Dy shpërthime të fuqishme janë regjistruar mbrëmjen e kaluar në Brasilia, në Sheshin e Tre Fuqive, ku ndodhen selitë e pushtetit ekzekutiv, legjislativ dhe gjyqësor brazilian.
Mediat vendase shkruajnë se shpërthimet kanë ndodhur rreth orës 19:30 përpara selisë së Gjykatës së Lartë.
Nga të dhënat e para një person ka humbur jetën, disa të tjerë kanë mbetur të lënduar, shkruan A2. Paraprakisht mendohet se viktima ka hedhur veten në erë, ndërkohë që hetimet vijojnë.
Policia ka rrethuar zonën dhe ka evakuuar godinën e gjykatës. Një oficer në vendngjarje tha për mediat se brenda një makine pranë sheshit u gjetën disa mjete shpërthyese.
Shpërthimet vijnë pesë ditë përpara takimit të krerëve të shteteve të G20 në Rio de Zhaneiro, e ndjekur nga një vizitë shtetërore në kryeqytetin Brasilia nga presidenti kinez Xi Jinping.