Sveçla priti në takim Toshkovskin, diskutojnë për bashkëpunimin kufitar dhe sigurinë

nga Xh M

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ditën e sotme ka pritur në takim Ministrin e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, Pançe Toshkovski, me të cilin biseduan për bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve, me theks të veçantë për zbatimin e marrëveshjes së fundit për pikë-kalimin e përbashkët kufitar Hani i Elezit – Bllacë, bazuar në parimin “Hyrje-Hyrje”, si dhe për pikën Glloboqicë – Jazhincë, ku shumë shpejt, me finalizimin e punimeve teknike, do të fillojë zbatimi i të njëjtit parim.

Gjatë takimit, të dy ministrat diskutuan për thellimin e bashkëpunimit bilateral ndërmjet dy ministrive, me fokus të veçantë në fushat e sigurisë kufitare, luftimit të krimit të organizuar, migracionit të paligjshëm, si dhe forcimin e bashkëpunimit policor, njofton Ministria.

Sveçla theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe theksoi se marrëveshja e fundit ndërmjet dy vendeve tregon gatishmërinë për avancimin e bashkëpunimit në adresimin e sfidave të përbashkëta të sigurisë. Ai shprehu gatishmërinë e Republikës së Kosovës për të avancuar më tej marrëdhëniet me Maqedoninë e Veriut në luftimin e të gjitha llojeve të krimeve.

Nga ana e tij, Ministri Toshkovski vlerësoi bashkëpunimin ekzistues ndërmjet dy vendeve dhe theksoi rëndësinë e shkëmbimit të përvojave dhe informatave për të garantuar siguri të qëndrueshme për qytetarët e të dyja vendeve.

Në fund të takimit, të dy ministrat u dakorduan për të intensifikuar kontaktet ndërinstitucionale dhe për të punuar së bashku në projekte të përbashkëta në kuadër të iniciativave rajonale dhe evropiane për siguri dhe rend.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More