Shkup, 31 tetor – Përfundon masa për kufizimin e marzhave të fitimit të një pjese të produkteve ushqimore bazë, që ishin pjesë e të ashtuquajturës shportë konsumuese të vjeshtës. Vendimi u mor nga Qeveria në gjysmën e dytë të shtatorit, ndërsa me të u përfshinë 73 produkte ushqimore bazë, marzha bruto e fitimit të të cilave u kufizua në 10 për qind në tregtinë me shumicë dhe pakicë.
Qeveria paralajmëron se do të kundërshtojë ashpër nëse çmimet rriten sërish. Pas ministrit të Ekonomisë, edhe kryeministri Hristijan Mickoski pardje paralajmëroi se do t’i përdorin të gjitha mjetet që kanë në dispozicion për të mbrojtur standardin e qytetarëve.
“Nëse muajin e ardhshëm kemi rritje drastike të çmimeve, do të marrim masa më të rrepta”, tha Durmishi.
Nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë ku e përpunojnë shportën konsumatore sindikale me tregues se sa janë shpenzimet minimale të një familjeje katër anëtarëshe, thonë se masa e Qeverisë nuk i ka dhënë rezultatet e dëshiruara sepse tregtarët kanë mashtruar.
Nga LSM-ja mbeten të qëndrimit se gjatë krijimit të masave, Qeveria duhet të përfshijë edhe sindikatën, ndërsa janë të nevojshme edhe kontrolle më të mëdha dhe gjoba për tregtarët e pandërgjegjshëm.
