Tiranë, 13 nëntor – Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, priti në një takim homologun e Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashin, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në Tiranë. Gjatë takimit, Spiropali tha se çështjet bilaterale mes vendeve kandidate dhe anëtare të BE-së nuk duhet të bëhen pengesë në procesin e anëtarësimit.
“Shqipëria shpreson që Maqedonia e Veriut të zhvillojë sa më shpejt Konferencën e Dytë Ndërqeveritare me BE-në, sepse dy vendet tona janë një vlerë e shtuar për Bashkimin Evropian.”, u shpreh kryetarja e Kuvendit.
Sipas saj, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin kontribut jetik në qeverisje dhe ruajtjen e stabilitetit të vendit dhe kanë rol vendimtar në proceset euroatlantike dhe ruajtjen e orientimit drejt perëndimit dhe vlerave perëndimore.
“Respektimi i gjuhës shqipe dhe të drejtave të fituara të shqiptarëve i shërben kohezionit, mirëkuptimit dhe integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.”, vijoi kryetarja e Kuvendit.
Më pas ajo inkurajoi një klimë më të favorshme të bashkëpunimit ekonomik dhe investimeve të bizneseve shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Për Spiropalin, Korridori 8 është shumë më tepër se një projekt infrastrukturor, është një projekt i madh strategjik, një mekanizëm zhvillimi, bashkëpunimi, integrimi dhe sigurie në rajon dhe më gjerë.