STOP injorancës karshi problemit dramatik të pandemisë!

Shkruan, Lirim Begzati

 

Qeveria, shteti, ministria, politika, është kjo një pjesë e listës së fajtorëve, sipas disave ! E fajtorëve të pandemisë, të statistikave dhe masave zyrtare të parandalimit dhe luftimit të kësaj fatkeqësie të një dimensioni botëror. Për keqardhje, edhe shumë absurditete të tjera dëgjohen këtu e aty! Kësaj i shtohen edhe krahasimet e pakrahasueshme dhe analizat “pseudo shkencore”.

E “rastësisht”, harrohet nganjëherë vetvetja, harrohet përgjegjësia individuale dhe kolektive përballë kësaj situate alarmante, përballë një realiteti i cili për me arritur në një nivel bazik të kuptueshmërisë së asaj çka është duke ndodhur nuk besohet aspak se nevojiten studime në Oxford dhe Cambridge!

Nëse ky sqarim hyrës nuk është në përputhje me shijen e gjithkujt, atëherë ky tjetri si vijon më poshtë nuk mundet assesi të kontestohet, kurse ai mund të rezymohet me fjalët “jemi duke përjetuar një situatë dramatike, një gjendje kaotike, të shoqëruar me elemente të shumta të një vetëdijesimi të një niveli vërtetë të ulët, të një niveli të pakënaqshëm” !

Duket se statistikat zyrtare, numri i viktimave, dëshmitë e shumta, nuk mjaftojnë për me u mbushur me mëndë! Nuk mjaftojnë as të dhënat dhe analizat shkencore zyrtare që n’a vijnë nga jashtë, nga institucionet më të përfolura botërore !

Është e vërtetë se industria farmaceutike është e interesuar të realizoi leverdi sa më të larta, shkenca mjekësore shpreh gjithashtu disa hipoteza që lehtë mund të futen në diskutabilitet, edhe në politik hasim ca elemente që nuk hezitojnë për me keqpërdorur nga situata për me e fituar votën ! Është për tu çuditur ? Me siguri se jo, pasi që këtu flasim për një fenomen global, të përhapur në gjithë botën, diku më pakë e diku më shumë! E gjithë kjo nuk do të duhej që të përdoret si pretekst për demonstrimin e njëfarë injorance ndaj problemit të pandemisë.

Ndodhi çka ndodhi këtyre muajve të fundit; u organizuan dasma, ahengje, mbrëmje kulturore, dhe aktivitete të tjera që natyrisht nuk i shkonin përshtati parandalimit të përhapjes së pandemisë. Duhet pranuar këtë konstatim të padiskutueshëm! Mirëpo, është e panevojshme sot të shprehen kritika të njëpasnjëshme lidhur me zbutjen e masave gjatë periudhës verore. Pasi që, po të njëjtën gjë e bënë gati se të gjitha shtetet evropiane, e më gjerë. Në shtetet tjera nuk domethënë aspak se situata ishte më e mirë se sa në viset tona.

Duhet tani të shikohet realiteti i ditëve të sotme, i ditëve të ardhshme, duhet të shkohet përpara, përmes veprimeve të ndërgjegjshme, përmes ngritjes së shkallës së vetëdijesimit, në përputhje me kërkesat që dalin nga kjo situatë dramatike, dhe të cilës nuk i shkon aspak përshtati zgjimi i vonuar!

Pa mos shkuar larg me analiza dhe reflektime, mjafton që të hapen sytë dhe të kuptohet më mirë sa çka ndodhë në rrethin, në lagjen dhe në mjedisin ku jetojmë: numri i infektimeve, numri i viktimave, etj. Nuk duhet domosdoshmërish që dikush apo ndonjë i afërt i ngushtë i familjes të preket pak më drejtpërdrejt nga ky problem, për me e kuptuar pastaj se kjo nuk është “politikë”, siç thonë ato që fatkeqësisht japin se paku përshtypjen se nuk kanë kuptuar asgjë!

Institucionet dhe personeli mjekësor duhet të respektohen pa asnjëfarë rezervë. Me gjithë faktin se përballen me kushte jashtëzakonisht të vështira, ata janë duke bërë një punë të mrekullueshme. Ata nuk meritojnë t’iu nënshtrohen presioneve, provokimeve të padrejta dhe akteve të tjera flagrante që i pengojnë ta ushtrojnë detyrën e tyre dhe që e denigrojnë statusin e tyre profesional.

Vallë, nëse spitalet i kemi në gjendje të mjerueshme, të stërmbushura, nëse mungojnë edhe infrastrukturat elementare mjekësore, shtrohet pyetja se a është vërtetë faji i tyre, i spitaleve dhe i mjekëve ? Do të ishte më së miri që të kërkohen fajtorët diku tjetër, e jo për shembull te mjekët tanë që janë duke e bërë të pamundshmen për me shpëtuar jetën e njerëzve tanë.

Jo pra, nuk është koha për tallje dhe injorancë ndajë pandemisë, as për provokime të pakuptimta, për kritika boshe dhe për akte të papërgjegjshme që e rëndojnë situatën. Pasi që, fundja, të gjitha këto e kanë kuptimin e një shuplake kundrejt vetvetes, ndaj familjes së vetë, ndaj interesave të vendit dhe të popullit të vetë.

Neuchâtle (Zvicër), 24 gusht 2021

Related posts

Shqiptarët dhe pavarësia e Maqedonisë

D V

Kush e “hëngër” Dardaninë shqiptare?

R Zh

Shqiptarët dhe problemet shekullore të shqiptarëve

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com