Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku u shpreh se ligji “Për barazinë gjinore” është i paplotë për sa kohë që shumë parashikime të këtij ligji kërkojnë ndryshime në ligje të tjera.
Në mbledhjen e djeshme të komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, ku u diskutua projektligji “Për barazinë gjinore”, Tabaku u shpreh se barazia gjinore nuk matet me fjalë, por me vepra.
Ajo solli në vëmendje rastin e nënave të fëmijëve me autizëm apo sindromën Down që bëjnë punën më të vështirë dhe më të vlefshme me kujdesin e përditshëm për fëmijët e tyre, por që shteti ende nuk ua njeh si punë.
“Një ndryshim shumë i rëndësishëm i këtij ligji është e drejta e punës. Duhet patjetër të mos ketë diskriminim te e drejta e punës për gratë, vajzat, zonjat. Besoj shumë fuqimisht që pa pjesën ekonomike dhe përmirësimin e situatës familjare ekonomike barazia nuk ka për të ardhur ndonjëherë”, tha ajo.
Tabaku theksoi se në këtë projektligj përmendet edhe puna e papaguar.
“Si do të rregullohet kjo? Ka një grup shumë të gjerë qytetarësh që kanë problematika. Ka zonja që rrinë në shtëpi se kanë fëmijët me autizëm, me sindromën Down. Përfshihet ky grup këtu te puna e papaguar? Do kemi ne ndryshime dhe në Kod të Punës për sa i përket kësaj? Si do të rregullohet kjo pastaj me ligje të tjera si ligji për sigurimet shoqërore, për kujdestarinë, sepse ju keni sjellë një legjislacion që është jetim”, u shpreh Tabaku.
Sipas saj, ligji do të bëhet i plotë në momentin kur kjo shoqërohet me ndryshime të tjera.
“Duhet ndryshuar Kodi i Punës dhe shumë legjislacione të tjera. Puna e papaguar dhe impakti financiar që ajo ka është shumë e rëndësishme sepse nëse ne themi se po kalojmë në një nivel tjetër kur nënat, vajzat, gratë që kanë një fëmijë, që kujdesen në shtëpi do t’i quhen ditët e qëndrimit në shtëpi dhe kujdesit për fëmijën, si ditë kur ajo do të ketë marrë edhe pagesat e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore si do të reflektohet në buxhet? Çfarë ndikimi do ketë te Kodi dhe gjithë legjislacioni tjetër fiskal”, u shpreh Tabaku.
Projektligji “Për barazinë gjinore” po vijon shqyrtimin edhe sot në komisionet parlamentare, ku është shoqëruar me debate mes deputetëve të mazhorancës dhe deputetëve të opozitës.
