Tabaku: Falja e taksave për 10 vite, dhuratë për oligarkët e turizmit

nga D V

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, kundërshtoi propozimin e deputetit të PS-së Blendi Klosi për ndryshime në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”, që kanë për qëllim  zgjasin me 2 vite afatin e përjashtimit nga tatimi mbi të ardhurat e korporatës entitetet që operojnë në struktura akomoduese “hotel/resort me katër dhe pesë yje, status special”.

Tabaku e cilësoi këtë nismë një dhuratë për oligarkët e turizmit, që lë pas dore shumicën dërrmuese të qytetarëve shqiptarë dhe bizneset e vogla.

“Kur miratuam buxhetin në dhjetor, qeveria premtoi se nuk do të kishte ndryshime fiskale, as përjashtime, as privilegje. Por, vetëm një muaj më vonë, socialistët sjellin një nismë që shkel premtimet e veta dhe dispozitat ligjore, duke falur taksat për një grusht kompanish në prag të zgjedhjeve”, deklaroi Tabaku.

Ajo e cilësoi këtë një strategji të dyfishtë që minon besimin e qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Tabaku kritikoi edhe shtyrjen e afatit të zbatimit të ligjit “Për investimet strategjike”, duke e quajtur atë një shembull të qartë të kapjes së ligjit nga interesat private.

Ajo paralajmëroi se falja e re e taksave për kompanitë e mëdha është në të njëjtën linjë me këtë praktikë dhe përshpejton pabarazinë ekonomike në vend.

“Këto ligje nuk janë më të përkohshme. Përfitimet për një pakicë po kthehen në normë, ndërsa bizneset e vogla dhe fermerët përballen me një barrë të rëndë fiskale. Si mund të justifikoni që hotelet e mëdha të huaja përjashtohen nga taksat, ndërsa strukturat akomoduese shqiptare në vijën bregdetare, që punësojnë qindra njerëz, paguajnë gjithçka”, u shpreh ajo.

Tabaku hodhi dyshime mbi të dhënat e Ministrisë së Financave, e cila pretendoi krijimin e 888 vendeve pune nga këto përjashtime fiskale.

Ajo kërkoi transparencë të plotë dhe informacione të sakta mbi përfitimet reale ekonomike të këtyre masave.

“Sa janë të punësuarit në hotele që nuk përfitojnë këto privilegje? Po 300 mijë fermerët që punojnë çdo ditë pa asnjë përjashtim fiskal, çfarë mbështetje kanë marrë? Si mund të mbyllim sytë ndaj kësaj pabarazie?” – shtroi pyetjen Tabaku, ndërsa shtoi se kjo është një politikë që godet direkt interesat e qytetarëve dhe biznesit të ndershëm.

Duke e quajtur “të turpshme” axhendën legjislative të mazhorancës, Tabaku kritikoi faktin që sesioni parlamentar i vitit të ri nisi me ligje që favorizojnë bizneset e mëdha dhe të huaja.

“Në vend që të sillnim një ligj që prek shumicën e qytetarëve, qeveria nis vitin me privilegje për 10-11 hotele të mëdha. Kjo është dhurata më e keqe që mund t’i bëhet sistemit tonë fiskal dhe barazisë ekonomike”, deklaroi ajo.

Ajo akuzoi qeverinë për krijimin e një sistemi taksash të pabarabartë dhe të padrejtë, që favorizon informalitetin dhe ndarjen ekonomike.

“Faljet e taksave dhe politika preferenciale kanë krijuar një pabarazi të thellë. Hotelet shqiptare paguajnë taksa, ndërsa të huajat përjashtohen. Çfarë mesazhi po i jepni investitorëve vendas?” – tha ajo.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More