Takim i kryetarit të Kuvendit, Gashi me zëvendësministren e MPJ-së greke, Papadopolu

nga D V

Shkup, 14 qershor – Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, u takua me zëvendësministren e Punëve të Jashtme të Republikës së Greqisë, Aleksandra Papadopolu, me të cilën kanë shkëmbyer mendime për forcimin e bashkëpunimit dhe dialogut ndërmjet të dy vendeve në të gjitha fushat, si dhe për procesin e mëtejshëm të anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian.

Ai falënderoi Greqinë për mbështetjen e saj në procesin e integrimit evropian të vendit, pas anëtarësimit në NATO, që është rezultat, siç tha, i Marrëveshjes së Prespës, njoftuan nga shërbimi për informim i Kuvendit.

“Zëvendësministrja e MPJ-së greke ka uruar Kryetarin Gashi për zgjedhjen e tij në këtë funksion, duke thënë se Maqedonia e Veriut ka mik të sinqertë Greqinë. Ky, tha Papadopolu, është mesazhi që po juа sjell nga e gjithë lidershipi i Greqisë – se ne jemi miq, fqinjë, aleatë, partnerë në NATO dhe një ditë do të jemi edhe partnerë në BE”, theksohet në kumtesën e Kuvendit.

Kryetari Gashi konkludoi se të dy vendet janë në rrugë shumë të mirë në avancimin e marrëdhënieve bilaterale, duke pasur parasysh bashkëpunimin dhe komunikimin intensiv midis qytetarëve, në fushën e ekonomisë dhe turizmit, me potenciale për intensifikimin në infrastrukturën rrugore, energjetikën, arsimin, kulturën dhe në të gjitha fushat e tjera me interes të përbashkët.

Bashkëbiseduesit folën edhe për bashkëpunimin në nivel parlamentar, ku Kryetari Gashi shfaqi interesim për organizimin e vizitave zyrtare dhe njëkohësisht e njoftoi zëvendësministren Papadopolu se në Kuvendin e RMV-së në çdo mandat të ri formohen grupe parlamentare për bashkëpunim ndërmjet të dy vendeve.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More