Shkup, 30 prill – Halil Snopçe, deputet nga krahu i Aleancës për Shqiptartë, i udhëhequr nga Arben Taravari, sot tha se përfaqësuesit e partisë nuk ishin të ftuar në mbledhjen e djeshme të Koalicionit qeveritar “VLEN”. Snopçe para mediave theksoi se nuk e di se çfarë vendime janë marrë në këtë mbledhje.
“Nuk kam informacion zyrtar nga shërbimet e Kuvendit, nëse ata nëntë deputetë kanë kërkuar grup të veçantë parlamentar. Nëse kjo është e vërtetë, kjo nënkupton se Aleanca për Shqiptarët mbetet me pesë deputetë”, tha Snopçe.
Ai shtoi se ende ai është koordinator i grupit parlamentar i “Vlenit” nga 14 deputet, sepse ende nuk është formuar një grup i ri parlamentar.
“Nëse me nëntë nënshkrime i drejtohen Kuvendit se kanë formuar një grup të ri parlamentar, atëherë, automatikisht ne do të veprojmë me grupin tonë parlamentar prej pesë deputetësh”, tha ai.
Snopçe theksoi se si parti janë të hapur për të gjitha opsionet, se Aleanca për Shqiptartë mund të jetë edhe opozitë, por, theksoi, “nëse ata janë jashtë Qeverisë, kjo do të thotë nevojën e zgjedhjeve të reja parlamentare”.
“Ajo Qeveri do të jetë e paqëndrueshme me vetëm nëntë përfaqësues shqiptarë”, tha ai.
Koalicioni Vlen dje paralajmëroi moratorium për të gjitha aktivitetet politike publike të partive që e përbëjnë atë dhe njoftoi se që tani e tutje do të veprojë si një subjekt i vetëm politik.