është shumë më reale krahasuar me vitet paraprake. Këto 268 teste të anuluara, këto 268 nxënës do të jenë një mesazh i mirë për gjeneratat e ardhshme se nuk duhet të përdoret kopjimi si metodë për të fituar notë më të lartë sepse nuk i sjell dobi askujt. Pjesa më e madhe e testatorëve e kryen me sukses punën e tyre por nuk mund të themi se është 100 për qind”, tha Biljana Mihajllovska, drejtore e QSHP, për Alsat.
Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska paralajmëroi ndryshime dhe përforcim të kontrolleve gjatë provimit të maturës shtetërore. Gjithashtu tha se janë planifikuar ndryshime në rregullat për dhënien e provimit të maturës shtetërore, me qëllim rritjen e përgjegjësive të personave të përfshirë në proces.
“Sa më shpejt që mundemi do të fillojmë bisedimet me universitetet në vend të na sigurojnë hapësira më të mëdha, pra amfiteatro, në mënyrë që në to të mbahet matura, të pajisura me bllokues që fëmijët të mos përdorin pajisjet e komunikimit, ose më saktë telefonat”, u shpreh Vesna Janevska, ministre e Arsimit për Alsat.
Në gjuhën amtare, nota mesatare është 3,37, në anglisht 3,06, në frëngjisht 4,47, në gjermanisht 4,32 dhe në matematikë 3,71. Në provimet e maturës shtetërore më 1dhe 8 qershor morën pjesë mbi 14.800 maturantë. Maturantët që dështuan në afatin e parë mund t’i nënshtrohen sërish provimit në muajin gusht./ Alsat.mk
Krahasuar me 5 vite më parë, shumica e qytetarëve besojnë se sot kemi arsim më të keq–
56.3% ndajnë këtë qëndrim kundrejt 25% që nuk shohin ndonjë ndryshim. Vetëm 9.6% e të anketuarve thonë se arsimi i sotëm është në një nivel më të lartë krahasuar me situatën e 5 viteve më parë. Pyetje e njëjtë ka qenë edhe në anketën e realizuar 4 vjet më parë, sipas të cilës 48.9% mendonin se arsimi ishte përkeqësuar në 5 vitet e fundit, kundrejt 28.8% që nuk mendonin kështu.
49% e të anketuarve thonë se cilësia e procesit arsimor në Maqedoninë e Veriut është më e keqe në krahasim me vendet e rajonit. Një e katërta janë të mendimit se është e ngjashme, ndërsa vetëm 5,7% mendojnë se Maqedonia e Veriut ka arsim më të mirë se vendet e rajonit. Dhe këtu krahasimi me anketën e IPIS 2019 tregon se perceptimet janë përkeqësuar. Në atë kohë, 40,1% mendonin se kishte arsim më të mirë në rajon, afër 30% nuk kanë vërejt dallime dhe 10,4% mendonin se në Maqedoninë e Veriut ka një proces më të mirë arsimor në krahasim me vendet e rajonit.
Sipas qytetarëve, arsyeja kryesore pse Maqedonia është në vendet më të ulëta në matjet botërore për cilësinë e arsimit është planprogrami i dobët, mendim të cilin e ndajnë 19,2% e qytetarëve. 15.5% mendojnë se arsyeja kryesore është stafi joadekuat mësimdhënës, 12.7% e shohin problemin në tekstet shkollore jo cilësore dhe 11% në kushtet e këqija në shkolla. Kujtojmë që, anketa për Detektor nga Institutit për Hulumtime Politike në Shkup është realizuar nga 28 shkurt deri më 3 mars të këtij viti në mostër përfaqësuese prej 1107 të anketuarve.
Ndërkaq, nëse flasim për cilësinë në arsimin e lartë kujtojmë që nga publikimi i fundit vitin e kaluar në listën e Shangait asnjë nga Universitetet e Maqedonisë së Veriut nuk ishte ranguar në këtë listë. Lista e Shangait: Asnjë Universitet nga Maqedonia nuk bën pjesë në Top 1000. Më së miri të radhitura janë universitetet “Harvard”, “Stenford”, “Kembrixh” dhe “Berkli”. Nga rjaoni, nga vendi i 400 deri në vendin e 500 është ranguar universiteti në Beograd, si dhe universiteti në Ljubjanë. Në këtë listë gjithashtu gjendet dhe Universiteti në Zagreb. /Zhurnal.mk