Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, u premtoi mbështetje financiare 80 tregtarëve të prekur nga djegia e tregut ku punonin prej 22 vitesh.
“Të ulemi me zotërinë që ka tokën e të shikojmë të bëjmë një propozim plani për tokën, që ta kthejmë si duhet, në tregun që ka qenë, por më të rregullt dhe më të sigurt. Ta kthejmë këtë të keqe në një të mirë”, tha Beci.
Tregu i rrobave të përdorura u përfshi nga flakët pasditen e së premtes, ndërkohë që në lidhje me ngjarjen, policia ka identifikuar si fajtor dy të mitur. Bashkia Shkodër nga ana tjetër, ka nisur verifikimin e plotë të dëmeve edhe të banesave të prekura nga zjarri.