Agjencia Zhurnal.mk
Shqipëri

Sot vendimi – A do kthejë Rama kufizimet deri në zgjedhje?

Kryeministri paralajmëron shtimin e masave kufizuese, ndërsa zbuloi vendimin që do të marrë sot Komiteti i Ekspertëve. Rama i rriti tonet për aktivitetet politike të Opozitës, dhe foli për ndëshkime të forta. Ai u bëri thirrje shefave të komisariateve të ushtrojnë kontroll. A do të kufizohen lëvizjet deri në zgjedhje, dhe a i volit kjo politikisht rilindjes?

Kryeministri Rama, paralajmëroi dje vendimin që do të marrë sot Komiteti i Ekspertëve për pandeminë. Edhe pse supozohet se ata janë autonomë në punën e tyre, shefi i qeverisë e zbuloi një ditë më parë se çfarë ata do të shpallin sot. Që është shtimi i masave dhe i kufizimeve. Gjasat janë që të ketë ndalim të qarkullimit dhe fasha e orarit të ulet me disa orë.

Po ashtu, Rama ka qenë kërcënues për aktivitetet politike, me theks te takimet e Opozitës. Ai ka thënë që do të ashpërsohen ndëshkimet. Më e rënda ishte se, kryeministri do t’u kërkojë llogari shefave të komisariateve nëse po e kontrollojnë si duhet territorin. Ky është një moment shumë abuziv dhe arbitrar, pasi mund të çojë në përplasjen e opozitës me policinë, teksa fushata për zgjedhjet ka nisur, dhe askush nuk mund të kontrollojë me numër fiks se sa njerëz mblidhen në një aktivitet.

Një tezë e besueshme është që Rama të rrisë masat dhe kufizimet e t’i mbajë ato në fuqi deri në zgjedhje, një përpjekje kjo për të shkurajuar aktivitetet e kundërshtarëve politikë. Po sa mund t’i volisë kjo Kryeministrit të një vendi ku zemërimi është në kulm. Kufizimet dhe ndëshkimet me shumë mundësi do të rrisin edhe më shumë revoltën.

RËNDOHET SITUATA
Pandemia, sot masa të reja, pritet zgjatimi i orës policore

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi dje se të mërkurën do të vendosen masa të reja kufizuese për të ndikuar në parandalimin e përhapjes së pandemisë. Pritet që të zgjatet ora policore, e cila aktualisht është nga ora 22:00 deri në 6:00 të mëngjesit. Gjithashtu pritet që të rriten penalizimet për bizneset që nuk zbatojnë rregullat anti-covid. Situata në vend është e rëndë pasi infektimet ditore kalojnë shifrën 1 mijë dhe po preken rëndë dhe moshat e reja.

Sot do të mblidhet Komiteti Teknik dhe do të bëjnë propozimet për masat e reja. Rama theksoi se më shumë se sa numrat, më shumë shqetësuese është moszbatimi i masave aktuale që çon në problemet e tjera. Sipas tij, masat nuk i shmangin dot infektimet, por ulin ritmin e tyre duke garantuar që sistemi i përgjigjet nevojës së njerëzve për të marrë shërbimin shëndetësor. “Çështja e infektimeve është thënë e stërthënë nga gjithë bota. Masat nuk e shmangin dot infektimin.

Masat shërbejnë vetëm për të ulur ritmin e infektimit dhe për të garantuar që sistemi iu përgjigjet nevojës së njerëzve për të marrë shërbim. Infektimi do të mbarojë kur të mbarojë vaksinimi. Kaq e thjeshtë është kjo. Se u mbyll Gjermania, u mbyll shumë fort në fundvitin e kaluar, pati rritje të numrit të infektimeve, që u bë objekt i diskutimit.

Këto janë masat që i sugjerojnë jo gazetarët e analistët, politikanët, por ekspertët. Ne veprojmë mbasi kemi dëgjuar me vëmendje”, -tha Rama. Kreu i qeverisë shtoi se “jemi të shqetësuar për numrat, por për faktin që moszbatimi i masave mund ta çojnë numrat përtej parashikimit. Nëse nuk do të kishim marrë masat në fundvit, numrat do ishin të mëdhenj. Këto janë efektet e vikendeve masive në Korçë e Gjirokastër. S’mund të ndalojmë jetën e njerëzve. Nuk mund të di sa kohë duhet të presim mbyllur. S’mund të rrimë mbyllur, virusin do e asgjësojë vaksina”.

“Tirja”, Rama merr meritat
Kryeministri Edi Rama u ndal te skandali abuziv te spitali Covid-2 “Shefqet Ndroqi” me sanitaren Tire Alldervishi dhe infermieret e arrestuara për zhvatje të një pacienti të sëmurë. Por, ai mori meritat për zbulimin dhe dënimin e personelit të përfshirë duke harruar se ishte media që e zbuloi këtë rast. Por, Rama iu bëri thirrje të gjithë qytetarëve të denoncojnë çdo rast abuzimi te qeveria, duke shkruar edhe në numrin e tij, të ministres, apo të policisë. “Ajo formë barbare abuzimi shkon përtej korrupsionit. Është torturë dhe torturë çnjerëzore.

Unë nuk jam askush që të gjykoj një njeri si vajza e të ndjerës, që e gjendur në atë situatë ankthi dhe nevoje për nënën, ka mbetur në rrethin vicioz të kurthit të ngritur nga një sanitare, që meritonte realisht rolin negativ në një film për skemën e mashtrimit që ka ngritur, por dua të përfitoj nga rasti t’iu them të gjithëve që mund të ndeshen me të tilla monstra, që të mos bien në kurthin e tyre dhe të denoncojnë, të sfidojnë drejtuesit e spitaleve, t’i sfidojnë duke ua bërë me dije atë që po ndodh.

Numrin tim të telefonit e përdorin mijëra njerëz dhe në shumë raste për lloj-lloj mesazhesh që janë humbje kohe, humbje energjish, por mund ta përdorin lirisht ata që denoncojnë, ashtu si dhe numrin e ministres, të policisë. Nëse nuk besojnë asnjë nga këto le t’iu drejtohen mediave investigative, pa pritur të bien pre e këtyre lloj kurtheve, ku abuzohet edhe me faktin që ka apo s’ka ushqim. Iu lutem të gjithëve të bashkohen me mua në shpresën, besimin dhe kontributin për t’i çuar në burg të gjithë ata që mund të jenë si këta”, deklaroi Rama.

Rama paralajmëron gjoba për partitë
Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se do të vendosë sanksione për të gjitha forcat politike që do të thyejnë rregullat anti-Covid gjatë takimeve elektorale. Kreu i Shtetit tha se të gjithë i shkelin rregullat, nga Presidenti, PD dhe PS. Gjobat, tha Rama, do të jenë personale për çdokënd që shkel ligjin. “Partitë politike bëjnë takime në shkelje të plotë të rregullave.

Këtu nuk përjashtoj asnjë, pavarësisht se kam dhënë porosi për të gjithë strukturat, deputetë dhe kandidatë për deputetë që t’i përmbahen rregullit dhe të mos kenë më shume sesa 10 persona bashkë. Shkeljet i bëjnë të gjithë, që nga presidenti, te PD, te ndërmarrja e gruas së presidentit edhe te PS, edhe të tjerë akoma. Nesër (sot) do presim konkluzionet e komitetit dhe pastaj bashkë do zbatojmë çfarëdo që të sugjerojë komiteti, me rishikimin e gjobave për lokalet do të shikojmë edhe sanksionet për partitë politike pa asnjë përjashtim.

Të jeni të sigurt që çdo denoncim që do të bëhet publik, nga çdo takim i kujtdo qoftë do të ndëshkohet dhe do ndëshkohen me gjobë që të gjithë ata që i bëjnë këto takime, qofshin ministra, deputetë, opozitarë rrugore, qoftë presidenti, kushdo qoftë. Unë personalisht jam strikt në këtë për veten time dhe nuk ka arsye që të tjerët të mos bëjnë të njëjtën gjë. Nuk është çudi, është thjesht të zbatosh ligjin”, tha Rama. Një apel kishte edhe për policinë: “Policia e shtetit duhet të bëjë detyrën me të gjithë njësoj. Nuk duhet të tolerojë askënd, asnjë politikan, duke filluar nga ata të PS nëse shkelin rregullat.”

Postime të ngjashme

Këshilltari gjerman i Bashës i shkruan ambasadores Yuri Kim: Berisha ka bërë shumë për perëndimin dhe Shqipërinë, ai është një njeri i SHBA dhe BE dhe s’ka lidhje me krimin

D V

Shqipëri, temperaturat gjatë ditëve të ardhshme pritet të shkojnë deri në 43°C

D V

Ministria e Shëndetësisë konfirmon mbërritjen e variantit “delta” të COVID në Shqipëri

D V

Situata e Covid 19 në vendin tonë; Rastet e reja në 24 orët e fundit

D V

Varianti “Delta” hyn në Shqipëri, reagon Manastirliu: Vaksinimi, arma më e fuqishme

D V

Rama pas aksidentit në Kroaci: Fatkeqësi pikëlluese për humbjen e vëllezërve dhe motrave nga Kosova

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...