Shkup, 14 gusht – Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni sot ka realizuar takim pune me Masimo Pani, oficer ndërlidhës dhe ekspert i sigurisë në Ambasadën e Republikës së Italisë në Shkup.
Në takim, siç bëri të ditur MPB, Iseni theksoi bashkëpunimin e shkëlqyeshëm ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Italisë i cili po zhvillohet në vazhdimësi dhe i njëjti është në frymën e marrëdhënieve tradicionalisht të mira miqësore ndërmjet dy vendeve.
“Iseni kujtoi aktet tashmë të nënshkruara dypalëshe me Republikën e Italisë dhe e informoi Pani se në rrjedh e sipër janë procedurat për nënshkrimin e dy akteve bilaterale me theks të veçantë në Marrëveshjen për njohjen e ndërsjellë të lejeve të vozitjes e cila është me interes të madh për qytetarët e Maqedonisë që banojnë dhe jetojnë në Republikën e Italisë”, thuhet në kumtesë.
Zëvendësministri Iseni e falënderoi Panin për përfshirjen e tyre në projektin aktual në kuadër të programit nacional IPA dhe projektin rajonal që ndanë mjete për stërvitjen e ardhshme Simuluese që do të mbahet në tetor të këtij viti në Ohër.
“Në takim u konstatua se bashkëpunimi i përbashkët, i ndërmjetësuar nga Ambasada e Republikës së Italisë në Shkup, është në nivel jashtëzakonisht të lartë, me tendencë që i njëjti të zhvillohet edhe në të ardhmen”, qëndron në kumtesën e MPB-së.