Shkup, 9 maj – Sot më 9 Maj shënohet Dita e Evropës, e cila përkujton paqen, unitetin dhe vizionin për një të ardhme të përbashkët evropiane. Maqedonia e Veriut si vend që aspiron anëtarësimin në BE këtë ditë duhet ta shënojë e festojë me shpresë që shumë shpejt kjo fest të ketë kuptim e sens praktik. Pasi, ndryshe do të shënohej kjo ditë e do të festohej nga qytetarët kur të paktën vendi do të ishte afër këtij procesi apo brenda kësaj familje. Nëse sot po festojmë e urojmë kur negociatat do të filllojnë? shkruan Zhurnal.
Rrugëtimi i Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian –
9 Maji, Dita e Evropës, përkujton paqen, unitetin dhe vizionin për një të ardhme të përbashkët evropiane. Kjo ditë nuk është vetëm simbol i bashkimit të kontinentit, por edhe një pikë reflektimi për vendet që vazhdojnë të besojnë dhe të punojnë për t’u bërë pjesë e këtij bashkimi. Vendi ynë i bashkohet urimeve për këtë ditë, duke shprehur edhe një herë përkushtimin e saj për të qenë pjesë e familjes evropiane.
Të jesh anëtar i Bashkimit Evropian nuk është vetëm një status politik. Është përgjegjësi, ndikim dhe mundësi për të ndërtuar politika të përbashkëta që sjellin përparim për të gjithë qytetarët. Pesha e një shteti anëtar reflektohet në aftësinë për të bashkëvendosur mbi çështje kyçe të kontinentit dhe për të qenë pjesë aktive në zgjidhjen e sfidave globale.
Për Maqedoninë e Veriut, rruga drejt BE-së po bëhet e gjatë dhe shpesh e vështirë. Megjithatë, përkushtimi ndaj reformave, respektimi i vlerave evropiane dhe qëndrueshmëria institucionale tregojnë se vendi është i gatshëm për hapin e radhës, fillimin e negociatave të mirëfillta për anëtarësim. Kjo mbetet një ëndërr e përbashkët e qytetarëve dhe institucioneve, e cila meriton të bëhet realitet. Megjithatë, institucionet janë ato që e kanë këtë përgjegjësi mbi supet e tyre që këtë ëndërr ta realizojnë.
Në këtë Ditë të Evropës, përveç urimeve për paqe dhe unitet, lind edhe pyetja e natyrshme: kur do të vijë momenti që Maqedonia e Veriut të festojë zyrtarisht fillimin e negociatave me BE-në? Ky është një moment që i takon jo vetëm historisë së vendit tonë, por edhe besimit në një Evropë që mban premtimet dhe përkrah të ardhmen e përbashkët. Deri atëherë, mbetet i palëkundur besimi se vendi ynë do ta zërë vendin që i takon, në tryezën e barabartë të shteteve evropiane.
Sfida e radhës për RMV-në mbetet anëtarësimi i plotë në BE –
Maqedonia e Veriut si shtet i pavarur nga 8 shtatori i vitit 1991, është pozicionuar në drejtim të anëtarësimit në BE si veprim strategjik i domosdoshëm për zhvillim të shtetit. Pra, rrugëtimi i Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian ka filluar menjëherë pas pavarësimit, ndërsa zyrtarisht më 17 dhjetor të vitit 2005 Këshilli Evropës vendosi që Republikës së Maqedonisë, atëherë, ndërsa sot RMV-së, statusit shtet kandidat për anëtarësim në BE. Më 17 dhjetor të po këtij viti, 2023, RMV mbush plot 18 vite po me të njëjtin status vetëm shtet kandidat, pa marrë datën për fillim të negociatave.
Por, a është i nevojshëm ose i mjaftueshëm vetëm aplikimi e interesi i një shteti për t’u anëtarësuar në BE?, sigurisht që jo. Bëhet fjalë për disa kushte që duhet plotësuar secili shtet i interesuar për t’u bërë pjesë e familjes së madhe evropiane. Mirëpo, për çfarë kushtesh bëhet fjalë, flitet për kushte që janë vështirë për t’u plotësuar apo mungesë e seriozitet të shteteve kandidate në përgjithësi, e në veçanti të shtetit tonë?, janë çështje të diskutueshme
Kujtojmë se, pengesa më e madhe për mos marrjen e datës për fillim të negociatave me BE-në për Maqedoninë e Veriut është shteti Bullgar. Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat Bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito, si dhe kjo e fundit që populli bullgar të futet si pjesë integrale në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut. E për këtë RMV-së u janë kërkuar të bëhen ndryshime kushtetuese, të cilat nuk po bëhet dot pasi nevojitet dy e treta e votave të deputetëve në Kuvend. /Zhurnal.mk