Kreu i Komisionit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Bardh Spahia u shpreh sot, në një dalje për mediet, se mazhoranca po kërkon kalimin me urgjencë të projektligjit “Për barazinë gjinore”.
Spahia pohoi se anëtarët e PS-së gjatë punimeve të komisionit kanë tentuar që të ndryshojnë rendin e ditës, ndërsa më pas kanë bojkotuar mbledhjen.
Sipas Spahisë, sot Komisioni për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale u përball me një situatë të paprecedentë në historinë e këtij komisioni, pasi u tentua që në rendin e ditës të përfshihej projektligji “Për barazinë gjinore”.
“Pas debateve dhe diskutimeve të shumta për ndryshimin e rendit të ditës, në cilësinë e kryetarit të Komisionit pranova kërkesën e anëtarëve socialistë për ta hedhur në votë shtimin në rend dite të projektligjit “Për barazinë gjinore”, kërkesë që u rrëzua me votë”, vijoi Spahia.
Spahia e konsideroi absurde një situatë të tillë, ku përfaqësuesit dhe iniciatorët bojkotojnë dhe tentojnë ta bllokojnë mbledhjen e komisionit, pasi propozimi i tyre nuk u miratua me votë.
Sipas Spahisë, “në mënyrë të orkestruar anëtarët e mazhorancës socialiste duke mos pasur numrat, tentuan të bllokojnë zhvillimin e punës së komisionit dhe të ushtronin presion politik ndaj përfaqësuesve të Ministrisë së Shëndetësisë”.
Kryetari i Komisionit për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale, nënvizoi se zanafilla e kësaj situate është urgjenca për të kaluar projektligjin e shumëdebatueshëm të “Barazisë Gjinore”, i cili hap rrugën lejimit të vetidentifikimit dhe njohjes së më shumë se dy gjinive, duke shkatërruar bazat e familjes shqiptare.
“Ky projektligj, në gjykimin tonë dhe në gjykimin e shumicës dërrmuese të qytetarëve, është kundër interesit të shqiptarëve pasi qëllimisht kërkon të ndryshojë konceptin bazë të shoqërisë sonë, familjes tradicionale e përbërë nga bashkimi natyror midis një burri dhe një gruaje, duke shkatërruar binaritetin e dy gjinive bazë, në mënyrë që të hapë rrugën e njohjes nëpërmjet vetidentifikimit, më shumë se dy gjinive”, përfundoi Spahia.
