Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka prezantuar sot Strategjinë Ndërsektorale të Drejtësisë për vitet 2024-2030. Ky dokument strategjik, i hartuar nga Ministria e Drejtësisë, do të shërbejë si udhërrëfyes për zhvillimin dhe zbatimin e reformave në sektorin e drejtësisë në Shqipëri.
Strategjia u prezantua nga Manja, ndërsa të pranishëm ishin edhe drejtues të institucioneve të drejtësisë dhe përfaqësues të trupit diplomatik në Tiranë.
Në fjalën e tij, Manja theksoi se hartimi i strategjisë është mbështetur në një analizë të plotë të historikut të reformave të sistemit të drejtësisë, duke synuar përmirësimin e qasjes në drejtësi, rritjen e besimit të publikut dhe nxitjen e integrimit evropian të vendit.
Në këtë kontekst, sipas ministrit të Drejtësisë, strategjia adreson gjetjet dhe rekomandimet e raporteve të monitorimit, si dhe të gjitha rekomandimet në kuadër të procesit të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Puna për hartimin e strategjisë, filloi menjëherë pas ngritjes së Grupit Ndërinstitucional të Punës, me urdhrin nr. 20, datë 31 janar 2024 të Kryeministrit ku me të gjithë institucionet e përfshira në këtë Grup Pune hartuam objektivat strategjikë, masa dhe aktivitete konkrete, në përputhje me kompetencat e tyre ligjore dhe kushtetuese, si dhe në përputhje me planet e tyre individuale institucionale.
Në kuadër të prioriteteve të reja strategjike u ideuan dhe u prezantuan ne një tjetër tryezë si kjo e sotmja në datën 27 mars 2024, objektivat strategjik të Strategjisë së Re të Drejtësisë, dhe me pas u miratuan në parim shtyllat kryesore të këtij dokumenti të rëndësishëm politikash në Komitetin e Planifikimit Strategjik ne datën 21 qershor 2024. Gjatë kësaj periudhe janë zhvilluar 8 takime të dedikuara pune midis Ministrisë së Drejtësisë dhe institucioneve”, tha ndër të tjera ministri i Drejtësisë.
Risitë kryesore të kësaj strategjie, sipas Manjës, lidhen me forcimin e elementeve thelbësore të sistemit të drejtësisë dhe garantimin e qëndrueshmërisë së reformave të nisura.
“Këto risi reflektojnë përvojat e mësuara nga zbatimi i Reformës në Drejtësi, si dhe synimin tonë për të rritur integritetin, transparencën dhe profesionalizmin e institucioneve”, u shpreh ministri.
Manja nënvizoi edhe disa nga objektivat e rëndësishme që pasqyrojnë drejtimet prioritare të Ministrisë së Drejtësisë të fokusuar konkretisht në: Zbatimi i Hartës së Re Gjyqësore; Konsolidimin dhe harmonizimin e kuadrit ligjor me acquis të BE; Uljen dhe eliminimin e backlog-ut në gjykata për të rritur efikasitetin dhe shpejtësinë e trajtimit të çështjeve; Digjitalizimin e sistemit gjyqësor me akses të plotë për publikun; Plotësimin e vakancave të sistemit të drejtësisë me magjistratë me integritet; Finalizimin e procesit të vetting-ut dhe zbatimin e praktikave më të mira; Rritja e besimit të publikut përmes mekanizmave të llogaridhënies dhe transparencës; Përmirësimin e infrastrukturës së sistemit të drejtësisë; Rritjen e edukimit ligjor të publikut në fushën e drejtësisë.
Në fund të fjalës së tij, ministri i Drejtësisë theksoi se kjo Strategji Ndërsektoriale do të duhet të shërbejë si pikë referimi në punën e të gjitha institucioneve të drejtësisë./ATSH/