Takim Azeski – Graf: Bashkëpunimi duhet të vazhdojë me intensitet të përforcuar

Shkup, 27 shtator – Kryetari i Odës ekonomike të Maqedonisë së Veriut, Branko Azeski mbajti takim pune me zëvendësin e ambasadorit të Republikës Federale të Gjermanisë, Oto Graf.

Në takim, siç cekin nga Oda ekonomike, është biseduar për bashkëpunimin bilateral mes Republikës Federale të Gjermanisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, të cilin të dyja palët e vlerësuan se është në nivel mjaft të lartë.

Azeski theksoi se Oda ekonomike, si odë më e madhe dhe më e vjetër në vend, është partnere e gatshme dhe e sigurt për thellim të bashkëpunimit, duke krijuar dhe mbështetur klimë të volitshme afariste e cila mundëson tërheqje dhe mirëmbajtje të investimeve zhvillimore, posaçërisht përmes pjesëmarrjes në Forumin investues të odave dhe mbështetjes ndaj zhvillimit ekonomik të rajonit.

Ai i prezantoi edhe projektet aktuale dhe aktivitetet strategjike të Odës, duke e vënë theksin në mbështetjen ndaj kompanive në aktivitetet e tyre, përmes krijimit të Këshillit për teknologji avancuese, duke e përfshirë edhe digjitalizimin, implementimin e sistemit dual në arsim, rritjen e bashkëpunimit mes kompanive vendore dhe të huaja, si dhe mbështetjen e aktiviteteve eksportuese të sektorit vendor afarist.

Azeski shtoi se gjatë viteve, Oda ekonomike ka bashkëpunim të rëndësishëm me Ministrinë federale për bashkëpunim dhe zhvillim ekonomik të Gjermanisë, me çka në kuadër të Fondeve të hapura rajonale për Evropën Juglindore (Open Regional Funds for South East Europe), u zbatua Projekti i partneritetit mes Asociacionit të odave ballkanike dhe Unionit të odave industriale dhe tregtare gjermane – ABK-DIHK, për përforcim institucional të odave ballkanike, mbështetje në procesin e integrimit në BE dhe avancim të bashkëpunimit të odave mes rajonit dhe Gjermanisë.

Në kuadër të fondit të njejtë, në mars të vitit 2010, shtojnë, Oda ekonomike hyri në Projektin rajonal me GTZ “Export Consultancy Network” – formim i bazës rajonale të konsulentëve ekonomik në sfera të ndryshme.

Në takimin e punës, kryetari Azeski dhe zëvendës ambasadori Graf konkluduan se bashkëpunimi mes dy vendeve duhet të vazhdojë me intensitet të përforcuar, posaçërisht në fushën e bashkëpunimit ekonomik, rritjen e potencialit eksportues të kompanive vendore dhe tërheqjen e sa më shumë investimeve gjermane.

“Republika Federale e Gjermanisë për 16 vite është partneri i parë ekonomik i Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe ashtu duhet të mbetet edhe në të ardhmen. Në shtatë muajt e parë të vitit 2021 këmbimi tregtar mes dy vendeve është 3,01 miliardë dollarë amerikanë dhe shënon rritje prej 55,7 për qind, krahasuar me periudhën e njejtë në vitin 2020, kur ishte 1,93 miliardë dollarë amerikanë. Eksporti për shtatë muajt e parë të vitit 2021 është 2,3 miliardë dollarë amerikanë, dhe shënon rritje prej 59,2 për qind, në krahasim me periudhën e njejtë të vitit 2020. Importi paraqet 682,3 milionë dollarë amerikanë dhe shënon rritje prej 44,8 për qind në krahasim me periudhën e njejtë të vitit 2020. Në këmbimin tregtar është realizuar suficit prej 1,6 miliardë dollarëve amerikanë, i cili në raport me vitin e kaluar është pakësuar për 66,07 për qind”, thuhet në kumtesë.

Related posts

Mësoni komunat ku kryetarët janë zgjedhur që në rreth të parë

Z H

Editorial/ Maqedonia e Veriut të ketë kujdes me Greqinë pasi mund ta pësojë si me Bullgarinë

Z H

Pahor: Shtyerja e negociatave është gabim moral dhe politik, e minojnë autoritetin e BE-së

Z H

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More