Shkup, 28 tetor – Ka ikur koha kur studentët kanë qenë të pa zëshëm si pasojë e shtypjes së madhe që është aplikuar mbi ta. Tani falë organizimit të mirëfilltë ata dinë të kërkojnë, të revoltohen e për shumë çështje që nuk janë në favor të tyre të mos pajtohen. Kjo është ashtu siç duhet të jetë, sepse vetëm nga një gjeneratë studentësh që dinë çfarë kërkojnë dhe si ta realizojnë pritet e shpresohet për një lidership të ardhshëm me guxim e dije. Organi Nacional Studentor dhe avokati i studentëve të Universitetit “Shën Kirili e Metodi” dorëzoi kërkesë te Ministria e Arsimit dhe Shkencës për rishqyrtimin e numrit të bursave për studentët e shkencave shoqërore në Konkursin për vitin akademik 2024/2025, shkruan Zhurnal.
Rishqyrtim të numrit të bursave për studentët e shkencave sociale –
Organi Nacional Studentor dhe avokati i studentëve të Universitetit “Shën Kirili e Metodi” dorëzoi kërkesë te Ministria e Arsimit dhe Shkencës për rishqyrtimin e numrit të bursave për studentët e shkencave shoqërore në Konkursin për vitin akademik 2024/2025. Siç informojnë, në kërkesë theksohet ulja e numrit të bursave për këtë fushë shkencore, e cila është reduktuar vetëm në katër bursa, kundrejt dhjetë të vitit të kaluar.
“Ky numër është në mënyrë disproporcionale më i ulët në krahasim me bursat për shkencat tekniko-teknologjike dhe natyrore-matematikore, të cilat mbeten në nivel të lartë, ndonëse vitin e kaluar janë plotësuar vetëm 24 nga gjithsej 40 bursa të planifikuara për këto fusha. Me këtë rënie të ndjeshme të bursave për shkencat shoqërore, aftësia e studentëve të kësaj fushe për të marrë mbështetjen e nevojshme financiare për studimet e tyre është e kufizuar. Gjithashtu, në konkursin e bursave të këtij viti përfshihen edhe studentët e studimeve të integruara (3+2 vjet), i cili vetëm sa shton numrin e kandidatëve potencialë nga shkencat shoqërore, duke ulur njëkohësisht shanset për të marrë bursë për të gjithë ata që aplikojnë”, thekson Avokati i Studentëve i USHCM.
Si zgjidhje përfaqësuesit studentor propozojnë të shqyrtohet mundësia e rishpërndarjes së bursave të paplotësuara nga fusha të tjera shkencore, që do t’u mundësonte studentëve nga shkencat shoqërore t’i përdorin këto mjete. Kjo, sipas tyre, do të mundësojë sistemim të drejtë dhe korrekt të bursave.
“Studentët presin përgjigje nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, duke shpresuar në një rezultat pozitiv që do të jetë në interesin e të gjithë studentëve nga cikli i dytë dhe i tretë i studimeve”, citohet në kumtesë.
Tani jemi në kohën e rezistencës studentore, studentët nuk durojnë dhe dinë të protestojnë –
Mungesa e një unifikimi studentor pati ndikuar që studentët me vite të kaplohen nga një pasivitet i thellë. Maqedonia e Veriut ka student e zë studentor, vetëm se për një kohë të caktuar edhe për shkak të zhvillimeve dramatike me të cilat është përballur vendi, studentët nuk mund të gjenin dot rendin e tyre për tu ngritur në këmbë dhe për të dëshmuar se studentët kanë zë. Mbase, pas një kohe të gjatë lëvizje të tilla në këtë drejtim po vërehen.
Kujtojmë që, studentët fund vitin që lamë pas kanë protestuar përballë Kuvendit, me kërkesa shumë të qarta e të nevojshme. Studentët kërkuan tërheqjen e propozim-amandamenteve të Ligjit për ushqime të subvencionuara të studentëve, sipas të cilëve bëhet ndarje e studentëve të cilët mund ta shfrytëzojnë subvencionin, dhe rritje e vaktit nga 120 në 150 denarë. Këto ishin kërkesat kryesore por nuk ishin të vetmet.
Të jesh student në Maqedoninë e Veriut është sfidë e dyfishtë, në të njëjtën kohë përballesh me probleme të shumta arsimore për sa i përket sistemit arsimor dhe cilësisë në arsim, ndërkaq në anën tjetër përballesh edhe me probleme të ndryshme për sa i përket mbulimit të shpenzimeve që kanë kosto të lartë. Për fat të keq në këtë vend studentët nuk e kanë fatin e mundësinë që edhe të studiojnë edhe të punojnë, prandaj një pjesë e tyre pushimin veror e shfrytëzojnë për të punuar jashtë shtetit.
Por, problemet e tilla veçse trashen dhe shtohen asesi nuk mënjanohen përderisa studentët qëndrojnë duarlidhur duke qenë subjektet kryesore, prandaj zëri studentor duhet të dëgjohet, duhet të dëshmohet se studentët kanë organizim fuqi dhe potencial të ngrihen në këmbë të kërkojnë e marrin atë që e meritojnë, madje studentët po deshën mund të rrënojnë edhe pushtete. /Zhurnal.mk