Agjencia Zhurnal.mk.

Stërvitja “Mnela 21”, Peleshi: FA më të afta dhe më të mirëpajisura, shpërblejmë financiarisht pjesëmarrësit në emergjenca

Stërvitjes së përvitshme të batalionit të I të këmbësorisë në Vaun e Dejës sivjet iu bashkuan edhe dy batalione të tjera të Forcës Tokësore, ai i mbështetjes me luftim dhe i III i këmbësorisë. Për më shumë se një javë, batalionet përveç aftësive për t’u zhvendosur larg venddislokimit të përhershëm, testuan në terren edhe veprimet kompaktësuese në nivel skuadre, toge, kompanie dhe batalioni. Në përfundimin e stërvitjes “Mnela 21” mori pjesë edhe ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, i cili shoqërohej nga kryetari i bashkisë së Vaut të Dejës Mark Babani, zëvendësshefja e Shtabit të Përgjithshëm të FA gjeneralmajor Manushaqe Shehu dhe komandanti i Forcës Tokësore gjeneral brigade Arben Kingji.

Ministri Peleshi dhe ushtarakët e lartë panë nga afër jo vetëm veprimet luftarake të ushtarëve në fushë-betejë, por edhe koordinimin e operacioneve nga shtabi i batalionit. Ministri Peleshi vlerësoi rëndësinë e “Mnela 21” si pjesë e kalendarit të stërvitjeve ushtarake të NATO-s dhe vuri në dukje modernizimin vit pas viti të reparteve me armatime dhe pajisje, duke i bërë më të përgatitura forcat tona për të marrë pjesë në misione ndërkombëtare. “Kjo është një stërvitje e NATO-s, një stërvitje që figuron në kalendarin e NATO-s dhe që meriton që të ketë një standard të denjë për këtë Aleancës. Nga stërvitja në stërvitje ne kemi rritje edhe të pajimeve edhe të logjistikës e të kushteve, por mbi të gjitha edhe të përgatitjes suaj, të ushtarakëve tanë, nga ushtari i thjeshtë deri tek shtabi. Kjo nuk është stërvitja e parë dhe as e fundit, por kjo stërvitje ka sjellë risi dhe një nivel më të lartë edhe për shkak se stërvitja “Defender 21” dhe të gjitha pjesëmarrjet tona në misionet ndërkombëtare na kanë rritur besimin se ushtria jonë e një vendi të vogël mund të jetë e denjë ta përfaqësojë vendin në misione ndërkombëtare, natyrisht të kryejë misione operacionale, luftarake, brenda dhe jashtë vendit në misione në kuadrin e NATO-s, BE-së, Kombeve të Bashkuara dhe organizmave të tjera ndërkombëtare.”- u shpreh ai.

Më tej, Peleshi falënderoi efektivët edhe për angazhimin e tyre gjatë situatës së zjarreve dhe i njoftoi ata për vendimin e qeverisë për t’i shpërblyer financiarisht. “Një pjesë dërmuese nga ju morën pjesë dhe në përballimin e emergjencave civile, siç ndodhi dhe me emergjencën e zjarreve të gushtit. Për shkak të kushteve natyrore ne kemi emergjenca në verë dhe në dimër. Pa Forcat e Armatosura do të jetë e pamundur të përballojmë situata të tilla. Ndaj dhe shumë i merituar është vlerësimi që kryeministri i Shqipërisë i ka bërë Forcës Tokësore. Padyshim, nuk është më pak i rëndësishëm shpërblimi material që të gjithë pjesëmarrësit në këto emergjenca, mbi 2000 efektivë do të marrin, siç është vendosur në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të para pak javëve”, nënvizoi Peleshi.

Stërvitja “Mnela 21” shërbeu për të testuar dhe përmirësuar më tej aftësitë e batalionit të I të këmbësorisë si një repart i aftë për të realizuar operacione luftarake mbrojtëse.

Related posts

Arrestimi i tre ish-drejtorëve të Bashkisë së Tiranës, Vangjeli: Këta kanë bërë një gafë të madhe, kanë menduar se

Xh M

Ish-kryebashkiaku i Sarandës, Stefan Çipa paraqitet në SPAK

Xh M

15 vjet në NATO – Meritë e Berishës, apo e konjukturave dhe lobimit të SHBA?

Xh M

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy