Agjencia Zhurnal.mk

Desktop Under Menu 1

Desktop Under Menu 2

Skenarët ekonomik përballë Covid-19

Një nga gjërat që mund të bëjë pandemia e COVID-19 është ta zgjerojë imagjinatën ekonomike, duke bërë që qeveritë dhe qytetarët të ndërmarrin hapa sa më shumë që t’i amortizojnë dëmet nga pandemia me idetë e reja për mënyrën se si mund të funksionojë bota dhe të ndryshojë me shpejtësi.

Shkruan: Abil BAUSH, Shkup

Për ta kuptuar përgjigjen e krizës së pandemisë Covid-19 dhe ndikimin e saj në krizën ekonomike, do të duhet ta shtrojmë pyetjen se si deri tani e kemi përkufizuar ekonominë. Aktualisht, qëllimi kryesor i ekonomisë globale është ta lehtësojë shkëmbimin e parave, resurseve dhe produkteve – atë që e quajnë si vlera e këmbimit. Ideja që mbizotëron në sistemit aktual ekonomikë është se vlera e këmbimit të paraqitet si ekuacion i barabartë me vlerën e prodhimit. Vlera e këmbimit definohet si “kërkesat për të cilat kanë nevojë njerëzit për produkte ose shërbime” dhe ky proces i shpenzimit të parave e përcakton çmimin e produktit (vlerën e këmbimit). Vlera e prodhimit definohet si oferta e cila mundëson të përputhen kapaciteti i prodhimit të prodhuesve në treg.

Prandaj, në bazë të kësaj, ka një konsensus të gjerë ekonomik, i cili bazohet në dy këndvështrime të lidhura njëra me tjetrën: e para se tregu është ai që siguron një cilësi të mirë të jetës, andaj duhet të mbrohet dhe, e dyta tregu gjithmonë do të kthehet në normalitet pas periudhave të shkurtra të krizës. Këto dy këndvështrime janë më të zakonshme në vende të zhvilluara ekonomike, ndërsa si zbatues të tyre janë Mbretërinë e Bashkuar dhe në SHBA. Në këtë pandemi të dy superfuqitë duket se janë të gjunjëzuara dhe të papërgatitura t’i përgjigjen COVID-19, por përsëri ato mbeten në këndvështrimet e tyre. Në Mbretërinë e Bashkuar kryeministri i vendit kishte deklaruar se: “duhet imunitet masiv, me atë e mbroni tregun, edhe pse se disa pensionistë do të vdesin”. Edhe guvernatori republikan i Teksasit të SHBA-së Dan Patrick, deklaroi: “Shumë të moshuar do të vdesin me kënaqësi më të madhe vetëm mos ta shohin SHBA-në të përmbysur në depresion ekonomik”.

Prandaj, nga gjërat që mund të bëjë pandemia e COVID-19 është ta zgjerojë imagjinatën ekonomike, duke bërë që qeveritë dhe qytetarët të ndërmarrin hapa sa më shumë që t’i amortizojnë dëmet nga pandemia me idetë e reja për mënyrën se si mund të funksionojë bota dhe të ndryshojë me shpejtësi. Në këtë rast përdorimi i teknikës nga fusha e studimeve të së ardhmes mund të ndihmojë për ta parë se do të ballafaqohen si qeveritë ma krizën. Faktorët që dua t’i analizoj janë pikërisht vlera e këmbimit dhe centralizimi. Centralizimi referohet në mënyrën e organizimit e qeverive si organizim nga shumë njësi të vogla ose nga një forcë e madhe komanduese. Me kombinimin e këtyre faktorëve paraqiten katër skenarë, të cilët mund të ndodhin si përgjigje të qeverive ndaj pandemisë e Covid-19.

Skenarët e së ardhmes

Skenarët e katër së ardhmes:

1) Kapitalizmi shtetëror karakterizohet me reagim të centralizuar, duke i dhënë përparësi vlerës së këmbimit; kjo mbizotëron në ekonomitë e qeverive që po shohim tani në gjithë botën. Shembuj tipikë për këtë janë SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Spanja dhe Danimarka.

2) Shoqëritë të cilat bazohen në kapitalizmin shtetëror vazhdojnë ta ndjekin vlerën e këmbimit si zgjidhje të problemeve ekonomike. Por, ata e pranojnë që tregjet janë në krizë dhe se kërkojnë mbështetje nga shteti. Duke pasur parasysh që shumë qytetarë nuk do mund të punojnë për shkak se janë të prekur nga virusi dhe kanë frikë për jetën e tyre, shteti duhet të kujdeset për shëndetin dhe për mirëqenien e tyre. Këto qeveri aplikojnë një stimul masiv Kejnesian, duke dhënë kredi me interes 0, si dhe duke bërë pagesa të drejtpërsëdrejti për bizneset. Pritjet nga ky skenar janë që kjo pandemi do të zgjasë pak. Funksioni parësor i masave që janë ndërmarrë është të lejojë sa më shumë biznese të jetë e mundur të vazhdojnë të funksionojnë. Mbështetja e drejtpërdrejtë për bizneset bëhet në mënyrë që ta minimizojë prishjen e funksionimit normal të tregu, kurse pagat e punëtorëve bëhet në bazë të vlerës së këmbimit që një punëtor i krijon zakonisht në treg dhe jo nga dobia e punës së tyre. A mund të jetë ky një skenar i suksesshëm? Mund, por vetëm nëse COVID-19 bëhet i kontrollueshëm për një periudhë të shkurtër. Meqenëse izolimi i plotë është shmangur për ta ruajtur funksionimin e tregut, transmetimi i infeksionit ende ka të ngjarë të vazhdojë. Nëse pandemia është në rritje, kjo do të provokojnë trazira dhe do t’i thellojnë ndikimet ekonomike, duke e detyruar shtetin të ndërmarrë veprime gjithnjë e më radikale në përpjekje për të ruajtur funksionimin e tregut.

3) Barbarizmi (menaxhim fisnor) karakterizohet me reagim të decentralizuar, duke i dhënë përparësi vlerës së këmbimit. Ky është skenari më i zymtë nga të gjithë, sepse nëse vazhdojmë të mbështetemi në vlerën e këmbimit si parim jonë kryesor, por megjithatë refuzojmë të ofrojmë mbështetje për ata që e bllokojnë funksionimin e tregut nga sëmundja ose papunësia, kjo do të krijojë një situatë që nuk do na pëlqente. Bizneset do të dështojnë dhe qytetarët do të mbeten pa punë, sepse nuk do të ekzistojnë mekanizma për t’i mbrojtur ata nga realitetet e ashpra që i ka tregu. Barbarizmi, në fund të fundit, është një gjendje e paqëndrueshme, që përfundon në shkatërrim ose në një kalim të skenarëve të tjerë, por pas një periudhe shkatërrimi politik dhe shoqëror. A mund të ndodhë kjo? Shqetësimi ekziston, sepse ky skenar mund të ndodhë dhe qeveritë, gabimisht, gjatë pandemisë të vendosin ta bëjnë një gjë të tille. Mbështetja mund të ofrohet për bizneset dhe familjet, por nëse kjo nuk është e mjaftueshme për ta parandaluar shembjen e tregut përballë sëmundjes së përhapur, kaosi do të ndodhte. Institucionet shëndetësore mund të thithin fonde shtesë, si dhe potencial njerëzor, por nëse kjo nuk mjafton, atëherë do të jetë tepër vonë për të marrë masa shtesë. Potencialisht, po aq e rëndësishme është mundësia e masave shtrënguese pasi pandemia ta ketë arritur kulmin dhe qeveritë do të kërkojnë të kthehen në gjendje “normale”. Dështimi i mëpasshëm i ekonomisë dhe shoqërisë do të shkaktonte trazira politike, duke çuar në një qeverisje të dështuar dhe në kolaps të dy sistemeve të shëndetësisë dhe të mirëqenies sociale.

4) Socializmi shtetëror karakterizohet me qeverisje të centralizuar që i jep përparësi mbrojtjes së jetës së qytetarëve. Socializmi shtetëror e vendos në rend të parën shëndetin publik dhe mirëqenien sociale të të gjithë qytetarëve të vet. Karakteristika e veçantë këtu është që masat si shtetëzimi i spitaleve dhe pagesa për punëtorët nuk shihen si mjete për t’i mbrojtur tregjet, por si një mënyrë për ta mbrojtur vetë jetën e qytetarëve. Në një skenar të tillë shteti bën hapa për t’i mbrojtur pjesët e ekonomisë që janë thelbësore për jetën, si: prodhimi i ushqimit, energjisë dhe strehimit, në mënyrë që dispozitat themelore të jetës të mos jenë më subjekt i tekave të tregut. Shteti i shtetëzon spitalet dhe i bën të kenë qasje të gjithë qytetarët e pastaj ai u siguron të gjithë qytetarëve produkte të nevojshme bazë, ashtu që bizneset i drejton për prodhimin e produkteve për konsum bazë në këtë gjendje pandemie, por me kusht që t’i prodhojmë me forcë punëtore të zvogëluar.

Qytetarët nuk mbështeten më tek punëdhënësit si ndërmjetës midis tyre dhe materialet themelore të jetës, kurse pagesat u bëhen të gjithëve direkt dhe nuk kanë lidhje me vlerën e këmbimit që krijojnë. Në vend të kësaj, pagesa është e njëjtë për të gjithë në mënyrë që të mund të blejmë produkte elementare për jetesë. Punëtorët e supermarketeve, drejtuesit e depove, infermierët, mësuesit dhe mjekët, janë CEO-t e rinj. Është e mundur që socializmi shtetëror të shfaqet si pasojë e përpjekjeve për kapitalizëm shtetëror dhe efektet e një pandemie të zgjatur. Nëse ndodhin recesione të thella dhe ka një ndërprerje në zinxhirët e furnizimit, kërkesa nuk mund të shpëtojë nga lloji i politikave standarde Keynesian, si: shtypja e parave dhe marrja e kredive me kosto zero. Atëherë shteti mund të paraqitet si i vetmi që i nacionalizon të gjithë asetet.

Por, ekzistojnë rreziqe për këtë qasje. Prandaj duhet të jemi të kujdesshëm për të shmangur autoritarizmin, gjë që na ka bërë të jemi dëshmitarë në sistemet e kaluara komuniste. Megjithatë, nëse kjo mund të jetë shpresa jonë më e mirë kundër një shpërthimi të pandemisë COVID-19, atëherë një shtet i fortë është në gjendje t’i menaxhojë burimet për t’i mbrojtur funksionet thelbësore të ekonomisë dhe shoqërisë.

Ndihma reciproke (komuniteti i bashkuar) karakterizohet me reagim të decentralizuar, duke i dhënë përparësi mbrojtjes së jetës. Prandaj, në këtë skenar, shteti nuk merr një rol përcaktues. Përkundrazi, individë dhe grupe të vogla fillojnë të organizojnë mbështetje dhe kujdes brenda bashkësive të tyre.

Rreziku te ky skenar është që grupet e vogla të mos jenë në gjendje të mobilizojnë me shpejtësi burime të nevojshme për rritjen dhe efikasitetin e kapacitetit të kujdesit shëndetësor. Por, ndihma e ndërsjellë mund ta lejojë me efikasitet parandalimin e transmetimi të virusit, duke u mbështetur te komunitetet që i mbrojnë rregullat për distancim social dhe izolim. Ky skenar ka një formë më ambicioze për të ardhmen, duke krijuar struktura të reja demokratike. Grupime të komuniteteve janë në gjendje të mobilizojnë burime të konsiderueshme me shpejtësi relative. Ky lloj skenari mund të dalë nga cilido prej skenarëve të tjerë. Është një mënyrë e mundshme për të dalë nga barbarizmi ose kapitalizmi shtetëror dhe mund ta mbështesë socializmin shtetëror. Ndihma reciproke e komunitetit ishte thelbësore për ta trajtuar shpërthimin e Ebolës në Afrikën Perëndimore dhe tashmë jemi dëshmitarë se ky skenar funksionon në grupet që organizojnë pako kujdesi dhe mbështetje të komunitetit. Kjo mund përkthehet si dështim ti përgjegjësisë shtetërore ose mund të jetë një përgjigje pragmatike e dhembshurisë shoqërore ndaj një krize të shpalosur.

Këto skenarë mund të kombinohen me njëri-tjetrin, por ajo është shqetësuese është kalimi nga kapitalizmi shtetëror në barbarizëm. Ndërkaq një kombinim optimist mund të jetë një përzierje e skenarit të socializmit shtetëror dhe atij të ndihmës reciproke: një shtet i fortë, demokratik që i mobilizon burimet për të ndërtuar një sistem më të fortë shëndetësor, i cili do t’i japë përparësi mbrojtjes së të prekurve na virusi dhe që u mundëson qytetarëve të formojnë grupe të ndihmave.

Ajo që të jep shpresë është se të gjithë këto skenarë i kanë përparësitë dhe dobësitë e tyre, me të cilët i krijojnë disa arsye frike, por edhe shprese. Pandemia me COVID-19 po nxjerr në pah mangësi serioze në sistemin tonë ekzistues. Kriza e pandemisë me siguri do të kërkojë ndryshim rrënjësor shoqëror, që do të paraqitet në një lëvizje drastike të tregjeve, si mënyra kryesore e organizimit të një ekonomie. Pas gjithë kësaj është mundësia të ndërtojmë një sistem më njerëzor që do të përballet me pandemitë dhe krizat e tjera në të ardhmen, që mund të pasojnë më vonë, siç janë ndryshimi i klimës ose luftërat.

Për krizë normale formula për zgjidhje është e thjeshtë: shpenzon qeveria derisa njerëzit të fillojnë të konsumojnë dhe punojnë përsëri. Por, ndërhyrjet normale nuk do të funksionojnë në rastin e pandemisë me Covid-19, sepse nuk kemi mundësi që ekonomia të rikuperohet (të paktën, jo menjëherë). Për ta parandaluar pandeminë me Covid-19, e vetmja mënyrë është t’i ndalosh njerëzit të shkojnë në punë, ku mund ta përhapin sëmundjen. Siç shkroi ekonomisti James Meadway, formula e saktë për luftën e pandemisë nuk është një ekonomi e kohës së luftës, e cila karakterizohet me rritje të madhe të prodhimit, por kemi nevojë për një ekonomi “kundër luftës” dhe një shkallëzim të madh të prodhimit. Nëse duam të jemi më elastikë ndaj pandemive, do të duhet të kemi një sistem të ri ekonomik, i cili do ta zvogëlojë prodhimin, por në një kohë nuk do të ketë humbje të vendeve të punës. Pra, ajo që është e nevojshme, ka të bëjë me qasje tjetër ekonomike, e cila – për dallim nga ky sistem – të mos ketë tendencë të mendojmë për ekonominë si mënyrë të blerjes dhe shitjes së produkteve ose shërbimeve, por që ekonomia të jetë mënyra se si i shfrytëzojmë burimet tona dhe i shndërrojmë ato në gjëra që duhet të ndihmojmë në të ardhmen. Nga kjo pikëpamje mund të fillojmë t’i analizojmë shumë mundësi për të jetuar ndryshe, që na lejojnë të prodhojmë më pak gjëra pa e rritur recesionin ekonomik. Propozimet përfshijnë zvogëlimin e kohëzgjatjes të orëve të punës në javë, puna me më pak presion, pushimet vjetore më shumë se një në vit, kontributet shtesë, dalja në pension më herët etj.

Ndryshimi shoqëror mund të vijë nga shumë shtresa shoqërore, si edhe nga qeveritë. Por, detyra kryesore për të gjithë është të kërkojmë që format e reja sociale të vijnë nga një pikëpamje etike dhe morale, që vlerëson kujdesin, jetën dhe demokracinë.

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

R ZH

Lajmet e fundit

Loading...