Shkup, 6 nëntor – Sektori i Punëve të Brendshme në Tetovë ka dalë me apel për qytetarët, që të jenë të kujdesshëm gjatë sezonit të ngrohjes, gjegjësisht pas rritjes së numrit të zjarreve për shkak të instalimeve elektrike të vjetërsuara, furrave me defekte dhe oxhaqeve të papastruara nëpër shtëpi.
SPB-Tetovë sërish apelon tek qytetarët për vigjilencë maksimale, gjegjësisht të mos i lënë të ndezura aparatet ngrohëse kur nuk ndodhen për një kohë të gjatë në shtëpi apo ambiente të punës, e sidomos jo ngrohëset, kondicionerët apo shporetët me dru. Sepse mjafton vetëm një shkëndijë e vogël për të ndezur një zjarr të madh me pasoja të rënda materiale dhe të tjera. Kjo vlen veçanërisht për ndërtesat e banimit, ku lokalizimi i zjarreve është shumë më i vështirë, për shkak të mungesës së pajisjeve të nevojshme në shumë prej tyre dhe aksesit të vështirë në ndërtesa, kryesisht për shkak të ndërtimit apo arsyeve të tjera”.