Tabaku: Mbështesim avancimin e Shqipërisë në procesin e integrimit; Peleshi: Proces i të gjithë shqiptarëve

nga D V

Komisioni për Çështjet Europiane zhvilloi sot nën drejtimin e kryetares Jorida Tabaku mbledhjen për shqyrtimin e draftpozicionit negociues për grupimin e parë të kapitujve “Themelorët”, për negociatat për anëtarësimin në BE.

Në fjalën e saj, Tabaku u shpreh se “më 25 shtator, qeveria dhe kryenegociatorja na kanë informuar që Shqipëria ka marrë një kërkesë nga Presidenca hungareze për të dorëzuar pozicionet negociuese për grupkapitullin e parë”.

Tabaku u shpreh se data e sotme për hapjen e negociatave duhet të ishte një dekadë më parë.

“Asokohe kur ju futëm detit me dallgë në këmbë për të siguruar një tryezë në procesin e anëtarësimit dhe të gjithë biem dakord që kjo bisedë duhet të ishte zhvilluar 10 vite më parë që në vitin 2014, kur Shqipëria duhet të kishte filluar këtë proces”, tha Tabaku.

Tabaku nënvizoi se, “ndërkohë që ai vendim nuk erdhi kurrë, shqiptarët morën detin mes dallgësh dhe u larguan këmbësh nëpër Evropë duke e lënë politikën në festën e saj të përvitshme të shterpësisë që shitej si hapje negociatash”.

“Ky duhet të ishte një moment i mirë për Shqipërinë që në këtë dekadë është zhytur edhe më shumë në një udhëkryq në të cilin vazhdon të qëndrojë thuajse pambarimisht me halle dhe shqetësime të vetëshkaktuara nga një tranzicion i gjatë dhe i pashoq me asnjë nga vendet e rajonit, me problem që kalojnë nga krimi i organizuar, tek korrupsioni dhe kulmojnë me organizimin e zgjedhjeve”, tha Tabaku.

Më tej Tabaku, si kryetare e Komisionit për Çështjet Europiane dhe si përfaqësuese, sqaroi se PD mbështet avancimin e Shqipërisë në procesin e integrimit.

“PD është e vetëdijshme se sot ne ndodhemi larg një vendi me kushte të plotësuara, por ne besojmë se ky është një proces për Shqipërinë dhe shqiptarët, jo për politikën, prandaj ne mbështesim avancimin e Shqipërisë në procesin e integrimit dhe angazhimi jonë në këtë proces ka qenë i qartë. PD e ka nisur këtë proces dhe ajo do ta përfundojë pa rënë pre e asnjë provokimi. Asnjë ndarje mes Evropës, aspiratës së shqiptarëve në këtë proces dhe PD-së”, tha Tabaku.

Peleshi: Deklarata e Tabakut, politike, ky është hap shumë i rëndësishëm drejt anëtarësimit

Ndërsa kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Niko Peleshi e cilësoi deklaratën e Tabakut si politike.

“Ne nuk ju ndërpremë fjalën, e respektuam, nuk u ngritëm, nuk dolëm jashtë, ndonëse jemi 10 apo më tepër deputetë këtu, ndërsa ju keni ardhur vetëm 2. Thatë që e respektoni dhe mbështesni procesin e integrimit, por unë nuk e di se si mund të quhet kjo pjesëmarrje dhe ky fillim i një momenti shumë të rëndësishëm, miratimi i këtij projektakti, si mund të quhet kjo mbështetje”, tha Peleshi.

“Kjo është deklaratë politike. Natyrisht ju keni të drejtën tuaj edhe për gjuhën, edhe për të shfrytëzuar çdo foltore për qëndrimin tuaj në politikë, por do t’ju lutesha qytetarisht, të paktën këtu jo, të paktën në këtë komision ku mblidhemi për një proces që nuk është as i joni, as i juaji, por është i të gjithë shqiptarëve, të mos kemi marrje peng të mikrofonit dhe të vazhdojmë me deklarata politike duke injoruar totalisht atë që pritet sot nga ne në një ditë shumë të madhe për të njoftuar për shqiptarët.”

Peleshi theksoi se ky është një hap shumë i rëndësishëm drejt anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe integrimit të shoqërisë shqiptare në të.

“Besoj që procedura ishte totalisht e nëpërkëmbur dhe e papërfillur dhe do doja të mos përsëritej më një situatë e tillë”, tha Peleshi.

Paloka: Integrimi në BE, asnjë kusht i plotësuar 

Ndërsa deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka në fjalën e tij theksoi se nuk ka shqiptar që nuk e di pozicionin e PD-së lidhur me integrimin e Shqipërisë.

“Kemi qenë ne iniciatorët kur këta hidheshin përpjetë kundër. Vazhdojmë të jemi dhe do të jemi në të gjithë ekzistencën tonë për integrimin e Shqipërisë, sepse e shohim si mundësinë dhe të ardhmen më të mirë për shqiptarët dhe jo për politikën, por në kushtet e sotme kur një narkoregjim si ky i Ramës ka vendosur diktatin e tij, jemi të detyruar të pranojmë përpara shqiptarëve se Shqipëria sot nuk plotëson as edhe një nga kushtet që kërkon sot BE-ja”, tha Paloka.

Gjonaj: Çdo deklaratë politike mund të kishte vend në çdo mbledhje tjetër, por jo sot këtu

Nënkryetarja e Komisionit, Etilda Gjonaj në fjalën e saj u shpreh se, se kjo është hera e parë që ky komision shqyrton ndryshimet e ligjit mbi rolin e parlamentit për integrimin evropian.

“Më vjen keq që në një mbledhje të tillë, ku do të duhej të krijohej një praktikë e mirë si mbledhje e parë, për t’i shërbyer kujtdo kjo praktikë e mirë, sot për fat të keq dështoi. Më vjen keq që në këtë drejtim që ju bëtë sot çdo deklaratë politike mund të kishte vend në çdo mbledhje tjetër, por jo sot këtu”, tha Gjonaj.

Gjonaj u shpreh se, kjo është ditë historike për të gjithë shqiptarët. Ajo nënvizoi se, mbledhja do të duhej të zhvillohej me dyer të mbyllura.

“Kjo është ditë historike për të gjithë shqiptarët, sepse bëhet fjalë për një avancim të jashtëzakonshëm të çdo reforme që është ndërmarrë deri tani. Prandaj jemi në këtë moment dhe do të donim jashtëzakonisht shumë ta bënim publikë me të gjithë qytetarët, të gjithë shqiptarët, por vetë detyra dhe përgjegjësitë tona na kërkojnë që kjo mbledhje të respektojë ato parashikime ligjore që i kemi miratuar të gjithë bashkërisht, që do të thotë në këtë mbledhje do të duhej që ne që në fillim të vendosim që kjo mbledhje do të duhej të kryhej brenda konfidencialiteti që e kërkon ligji dhe rregullorja dhe për sa kohë që ne kemi pranuar faktin që kjo mbledhje do të duhej të ishte konfidenciale ju që në momentin e parë do të duhej të kishit shpallur faktin që kjo mbledhje do të duhej të bëhej me dyer të mbyllura”, u shpreh Gjonaj.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More