Specializantët privat kërkojnë zgjidhje të statusit të tyre

nga Xh M

Shkup, 10 korrik – Specializantët privat janë në pritje të propozimit konkret të Ministrisë së Shëndetësisë për të parë se si dhe në çfarë mënyre parashikohet të bëhet shpërndarja e specializimeve të tyre në sistemin shtetëror shëndetësor. Duke pritur takimin me ministrin e Shëndetësisë për ta dëgjuar propozimin konkret, ata shpresojnë se shpërndarja dhe punësimi i tyre do të bëhet konform vendbanimeve ku ata aktualisht jetojnë dhe kanë krijuar familjet e tyre.

“Presim që të realizohet takimi dhe të shohim se cili do të jetë propozimi i Ministrisë së Shëndetësisë, respektivisht për të parë se si planifikohet të bëhet shpërndarja e specializantëve, a do të bëhet në përputhje të vendbanimeve apo vendeve më të afërta ku jetojnë specializantët. Kolegët janë të hapur dhe të gatshëm për t’u punësuar, megjithatë ato punësime duhet të jenë të arsyeshme në përputhje me vendbanimet ku aktualisht jetojnë specializantët, pasi që shumica prej nesh në të shumtën e rasteve veç më kemi krijuar familjet tona dhe kemi përzgjedhur vendet ku jetojmë.”, – theksoi specializantja private, Hristina Ilioska Çeshlaroska.

Një pjesë e specializantëve mbështesin idenë e ministrit të Shëndetësisë, Arben Taravari, për t’i ndaluar specializimet private. Ata janë të mendimit se kësaj praktike duhet t’i jepet fund duke ofruar zgjidhje dhe oferta të mira për ta.

“Specializimet private aktualisht janë, respektivisht janë përmes thirrjeve të pakontrolluara për specializime në këtë vend, andaj ne themi se jemi pro për t’u vendosur njëfarë kontrolli mbi këtë praktikë, me qëllim për ta parandaluar hiperproduksionin e disa kuadrove mjekësore, të cilët jemi në një numër më të madh.”, – u shpreh specializantja private, Hristina Ilioska Çeshlaroska.

Taravari kohë më parë paralajmëroi se Ministria e Shëndetësisë planifikon të vë rend, kontroll dhe të shfuqizojë specializimet private nga viti i ardhshëm, ku në konsultime me drejtuesit e Fakultetit të Mjekësisë parashikohet të përpilohet strategji e re, ku njëherit do të motivohen mjekët e rinj të vazhdojnë specializimet në drejtimet deficitare si anesteziologji, patologji, radiologji dhe disa fusha të tjera shëndetësore. Specializantët privat tashmë disa muaj me radhë kërkojnë nga autoritetet shëndetësore që t’u rritet kompensimi mujor në përputhje me pagën mesatare, të kenë sigurim shëndetësor dhe t’u rregullohet statusi i tyre i punës në institucionet shëndetësore.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More