Agjencia Zhurnal.mk
Shqipëri

“SPAK po lëviz”, mesazhet e Yuri Kim para zgjedhjeve: Mos kandidoni kriminelë, jo celularë në qendrat e votimit

Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, zonja Yuri Kim tha se është e interesuar te rezultatet që pret nga Reforma në Drejtësi dhe dënimi i të korruptuarve dhe jo te deklaratat propagandistike. E ftuar në studion e emisionit “Real Story” me gazetarin Sokol Balla në “News 24”, ambasadorja Kim tha se Reforma në Drejtësi do të ndëshkojë të korruptuarit për t’i hapur rrugë një shteti të së drejtës dhe zhvillimit të biznesit.

Ajo tregoi dhe mesazhet që i ka dhënë kreut të KQZ-së, Ilirian Celibashit, lidhur me kandidatët në zgjedhjet e 25 prillit. Pa përmendur emra kandidatësh, zonja Kim tha se partitë nuk duhet t’i paraqesin zgjedhësve kriminelë që kanë një të shkuar të errët. “Kur një parti përjashton dikë, sepse ai person nuk kaloi vetingun në partinë e tyre, ai person nuk duhet marrë nga një parti tjetër për avantazh politik. Kjo nuk është e pranueshme dhe ky është pozicioni i Ambasadës së SHBA-së, por besoj është edhe pozicioni i popullit shqiptar”, ishte mesazhi i qartë i zonjës Kim për listat e kandidatëve për deputetë.

Këtë vit ju desh të merreshit edhe me shqiptarë jo të zakonshëm, të paktën situatë jo normale në Shqipëri, erdhët këtu kur kishim një krizë të thellë politike dhe në fakt, janarin e kaluar, diçka filloi të ndryshonte, me një lloj marrëveshjeje mes partive dhe pastaj erdhi marrëveshja e qershorit, ku roli juaj ishte i dukshëm. Mbaj mend që tundët marrëveshjen, duke i bërë thirrje z. Lulzim Basha të vinte ta nënshkruante. Pra, ka qenë vit i suksesshëm për ju, supozoj?

Mendoj ka qenë një vit plot ngjarje për marrëdhëniet SHBA-Shqipëri dhe mendoj se jemi të kënaqur që mundëm të kishim një rol mbështetës, por merita nëse ka meritë, i shkon popullit dhe udhëheqësve shqiptarë. Mendoj se në shumë mënyra, prodhuan rezultate. Puna nuk ka mbaruar ende, por mendoj është shumë e qartë që udhëheqësit morën angazhime përpara meje, SHBA-së, popullit shqiptar, dhe prodhuan rezultate. Për shembull, vitin e kaluar Gjykata Kushtetuese nuk ishte funksionale, tani është funksionale. Nuk është ende e përsosur, por funksionale, një hap madhor përpara për reformën në drejtësi. Së dyti, SPAK-u tani është funksional. Nuk po lëviz aq shpejt sa mendoj do shpresonin njerëzit, por po lëviz dhe mendoj është diçka e rëndësishme. Së treti, BKH-ja është institucionalizuar, inspektorët janë marrë në punë dhe mendoj gjërat do fillojnë të lëvizin. Dhe nuk janë vetëm këto. Siç ua kam thënë, për mua, në Shqipëri kemi tri prioritete: demokraci, mbrojtje dhe biznes. Fola për pjesën e demokracisë. Për mbrojtjen, këtë vit do të kemi diçka me shumë rëndësi dhe jam e kënaqur t’ju flas pak më shumë për të. Është hera e parë që e përmend në publik, por do të kemi atë që e quajmë stërvitjen ushtarake “Defender 21”. Do të jetë një stërvitje e drejtuar nga Ushtria e SHBA-së në Europë dhe do të përfshijë rreth 26 vende të ndryshme, 30 mijë trupa. Do të jenë ndoshta 6 mijë trupa që do të kalojnë nëpër Shqipëri në maj dhe qershor dhe javën e ardhshme, zëvendëskomandanti i Ushtrisë Amerikane për Europën dhe Afrikën do të jetë këtu për të informuar udhëheqësit e vendeve dhe publikun se çfarë është kjo stërvitje. Pra, shumë domethënëse. Së treti, për biznesin, ju kujtohet vjet, më 3 tetor, nënshkruan një Memorandum historik dypalësh për Bashkëpunimin Ekonomik. Dhe nuk janë vetëm fjalë. Brenda një ore, aty në vend, “Bechtel”, një kompani kryesore amerikane në botë, nënshkroi një Memorandum Mirëkuptimi me Qeverinë Shqiptare për të parë se ç’mund të bëjmë për të ndërtuar hidrocentralin e Skavicës. Pra, këta janë tregues shumë të mirë dhe jam e emocionuar për çfarë do të bëjmë në vitin 2021.

Pra, cili është mesazhi këtu dhe pse në Shqipëri?

Do të përfshihen 26 vende të ndryshme që do të dërgojnë trupa. Nuk e di nëse të gjitha do të kalojnë këtu, por 6 mijë do të jenë këtu. Ajo që do të ndodhë është që stërvitja do të zhvillohet në shumë vende të ndryshme, jo vetëm në Shqipëri. Edhe vendet e tjera të Ballkanit do të jenë pjesë e stërvitjes dhe deri në Baltik. Ideja e stërvitjes është të zhvillojë bashkëpunimin dhe ndëroperabilitetin mes aleatëve, që të kemi aftësinë të shkojmë nga Adriatiku deri në Detin e Zi. Pra, është diçka madhore.

Zonja ambasadore, na keni dhënë shumë mësime historie dhe Amerika ka qenë dhe do të jetë gjithmonë një pasqyrë ku shohim veten dhe përmirësojmë veten. Në këtë kuptim, çfarë mësimi mund të marrim nga çfarëdo përjetuat para, gjatë dhe pas 6 janarit?

Mendoj se mësimet e përvojës së Amerikës gjatë javëve dhe muajve të fundit janë se demokracia nuk është e lehtë. Nuk është e lehtë për askënd. Nuk është e lehtë në SHBA, nuk është e lehtë në Shqipëri apo kudo tjetër në botë. Ky është mësimi i parë. I dyti është që është me rëndësi dhe me vlerë dhe duhet të luftosh për të. Dhe e treta është që institucionet kanë rëndësi, udhëheqësia ka rëndësi ndaj, për mua, kur shoh Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jam krenare për faktin se ia dolëm ta kalonim këtë test shumë të vështirë dhe mendoj se e kaluam.

Pse po vizitoni kaq shpesh zyrën e z. Celibashi, kreut të KQZ-së? Ju reaguat dy herë, një “retweet” me koment, që na kujtonte ne ose ata, në fakt jo ne, por ata, politikanët për listën e zezë të Departamentit të Shtetit. Çfarë lidhje ka midis kësaj dhe procesit zgjedhor?

Kur takohem me shqiptarë të zakonshëm, një nga gjërat që pothuajse të gjithë përmendin është korrupsioni në politikë e biznes. Ata flasin se duan politikanë më të mirë që t’i përfaqësojnë dhe njerëzit janë të mençur, e dinë çfarë ndodh. E dinë se kush është kush. Ka ligje që Shqipëria i ka për dekriminalizimin që ndalon kandidimin e personave të dënuar apo zgjedhjen e tyre në Parlament. Por ka edhe individë të tjerë që janë të njohur që të ulen në kuvendin e popullit, duke bërë legjislacion e ligje, apo jo? Dhe këtë përpiqem të vë në dukje, ndaj mendoj se udhëheqësit e partive duhet të marrin përgjegjësitë. Kam vënë re që sa herë flas për këtë, secili pretendon sikur unë flas për palën tjetër. Dhe më duhet të them, dua të jem shumë e qartë, po flas për ty. Po i flas z. Rama në cilësinë e tij si kreu i PS-së, po i flas z. Basha si kreu i PD-së, po i flas edhe znj. Kryemadhi, po i flas kujtdo që drejton një parti politike. Është përgjegjësia juaj dhe po ju flas juve. Pra, askush nuk mund të ngatërrohet sikur po i flas palës tjetër. Dhe diçka tjetër. Dëgjoj edhe për njerëz në partitë politike, udhëheqësit politikë në veçanti, duhet të luajnë ndershëm dhe duhet të jenë të ndershëm. Dhe një element i kësaj është se kur një parti përjashton dikë, sepse ai person nuk kaloi vetingun në partinë e tyre, ai person nuk duhet marrë nga një parti tjetër për avantazh politik. Kjo nuk është e pranueshme dhe ky është pozicioni i Ambasadës së SHBA-së, por besoj është edhe pozicioni i popullit shqiptar. Mendoj se duan politikë më të pastër. Mendoj se duan gjykata më të pastra. Mendoj se duan udhëheqësi të vërtetë, të ndershme nga partitë politike dhe unë jam me ta.

Në fakt, ju keni lista të ndryshme të zeza. Është një e shkurtër e Departamentit të Shtetit drejtpërdrejt, por edhe një listë e gjatë, me qindra gjyqtarë dhe politikanë, të cilëve SHBA-ja iu ka refuzuar ose revokuar vizat. A duhet që këta persona të përjashtohen nga mundësia për t’u zgjedhur, përzgjedhur dhe pastaj zgjedhur në Parlamentin shqiptar?

Mendoj se partitë politike, thjesht për faktin se janë udhëheqëse nga natyra, duhet të udhëheqin. Dhe duhet të vendosin se për çfarë është partia e tyre. Dhe duhet të vendosin se çfarë meritojnë votuesit e tyre. A meritojnë kriminelë votuesit? A meritojnë ata njerëz që njihen se janë përfshirë në aktivitete të këqija? Këtë duhet ta vendosin. Duhet t’iu paraqesin njerëzve një listë për të cilën ato, partitë, mund të jenë krenare dhe duhet të paraqesin një listë për të cilën populli shqiptar, Shqipëria mund të jenë krenarë.

Një nga çështjet që kemi dhe ndoshta e dini tashmë, në këtë vend është që kushdo që fiton zgjedhjet ose kushdo del fitues, pala tjetër menjëherë nuk e njeh rezultatin. Dhe dikush që mund të humbë zgjedhjet mund të thotë, e shihni çfarë ndodhi në Amerikë? Edhe atje rezultati nuk u njoh nga pala tjetër. Pra, cili është mesazhi këtë herë? A duhet ta pranojë rezultatin pala humbëse? Çfarëdo që del nga institucionet? Çfarëdo që del nga gjykata?

Po. Mendoj së pari, pjesëmarrja e plotë është e rëndësishme. Asnjë parti nuk duhet të largohet. Mendoj nuk duhen përsëritur gabimet e së shkuarës. E dyta është që duhet të marrin pjesë për t’u siguruar që masat e marra për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme janë zbatuar. Dhe së treti, e dini, politika është një fushë emocionuese dhe njerëzit luftojnë fort dhe në fakt mendoj kjo është gjë e mirë. Por, siç e pamë në rastin e SHBA-së, ti lufton fort, dënon kur ka veprime të paligjshme, vendos kufirin te dhuna por sigurisht, liria e shprehjes dhe grumbullimit janë me rëndësi për t’u respektuar. Dhe së fundi, kur procesi të jetë shteruar, i pranon rezultatet në mënyrë të hijshme. Pra, më 20 janar, Presidenti Biden u betua si Presidenti ynë dhe mendoj se ky është një rezultat për të cilin të gjithë ne mund të jemi krenarë.

Zgjedhja e anëtarëve të fundit të Gjykatës sonë Kushtetuese, siç jam konsultuar me njerëz që i njohin rregullat, kaloi nëpër parregullsi përsëri. Nuk u zgjodhën mes tre kandidatësh, ose kishte një kandidat të vetëm ose dy kandidatë. Megjithatë, kushdo i kishte kundërshtuar këto parregullsi më parë, këtë radhë ishte në rregull. Presidenti Meta e kishte kundërshtuar, por tani ishte në rregull. Demokratët e kishin kundërshtuar, por tani ishin në rregull. Socialistët, njësoj. Pyetja ime është, a ka rëndësi të kemi një Gjykatë Kushtetuese më të mirë, apo thjesht ta kemi atë?

Mendoj se njerëzit duhet të presin një Gjykatë Kushtetuese që funksionon me kredibilitet, me pavarësi dhe me integritet. Ky vend ka qenë pa Gjykatë Kushtetuese për pothuajse tre vjet. Është qesharake. Dhe mendoj që, s’dua fare të jem cinike, por ndonjëherë mendoj se kërkesa për përsosmëri është një mënyrë për të penguar përparimin. Mendoj se edhe Komisioni i Venecias e njohu këtë dhe në opinionin që dha, e bën shumë të qartë që ky është një problem urgjent që kërkon një zgjidhje urgjente dhe se institucionet përgjegjëse duhet të punonin bashkë. Dhe, këtë bënë. Keni të drejtë, nuk është një zgjidhje e përsosur, por mendoj është zgjidhja e nevojshme dhe është një zgjidhje praktike. Tani, Gjykata Kushtetuese ka kuorumin e duhur, janë mbledhur dhe me sa kuptoj, kanë nxjerrë vendimin e parë.

Zonja ambasadore, të ndalemi pak te reforma në drejtësi. Këtu mendoj se mund të flisni shumë më hapur, sepse mendoj është investimi më i madh që ka bërë SHBAja në Shqipëri nga viti 1991, besoj, kur ndihmuat rivendosjen e demokracisë në vend. Si po shkon procesi, sepse ka shumë njerëz që ankohen, e dini, se po shkon ngadalë, institucionet nuk janë ngritur, rezultatet s’kanë ardhur ende, pra, na jepni disa mesazhe më shpresëplota.

Dakord, siç thamë në fillim të intervistës, vura në dukje gjërat që kanë ndodhur gjatë vitit të kaluar, kur e filluam vitin pa një Gjykatë Kushtetuese funksionale. Tani Shqipëria ka një gjykatë që funksionon. Duhen edhe nja dy gjyqtarë për të pasur anëtarësinë e plotë me nëntë dhe mendoj se palët do të punojnë për këtë, institucionet përgjegjëse. SPAK-u nuk kishte filluar të funksiononte, tani funksionon. Ka disa çështje që po shqyrton. Nuk e di cilat janë, e vendosin ata. Dhe tani sigurisht kemi BKHnë që funksionon me hetuesit e saj. Pra, ka lëvizje. Mendoj që shqiptarët kanë të drejtë të ndihen të paduruar. Kanë qenë pa drejtësi të vërtetë për tepër kohë dhe kanë të drejtë të kenë padurim, kanë të drejtë të kërkojnë veprim më të shpejtë dhe mendoj se do të shohim ca nga kjo gjatë vitit 2021.

Pra, po thoni se do të shohim disa peshq të mëdhenj në rrjetë këtë vit?

Unë nuk bëj ato marifete marrëdhëniesh me publikun. Unë jam e interesuar në rezultate. Prandaj, ju e dini, unë nuk bëj premtime të mëdha. Gjithçka mund t’ju them është se Shtetet e Bashkuara e kanë shumë seriozisht reformën në drejtësi, se e kemi shumë seriozisht korrupsionin, se e kemi shumë seriozisht ndërtimin e një marrëdhënieje me Shqipërinë, e cila është e fortë në demokraci, mbrojtje dhe biznes. Dhe jua lë juve në dorë të gjykoni, bazuar në fakte, se sa përparim është bërë apo nuk është bërë. E kam thënë këtë edhe më parë, uroj që njerëzit të mos shpërqendrohen nga propaganda dhe ekzagjerimet. Njerëzit duhet të bazohen në fakte.

Unë jam një nga ata njerëz që ende mbështes fuqimisht reformën në drejtësi. Ajo ka mbërritur në momentin kur, në fakt, duhet të shohim rezultate, prandaj dhe po këmbëngul te ju me këtë pyetje.

Po, mendoj se po filloni të shihni rezultate. Keni parë disa çështje të mëdha të nisin duke filluar nga vera e kaluar dhe ajo që ndodh në fund është bërja e dallimit midis propagandës dhe faktit. Ka disa, të cilët duan që ju të besoni se Shqipëria ka qenë gjithmonë e korruptuar dhe se do të jetë gjithmonë e korruptuar dhe se nëse nuk jeni dakord, ju jeni naiv. Epo, kam një lajm për ju, kjo nuk është normale dhe kjo nuk është mënyra se si ka qenë gjithmonë Shqipëria. Unë besoj te Shtetet e Bashkuara dhe arsyeja përse besoj në Shtetet e Bashkuara nuk është sepse ne jemi perfekt, por sepse përpiqemi të përmirësohemi. Unë besoj te Shqipëria për të njëjtën arsye. Ky nuk është vend i përkryer. As Shtetet e Bashkuara nuk janë, por unë mendoj se populli shqiptar ka mjaftueshëm pasion dhe përkushtim për të sjellë ndryshim. Unë shoh historinë tuaj. Shqipëria është toka e Skënderbeut. Ju i bëtë ballë Perandorisë Osmane kur askush tjetër nuk e bëri. Shqipëria është toka e besës dhe sot ndodh të jetë Dita e Përkujtimit të Holokaustit, por ju jeni i vetmi vend në Europë, i cili në fund pati më shumë hebrenj se sa në fillim, dhjetëra herë më shumë. Askush tjetër nuk e bëri këtë. Ju jeni vendi që refuzuat Enver Hoxhën dhe e zhdukët atë. Mendoj se këto janë me të vërtetë elemente të admirueshme të karakterit shqiptar. Prandaj unë besoj te Shqipëria, besoj te populli shqiptar dhe mendoj se ju kurrë nuk duhet të ndalni së shpresuari. Këta njerëz, të cilët ju thonë se nuk po ndodh asgjë dhe se asgjë nuk do të ndodhë kurrë, nuk janë njerëz të cilët ju tregojnë të vërtetën. Ata po ju thonë një gënjeshtër, në mënyrë që të mund të vazhdojnë me çfarëdo aktiviteti të tmerrshëm ku janë të përfshirë. Mos e humbni shpresën. Shpresa është armë.

Postime të ngjashme

Rama në Liban për riatdhesimin e 19 shqiptarëve

D V

“S’dua të rri më këtu, dua të shkoj në shtëpi”, flet mes lotësh vogëlushja shqiptare në kampin e ISIS-it në Siri

D V

45 raste të reja me COVID-19 në Shqipëri

D V

Mbi 5 mijë turistë vendas e të huaj zgjodhën Thethin në korrik

D V

Video/ Pamjet nga tuneli i Skërficës, Rama: Përfundimi i kësaj vepre infrastrukturore shkurton me 3 orë rrugën nga Tirana në Sarandë

D V

Shqipëria nën ndikimin e të nxehtit afrikan, ja si do jenë temperaturat në fundjavë

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...