Të gjitha pikëkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë janë hapur për qarkullim të plotë dhe papengesë, pas bllokadave në pjesën serbe të kufirit.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla ka njoftuar se edhe pikat kufitare në Merdar dhe Bërnjak janë liruar për qarkullim pas largimit të bllokadave nga personat e armatosur.
Organizatorët e bllokadave duan që Kosova ta tërheqë policinë nga komunat me shumicë serbe në veri, ta lejojë përdorimin e valutës së dinarit serb, i cili u ndalua në fillim të këtij viti, si dhe ta lejojë punën e komunave paralele serbe.
Të shtunën në mëngjes, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha se në Jarinjë nuk më pengesa në qarkullimin e të gjitha automjeteve në të dyja anët e kufirit, derisa ende kishte dyshime për Merdarin dhe Bërnjakun.
“Në mëngjesin e sotëm në pikën kufitare në Jarinjë, është duke u zhvilluar pa problem qarkullimi i automjeteve në të dyja anët e kufirit edhe të automjeteve me targa serbe dhe atyre me targa të Kosovës”, tha Elshani.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka akuzuar Serbinë të shtunën se po përpiqet të krijojë tensione dhe përshkallëzim në Kosovë dhe në rajon “përmes bandave kriminale të lidhura me shtetin”, pas bllokadave të vendosura në pjesën serbe të pikëkalimeve kufitare mes dy vendeve.
Osmani kërkoi nga aleatët e Kosovës “të dalin me qëndrim publik lidhur me këto shkelje të vazhdueshme nga ana e Serbisë, të cilat po shkelin të drejtat e qytetarëve tanë dhe kanë tendencë ta destabilizojnë paqen dhe sigurinë jo vetëm në Kosovë por në tërë rajonin tonë”.